Koni kallëzon Kulen në Prokurori, nis hetimi për skandalin e tenderave në Universitetin e Tiranës

Apr 19, 2018 | 9:01
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për aktivitetet financiare të Universitetit të Tiranës, pas kallëzimit penal që rektori Mynyr Koni ka bërë për paraardhësin e tij, Dhori Kulen.

kule-koni
Burime brenda Prokurorisë së Krimeve të Rënda, konfirmojnë për “Panoramën” se i gjithë aktiviteti financiar i UT-së, që nga mandati i parë i Dhori Kules dhe deri më tani, do të jetë në sitën e organit të Akuzës. Dhori Kule, i cili ka mbajtur postin e rektorit të Universitetit të Tiranës për 8 vjet, është nën hetim për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”.

Edhe më herët, ai ka qenë i lakuar për afera korruptive dhe për të ka pasur shumë raporte dhe audite. Kujtojmë se në vitin 2012, KLSH konstatoi blerjen e një automjeti në vlerën e 50 mijë dollarëve nga Rektorati, që drejtohej nga Kule. Mirëpo, përveç vlerës së lartë, sipas KLSH-së, automjeti ishte edhe tejet i përdorur.

Në një raport tjetër, atë të datës 13 tetor 2009, sipas KLSH-së, janë paguar disa shpenzime udhëtimi e dieta për Kulen dhe një tjetër ish-drejtor i Rektoratit në shumën 835 euro për pesë ditë shërbimi. Në raport theksohet se në vitin 2008, në 17 raste, në shumën 6.1 milionë lekë, janë kryer pagesa për orët jashtë orarit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku bashkëlidhur nuk ka pasur kërkesa dhe urdhra për kryerjen e këtyre orëve suplementare nga punonjësit dhe eprorët e tyre.

Por nuk mbaron me kaq. Sipas KLSH-së, në tenderin e zhvilluar më datë 8 korrik 2009, janë vënë në dispozicion për blerje karburanti dhe lëndë djegëse mbi 9.5 mln lekë, i cili është vendosur me abuzime dhe sipas raportit dhe ka pasur edhe dyshime për përzgjedhjen e fituesit. Por raporte dhe auditime të ngjashme ka ende dhe do të verifikohen nga Prokuroria.

REAGIMI I KONIT

Me nisjen e hetimeve për aktivitetin financiar të UTsë, ka reaguar edhe rektori Mynyr Koni. Përmes një postimi në “Facebook”, ai përshëndet Prokurorinë e Krimeve të Rënda për nisjen e hetimeve dhe e inkurajon atë që të hetojë edhe aktivitetin financiar të UT-së nën drejtimin e tij.

“Bazuar në publikimet në media, ditën e mërkurë datë 18.04.2018, shpreh mbështetjen personale dhe institucionale për hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjithashtu, i bëj thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ndërmarrë një hetim të plotë, të shpejtë dhe të thelluar. Në mënyrë të përsëritur, u bëj kërkesë organeve kompetente të drejtësisë të ndërmarrin një hetim të plotë mbi të gjithë aktivitetin financiar të Universitetit të Tiranës në 10 vitet e fundit deri në ditën e sotme”, shkruan Koni në profilin e tij në “Facebook”.

PËRPLASJET

Pak kohë më parë, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, së bashku me disa drejtues të tjerë fakultetesh, i dërguan një letër Ministrisë së Arsimit, ku kërkonin shkarkimin e rektorit Mynyr Koni. Përplasjet mes të dyve nisën që në vitin 2017 për Bordin e Administrimit të UT-së. Disa ndryshime mbi anëtarët e bordit atë vit sollën edhe përplasjet e para mes Konit dhe Kules.

Kule e akuzoi atë vit Konin se ndërhyrja në zëvendësimin e anëtarëve të Bordit të Administrimit ka ardhur me kërkesë të tij dhe pezullimi i kancelarit nga detyra është bërë pasi ka prekur interesat e Konit në tendera. “Rektori pengon administratorin të bëjë veprime me protokollin, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Bën shkresat që ka kompetencë kancelari apo administratori dhe nuk i protokollohen.

Madje, ka nxjerrë një urdhër abuziv, që të mos pranohen shkresat e kancelarit”, pati deklaruar Kule vitin që shkoi. Por Koni u shpreh në atë kohë, se kancelari nuk ka realizuar detyrat dhe ka çuar deri në një bllokim institucional. Ai, madje, sipas Konit, ka penguar edhe një auditim të brendshëm të institucionit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura