Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, merr fund bojkoti te Vllaznia. Skuadra nis përgatitjet për kampionatin

May 24, 2020 | 17:03
SHPËRNDAJE

Vllaznia do të nisë nesër në orën 09:00 përgatitjet për vazhdimin e kampionatit pas 3 ditësh bojkot.
vllaznia
Ashtu siç u njoftua më parë nga “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit dhe lojtarët kanë rënë dakord për të nisur përgatitjet për vazhdimin e sezonit pas përplasjeve të ashpra në ditët e fundit për shkak të mosdhënies së pagave prej 4  muajsh për lojtarët.

Dje në mbrëmje, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi u takua me disa prej lojtarëve të Vllaznisë, ku u kërkoi të nisnin stërvitjen pasi po dëmtohej imazhi i klubit. Ajo u premtoi se kërkesat e lojtarëve do të zgjidheshin brenda një kohe të shkurtër.

Lajmi për stërvitjen u konfirmua nga klubi i Vllaznisë në faqen e saj zyrtare.

Njoftimi i Vllaznisë:

KF Vllaznia sh.a. njofton rifillimin e stërvitjes së ekipit të parë, ditën e hënë në ora 09.00, në kuadër të përgatitjeve për startin e Superligës.
Duke qenë vazhdimisht në krah dhe në mbrojtje të interesave të futbollistëve, dhe stafit tekniko- sportiv të Vllaznisë, është gjetur mirëkuptimi për zgjdhjen e çështjeve të cilat janë bërë publike këto ditë.
Bashkia e Shkodrës, Klubi, stafi tekniko- sportiv dhe mbështetës, futbollistët do të jenë të përqendruar maksimalisht në arritjen e parametrave sa më optimalë për rifillimin e Superligës me synim paraqitjen sa më të mirë të mundshme në të dy kompeticionet ku Vllaznia vazhdon të jetë në garë: Kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.
KF Vllaznia sh.a., siguron opinionin futbolldashës dhe tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, se do të bëjë çdo gjë që është e mundur për krijimin e kushteve për të synuar arritjen e objektivave të sezonit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura