Konflikti i individit me botën sociale, ku ai jeton

Apr 20, 2015 | 18:00
SHPËRNDAJE

ATJON ZHITI

ATJON ZHITI  
Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni, që fillon nga teogjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes. Ky është një udhëtim, që duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…

Aristoteli e konsideronte individin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundërpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i veçantë, i veçuar, i ndarë, kurse Seneka supozonte që individ mund të quhet çfarëdolloj objekti, sendi, gjallësí, entitet, që është i pandashëm dhe i pakuptimtë në mosbashkimin e tij. Me kalimin e kohës, me zhvillimet bashkë me njeriun, empiristët në fakt mendonin se individi ishte një “tabula rasa”, ku përpunohej si argjila nga eksperienca dhe edukata që merr, fati kolektiv, do të shtoja unë. Hegeli theksonte faktin se individi në të vërtetë është një qenie me ndërgjegje e moral të lartë, që tejkalon barrierat e kënaqësive të vogla. Ekzistencializmi me Nietzsche & Kierkegard e konsideronin individin dhe njeriun një qenie pa Zot, e cila e kishte krijuar atë në sajë të interesit vetjak dhe individi në të vërtetë duhej të plotësonte dëshirat e tij tokësore me pasion, epsh etj. Si të thuash, të qenët zot pa Zot.

Gjithë këto ide e mendime për individin (kupto: njeriun) parashtrojnë konfliktin gjithmonë- ekzistues midis individit dhe botës sociale ku ai jeton, pra ku është dhe tjetri, dhe të tjerë, njerëzit – me ata që kanë qenë, që sjellin, krahas harresës, edhe përvojën e përgjithshme dhe me ata që do të vijnë, që kërkojnë përgjegjësitë e të tanishmes e na bëjnë të krijojmë ëndrrën e së ardhmes, që, meqenëse duket sikur bota nuk është e përshtatshme për njeriun, por njeriu duhet t’i përshtatet asaj, duhet të punojmë me jetën. Dhe jo vetëm. Individi, pra njeriu, arsyeton pa ekziston dhe ky kushtëzim i jetesës dhe i mbijetesës, që na qenka në bazë të mendimit, automatikisht sjell konflikt midis individit, sepse gjithsecili mendon ndryshe, ashtu si tjetri, por si vetja më shumë, sipas asaj që intereson, aq sa është arritur të thuhet se njeriu mendon me stomak (Hegel). Konflikti nuk do të shuhet kurrë dhe, në qoftë se do të shuhej, do të sillte shkatërrimin e njerëzimit, por duhet shtuar, si të thuash armët, mjetet, përveç stomakut, të futet truri dhe zemra, intelekti dhe shpirti. Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i historisë është një pjesë shumë e rëndësishme e hermeneutikës së tij. Ky “konflikt” është një indeks zhvillimi dhe evolucioni, sepse, në qoftë se ne vërejmë, gjithmonë problemet dhe shqetësimet bënë që njeriu të arsyetojë e të mendojë për to, për të gjetur rrugëzgjidhje, gjetja e saj ka rëndësi jetike dhe mosgjetja ka dyfish rëndësi për të tashmen e njeriut, sepse bën që të jetojë dhe bashkëjetojë me problemin dhe shqetësimin, pra me projektet, jo vetëm të tij, por më gjerë, deri dhe të gjithë njerëzimit dhe, si rrjedhojë, kalohet në prodhimet e konflikteve shpirtërore, që kanë si qëllim dhe lëndë përkryerjen, përsosjen.

Pra, çdo konflikt transformohet në shpirtëror, duke u bërë, siç kanë qenë përherë, motor zhvillimi për njeriun.

Njeriu duhet të mësojë që nuk janë objektet që kushtëzojnë shqisat, por janë shqisat që kushtëzojnë. Mosbota humane bashkë me atë humane përzihen dhe socializohen dhe…
Dhe?
Shqisat e njeriut, suficiente në krahasim me të tjera qenie e dukuri dhe insuficiente në krahasim me po ato qenie e dukuri e të tjera që nuk i dimë, por nuk do të thotë që s’do t’i dimë, përbëjnë një thelb jetësie, mundësi dijesh, një konflikt të saj, pra të vetes dhe të vetëve, të jetës sociale, ku jemi ne mes të tjerëve, tjetri tek uni, gjithmonë mes njerëzimit dhe gjërave e dukurive e imazheve të tyre, që kohët moderne i kanë shndërruar në objekte, po aq të forta, në mos më shumë se origjinalet e tyre, që sa më kundër të bëhen, aq më vështirë për individin dhe sa më kundër të jetë individi ndaj tyre, aq më i vështirë vetorganizimi, i përkryer dhe ende me mistere në lëndën, materien, në mikrobotën, ashtu si në makrobotën. Me mister kuptoj atë që ne ende nuk e dimë.
Po i largohet apo po i afrohet vetes njeriu? Do bëjmë shkencë apo do na bëjë shkenca? Konflikti nuk mbaron, do bashkëjetojmë me të, gjetja e ekuilibrave që të kujton akrobatin që ecën mbi tel në lartësi me atë stekën ndër duar e ne ngremë kryet e shohim me ankth, do të bjerë apo jo? Në fakt, jemi ne që ecim brenda vetes, ne telin e jetës sociale. Të ulim kokën dhe të shohim brenda vetes, është njëlloj me ngritjen e kokës. Ta tregojmë sa të zotë jemi. Në fakt, ne bëjmë vetvetet, për veten dhe tjetrin, që jeta sociale të jetë sa më pak tëhuajëzuese. Që konflikti të mos jetë torturë, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndihet si e tillë…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura