Konfirmohen yjet e koncertit kushtuar Whitney Houston

Oct 8, 2012 | 15:17
SHPËRNDAJE

Celine Dion, Jennifer Houdson dhe Usher.

Celine Dion, Jennifer Houdson dhe Usher, janë, ndër të tjerë, yjet e parë të muzikës që janë konfirmuar për koncertin që do t’i kushtohet Whitney Houston. Trioja do t’i bashkohet një trupe të tërë këngëtarësh të famshëm, të cilët do të nderojnë këngëtaren që humbi jetën në shkurtin e këtij viti.
“We will always love you”- do të jetë përshëndetja nga të gjithë kolegët për këngëtaren. Koncerti do të mbahet në Los Angelos, më 11 tetor. Krahas këngëve, secili prej të pranishmëve do të ndajë me publikun copëza kujtimesh që lidhen me të.
Ky koncert do të përkojë edhe me përmbledhjen e një albumi me këngët më të mira të Whitney Houston, “I will always love you”, që do të dalë në treg vetëm pak ditë më pas. Në të janë përmbledhur 16 hite të sajat, më të mirat e të gjitha kohërave, si dhe dy këngë të padëgjuara më parë, ndër të cilat njëra është duet me R.Kelly. Përveç koncertit, sipas njoftimit që bëri dje “Lifetime”, do të transmetohet edhe një seri dokumentarësh, i quajtur “The Houstons, vetëm”. Seriali do të nisë më 17 tetor dhe do të tregojë për të bijën e këngëtares, Bobbi Kristina Brown, kunatën dhe menaxheren e saj, Pat Houston dhe të ëmën, Cissy. Të tria do të tregojnë se si janë përballur me jetën pas humbjes së njeriut të tyre të shtrenjtë. Koncerti, nuk do të jetë hera e parë që këngëtarja Jennifer nderon Whitney-n. Ajo performoi gjithashtu në ndarjen e çmimeve “Grammy”, pak kohë pas humbjes së këngëtares. Dhe duke folur shkurtimisht rreth dashurisë së saj për Houston, Jennifer tha: “E adhuroja stilin, look-un e saj, por mbi të gjitha, zërin dhe teknikën”. Ndërsa Celine Dion e përdori vdekjen e saj si paralajmërim për yje të tjera të muzikës që janë në moshë fare të re, duke u shprehur se: “Gjithmonë kam qenë e frikësuar nga industria. Pse? Sepse mendoj se në këtë vend që jetojmë, çdo gjë është e mundur. Është një vend ‘Po’. Sidomos nëse je i suksesshëm. U shokova kur mësova se jeta e Whitney-t mori fund për shkak të drogës. Është një humbje e madhe për të gjithë ne”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura