Konferenca miraton Projektbuxhetin/ Ministrja e Ekonomisë, Ibrahimaj detajon shpenzimet dhe të ardhurat: 637.6 miliardë lekë për vitin 2022

Oct 27, 2021 | 8:49
SHPËRNDAJE

delina ibrahimaj

Konferenca e kryetarëve ka miratuar dje Projektbuxhetin e vitit 2022, ku në mënyrë të detajuar përshkruhen të gjitha zërat se ku do të shkojnë paratë e shqiptarëve vitin e ardhshëm.

Në fjalën e saj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri një pasqyrim të shpenzimeve dhe të ardhurave për vitin e ardhshëm, deficitin dhe borxhin publik. Ibrahimaj theksoi se, Ministria ka parashikuar që shpenzimet buxhetore në vitin 2022 të jenë në shifrën e 637.6 miliardë lekëve, ndërsa të ardhurat parashikohen në 536.8 miliardë lekë.

Ministrja theksoi se, shpenzimet e personelit për vitin 2022 reflektojnë kostot e Administratës Publike aktuale, plus rritjen e pagave me 6 për qind të parashikuar në sektorët e Shëndetësisë, Arsimit dhe Mbrojtjes.

“Shpenzimet buxhetore janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekëve ose 34.1% e PBB-së dhe do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia, Infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, të cilat së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësorë, arsimorë dhe të mbrojtjes. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së”, tha Ibrahimaj. 

Gjithashtu, ministrja u shpreh se buxheti i vitit të ardhshëm ka për qëllim rimëkëmbjen ekonomike, ku në bazë të parashikimeve pritet që ekonomia shqiptare të ketë një rritje prej 4%, ndërsa synohet të ulet borxhi publik.

“Buxheti ka për synim rimëkëmbjen e ekonomisë. Rritje në të gjithë sektorët do përkthehet në punësim dhe do të ketë nxitje për krijimin e vendeve të reja të punës. Për vitin 2022 parashikojmë rritje ekonomike deri në 4%. Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliardë lekë, ku nga të ardhurat tatimore 500.1 miliardë lekë dhe të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2022 parashikohen të rriten me 7.8%. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 112 miliardë lekë. Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9% të PBB-së nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021″, tha ministrja.

Ibrahimaj theksoi se në buxhet do të financohen me prioritet Rindërtimi, “start up”-et, pagesat e naftëtarëve, përballimi i situatës së shkaktuar nga Covid-19 dhe investimi për dronë dhe satelitë.

“500 milionë lekë janë parashikuar për financimin e mbetjeve. Do financohen me prioritet, ‘start up’-et, pagesat e naftëtarëve. Rindërtimi parashikohet me vlerën 20 miliardë lekë, për përballimin e pasojave të tërmetit, përballimi i situatës për vitin 2022- 2023. Financimi i Vaksinës Covid-19 për vitin 2022 me vlerën 2.7 miliardë lekë. Bujqësia do të përfitojë rreth 12.7 miliardë lekë. Për buxhetin vendor, pritet të kenë impakte reformat e ndërmarra deri më tani. Po zbatohet një proces i decentralizimit përmes reformave”, tha ministrja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura