Konferenca për financën e gjelbër, Drejtori i AMF: Faktorët mjedisorë të bëhen pjesë integrale e politikave financiare

Nov 17, 2022 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ervin Mete-Panorama

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) organizuan sot në Tiranë konferencën ndërkombëtare mbi mundësitë që ofron financa e gjelbër për sektorin financiar në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Ervin Mete, tha se zhvillimet e viteve të fundit diktojnë që faktorët mjedisorë dhe politikat e qëndrueshme të bëhen pjesë integrale e politikave financiare.

“Dëshiroj të përgëzoj iniciativat e disa prej aktorëve të sektorit financiar shqiptar në përfshirjen e faktorëve mjedisorë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, por besoj se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sektori financiar ka një rol kyç në arritjen e këtyre objektivave, pasi ai shërben për të riorientuar investimet drejt teknologjive dhe bizneseve të gjelbra, si edhe për të financuar rritjen në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të gjelbra kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar.

Por, suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, sektorit publik, atij privat, ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës dhe të gjithë palët e interesit. Rritja e kërkesave për transparencë dhe informacion lidhur me faktorët ESG (mjedisorë, social dhe të qeverisjes) dhe menaxhimin e rrezikut të këtyre faktorëve përbën domosdoshmëri, në mënyrë që investitori të marrë vendime të mirëinformuara lidhur me produktet financiare,” tha në fjalën e tij Z.Mete.

Si pjesë e planit të veprimit të saj për financa të qëndrueshme, aktualisht në qendër të diskutimeve të BE-së, është edhe krijimi i një standardi për obligacionet e gjelbra (EU Green Bond Standard). Një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra, inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe investojnë në bonde të gjelbra dhe nxit efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.

“Rregulloret dhe mbikëqyrësit kanë rol thelbësor lidhur me krijimin e kushteve që nxisin investime të gjelbra, rritjen e kërkesave për transparencë dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme. Shqipëria vlerësohet si vend me risk të lartë sa i përket katastrofave natyrore. Indeksi “Risk Inform” i Komisionit Evropian e vlerëson nivelin e përgjithshëm të rrezikut të Shqipërisë mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Sektori financiar është direkt i ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve. Por në anën tjetër, ky sektor mund të përshpjetojë kalimin drejt një ekonomie të gjelbër, duke u bërë financuesi kryesor i investimeve pro mjedisit, si edhe duke ofruar zgjidhje të transferimit të rrezikut,” tha z.Mete.

Komisioni Evropian, në dhjetor të vitit 2019 prezantoi iniciativën, e njohur si European Green Deal, një strategji që nxit investimet publike dhe private në projekte të qëndrueshme dhe që synon ta bëjë Europën kontinentin e parë neutral ndaj klimës dhe me emetim zero deri në vitin 2050. Sipas planit të investimeve të Bashkimit Evoprian, parashikohet mobilizimi i rreth 1 trilionë eurove gjatë dekadës së ardhshme, ku gjithashtu 1/3 e fondit të parashikuar për rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 do të shërbejë për financimin e kësaj nisme. Diskutimet aktuale në BE mbi financat e qëndrueshme kanë shtuar detyra të reja për mbikëqyrësit e bankave, sigurimeve, fondeve të investimit, fondeve të pensionit, apo aktorëve të tjerë të sektorit financiar.

Konferenca e sotme u organizua në tre sesione, ku u diskutuan përkatësisht këndvështrimet e drejtuesve të institucioneve shqiptare, përvojat dhe mendimet e partnerëve ndërkombëtarë me rol kyç dhe të avancuar në politikat e gjelbra, si edhe ato të ndërmjetësve financiarë nga tregjet ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas,  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura