Konflikti Çela-Mula, konflikt parimesh apo interesash

Sep 25, 2021 | 9:05
SHPËRNDAJE

NIKOLIN GURAKUQI

nikMë pas erdhi intervista e saj dhënë gazetares Mira Kazhani, ku ajo sqaron arsyet e mospjesëmarrjes së saj në Galanë e përurimit të TKOB, të rikonstruktuar. Sigurisht që mospjesëmarrja e Invës në këtë aktivitet ishte e turpshme për TKOB, por ajo nuk ishte e vetmja që nuk u ftua, kishte edhe shumë artistë të tjerë të shquar që nuk u ftuan, midis tyre edhe unë, si regjisor e punonjës i vjetër i TKOB, me një karrierë 44-vjeçare e me dy tituj mbi supe.

Pra, kemi të bëjmë me një fenomen përjashtues që Zana Çela, si diktatore arrogante që është, e vë mjaft mirë në funksion, sa herë që i duhet ta përdorë me artistë që nuk pajtohen me drejtimin e saj abuziv, diktatorial e amator të të vetmit Teatër Kombëtar Opere që kemi. Por le të kthehemi te problemi kryesor, te kultura e përjashtimit dhe e linçimit të artistëve në Opera, që këtë herë goditi mjaft artistë të shquar, me tituj e karrierë ndërkombëtarë, përfshi këtu edhe Inva Mulën, fenomen i cili ka hedhur rrënjë që në kohën e diktaturës dhe vazhdon pa ndërprerje edhe pas 30 vjet demokraci.

Drejtorë të ndryshëm në TKOB, për të qeverisur rehat, duke shkelur ligjet e teatrit, vënë në përdorim me efikasitet taktikën përça e sundo, sa herë që i duhet të nënshtrojnë kritikuesit e tyre, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme njërën palë artistësh servilë të drejtorit dhe duke persekutuar palën tjetër kritikuese. Këta drejtues që janë mësuar të qeverisin pa ligj, për të pasur duar të lira për zullumet e tyre, shkelin pa e çarë kokën statutin, rregulloren e brendshme dhe kontratën e punës, duke e identifikuar teatrin me veten e tyre, por le të kthehemi te problemi ynë, konflikti Mula-Çela, i cili nuk është i tanishëm, ai ka 5 vjet që zien në heshtje, por tani me rastin e përurimit të teatrit pas restaurimit te plotë të tij, shpërtheu, u bë i dukshëm, i prekshëm, eksploziv.

5 vjet më parë, kur të dyja ishim mike me njëra tjetrën, pasi Mula kishte drejtuar si drejtore artistike Festivalin “Marie Kraja”, Çela i ofroi asaj vënien në skenë operën “Peshkatarët e perlave”, duke e vënë në pozicionin e regjisores, rol të cilin Mula nuk e kish bërë kurrë më parë. Deri këtu çdo gjë dukej në rregull, procesi i provave përfundoi dhe ja erdhi konferenca e shtypit, ku të gjithë pamë Invën në karrigen e fundit të artistëve, ndërsa Çela fryhej si gjithmonë në mes, rrethuar nga servilët e saj çibanë që mbinë si kërpudhat pas shiut në TKOB, sapo Çela mori emërimin si drejtore. Diçka e rëndë kish ndodhur mes tyre, por se çfarë nuk e morëm vesh kurrë se asnjëra prej tyre nuk e hodhi në media këtë konflikt misterioz.

Përse ishin konfliktuar dy shoqet e ngushta që në Liceun Artistik, përse media heshti pa pikë turpi kur çdo gjë ndodhi para syve të saj? Ky konflikt 5-vjeçar sigurisht që do mahisej e do plaste një ditë, siç plasi, se siç veproi me Invën, Çela ka linçuar e persekutuar shumë artistë të tjerë me emër e këtë gjë e ka bërë edhe kur të dyja ishin mike të ngushta me njëra-tjetrën. Në atë kohë, Zana Çela, në festivalin e saj “Marie Kraja”, bënte kronika lartësuese vetëm për prindërit e Invës dhe mohonte kontributin e shumë artistëve të tjerë. Po ashtu, kur ajo u bë drejtore e TKOB për herë të dytë, për konflikt interesi, ajo ia dha Inva Mulës ta drejtojë si drejtore artistike dhe vetë ndenji në hije.

Në atë festival janë përjashtuar shumë figura me kontribute të mëdha, por askush nga të dyja nuk ka folur qoftë edhe një fjalë të vetme për këtë gjë. Tani që Mula e pësoi mbi kurrizin e saj arrogancën, përjashtimin, arbitraritetin, fyerjen e dinjitetit të saj e të familjes së saj nga ish-mikja e vet tashmë me pushtet, fenomen ky i turpshëm në TKOB që prej themelimit të tij, proteston kundër këtij fenomeni se u prek në vetë të parë dinjiteti, fama e kontributi i saj. Mirë bën që proteston, se është në të drejtën e saj, por është një protestë e vonuar. Pyetja shtrohet, po kur të dyja ishin mike e bashkë bënin projekte, e përjashtoheshin të tjerë kolegë, pse nuk protestonte për këtë fenomen të ulët e të turpshëm?

Përgjigjja mendoj se është e thjeshtë, konflikti Mula-Çela, në thelb nuk është një konflikt parimesh institucionale, po interesash, projektesh e përfitimesh reciproke. Zana Çela njëlloj ka qenë e egër, diktatore, shkelëse e të drejtave të njeriut, dhunuese e teatrit dhe e artistëve, inatcore, hakmarrëse, antiligjore, antidemokratike, edhe kur ka pasur marrëdhënie miqësore me Inva Mulën, por kjo e fundit kurrë nuk ka protestuar për këto sjellje barbare të saj, përkundrazi e ka përdorur Çelën për planet personale të saj e për përfitimet e veta.

Gjithsesi, do doja shumë që Mula ta kishte seriozisht këtë protestë e ta vërë në vend dinjitetin e saj e të familjes së saj, por edhe të shumë artistëve të tjerë të persekutuar që jo pak herë kanë provuar mbi kurriz fenomenin e ndyrë të linçimit e përjashtimit fenomen që edhe pas 30 vjet demokraci lulëzon në TKOB e diktatores amatore, që si një çiban i është ngulur trupit të lodhur të TKOB dhe nuk i shqitet me një varg shushunjash. Në këtë rast, sigurisht që ne jemi pro kësaj proteste, megjithëse të vonuar.

Prandaj, konflikti midis tyre është më shumë një konflikt interesash sesa parimesh institucionale me parimin o je, o nuk je, në kohë të papërcaktuar, nuk mund të jesh parimor vetëm kur të preken interesat e tua dhe përkohësisht vetëm atëherë kur prishesh me titullarin e institucionit për arsye që ende pas 5 vjetësh nuk dihen… Megjithatë, më mirë vonë se kurrë.

*Ish-regjisor në Tkob “MJESHTER I MADH” “NAIM FRASHËRI I ARTË”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura