“Konferenca me pizhame”/ Zaganjori: Si u ribashkuan gjermanët pas 57 vitesh në një shtet demokratik! Pse u tërhoq Gorbaçovi në momentet e fundit, roli i SHBA

Oct 2, 2020 | 20:17
SHPËRNDAJE

NGA XHEZAIR ZAGANJORI

BASHKIMI GJERMAN NË “KUJTIMET” E GENSHERIT

3 Tetori është Festa Kombëtare e Gjermanisë. Në këtë ditë të shënuar, tridhjetë vjet më parë hyri në fuqi e ashtuquajtura Marrëveshja Dy Plus Katër, përmes së cilës u bë ribashkimi de jure i dy Gjermanive të ndara në vitin 1949.

zaganjoriii

Me këtë Marrëveshje, dy Gjermanitë dhe katër Fuqitë kryesore aleate: SHBA, Britania, Bashkimi Sovjetik dhe Franca, që, në bazë të akteve ndërkombëtare të miratuara në përfundim të Luftës së Dytë Botërore mbanin disa përgjegjësi mbi të gjithë territorin gjerman, ranë dakord të bëjnë realitet vullnetin e qartë e të plotë të të gjithë popullit gjerman për të bashkëjetuar në një shtet të vetëm.

Në fakt, 3 Tetori 1990 ishte kurorëzimi i takimeve të shumta dhe i përpjekjeve të jashtëzakonshme diplomatike në nivelet më të larta të politikës europiane e botërore që shoqëruan shembjen e Murit të Berlinit më 9 Nëntor të vitit 1989, kësaj ngjarjeje të shënuar historike që krijoi mundësi e hapi perspektiva të mëdha e të paimagjinueshme ndryshimi e progresi për shumë popuj e vende në të katër anët e globit. Por mbi të gjitha për vetë popullin gjerman, veçanërisht atë të Lindjes, i cili, që me fillimin e Luftës së Parë Botërore e deri në vitin 1989, për rreth 75 vjet me radhë (1914 – 1989), kishte përjetuar përgjithësisht një periudhë të turbullt e tepër të vështirë, shoqëruar me dhunë, gjakderdhje, konflikte, tensione e ndarje.

Ribashkimi hodhi kështu bazat e krijimit të një shteti të vetëm gjerman të lirë, demokratik, të qëndrueshëm e të zhvilluar, të një fuqie rajonale që është faktor i rëndësishëm për përparimin, paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë: Sepse politika e saj është e orientuar në mënyrë të padiskutueshme në partneritetin e ngushtë e strategjik me SHBA dhe vendet e tjera perëndimore; Ajo është lokomotiva që çon vazhdimisht përpara rrugëtimin e gjatë e të vështirë të integrimit të brendshëm në Bashkimin Europian; Është një nga anëtarët më aktive të NATO-s; Mbështetëse e fuqishme, e sinqerte dhe e vendosur e proceseve demokratizuese e integruese të shteteve të Europës Qendrore e Lindore, përfshi këtu natyrshëm edhe Shqipërinë; si dhe e zhvillimit e përkrahjes së rajoneve të ndryshme kudo në botë. Të gjitha këto bëjnë që suksesi i ribashkimit gjerman të vazhdojë të ketë rëndësi jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për të gjithë Europën e më gjerë.

Pikërisht kjo është edhe arsyeja e festimeve dhe aktiviteteve të shumta që janë planifikuar të bëhen në këtë 30-vjetor, pavarësisht situatës së vështirë e të pazakontë të krijuar nga Covid-19. Konferenca, ceremoni, emisione e debate televizive, koncerte, filma, ekspozita e panaire kudo në territorin gjerman, veçanërisht në Potsdam, kryeqytetin e Landit të Brandenburgut që ka edhe presidencën vjetore në Bundesratin (Senatin) gjerman, si dhe në kryeqytetin e Gjermanisë Federale, në Berlin. Mes tyre mund të përmenden: Nisma qytetare që deri me 3 Tetor çdo individ të ketë mundësinë të mbjellë një pemë, gjë që do të thotë edhe 84 milionë pemë më shumë, si shenjë e respektit dhe dashurisë për natyrën e klimën si dhe për solidaritetin e të ardhmen e përbashkët të popullit gjerman; Ekspozita e Bashkimit (EinheitsEXPO) me moton “30 vite në 30 ditë”, që është hapur tashmë në Potsdam, në të cilën për 30 ditë me radhë, të gjitha Landet gjermane, Institucionet Qendrore e Kushtetuese të vendit, Komisioni i Bashkimit Europian dhe partnerë të tjerë do të paraqesin dokumente, fotografi dhe objekte që pasqyrojnë zhvillimet gjermane të 30 viteve të fundit, nga Revolucioni Paqësor i vitit 1989 deri në ditët tona; Hapja për herë të parë për publikun e Tunelit të Shpëtimit, i cili u krijua për të ndihmuar ikjen e qytetarëve gjermano-lindorë drejt Perëndimit; Koncertet e shumta me muzikë të ndryshme, ku do të dominojë muzika klasike, e veçanërisht ajo e kompozitorit të magjishëm gjerman, Ludwig van Beethoven, i cili në dhjetorin e këtij viti ka 250- vjetorin e lindjes e të tjerë.

Aktivitetet kryesore do të zhvillohen para dhe përreth Portës së Brandenburgut, këtij monumenti madhështor me shumë se 200-vjeçar, i cili ndërsa gjatë Luftës së Ftohtë simbolizonte izolimin dhe ndarjen e padrejtë të një populli të vetëm, ndarjen e dy sistemeve dhe dy botëve krejtësisht të ndryshme, sot simbolizon bashkimin gjerman dhe unitetin e botës së lirë e demokratike.

Bilanci i sukseseve të gjithanshme në këto 30 vjet në Gjermani është i jashtëzakonshëm. Pa dyshim që të gjithë gjermanët, edhe ata të ish-Lindjes, kanë një jetë shumë më të mirë, shumë më cilësore e shumë më të sigurt, pavarësisht vetëkritikës që bëhet shpesh dhe me transparencë të plotë nga politika e shoqëria gjermane për të bërë më shumë në mënyrë që standardet të jenë gjithnjë e më të barabarta.

Megjithatë, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, politikani i njohur gjerman Schauble, aktualisht kryetar i Parlamentit gjerman, vuri me të drejtë në dukje se arritja më e madhe dhe më e çmuar e këtyre 30 viteve për bashkatdhetarët e Lindjes është liria reale dhe barazia në punë e në jetë, në një shtet që synon të mbrojë gjithnjë e më mirë parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Thuajse të njëjtat deklarime ka bërë këto ditë edhe Kancelarja gjermane. Është interesante të theksohet se e pyetur se si do ta mendonte aktualisht veten sot nëse Gjermania nuk do të ishte bashkuar, Merkel u përgjigj në mënyrë tepër të natyrshme se: “Prej pesë vitesh duhet të kisha qenë në pension.

Meqenëse në DDR pensionistët mund të merrnin pasaportë dhe mund të dilnin jashtë, nuk është çudi që do të kisha qenë në vendin e lirisë, në SHBA, për të parë në mënyrë të veçantë vargmalet e mahnitshme amerikane Rockies, si dhe për të marrë informacion e dëgjuar më shumë muzikën e këngëtarit të njohur amerikan të viteve ’70 Bruce Springsteen”. E pyetur më pas nëse ajo do të kishte preferuar gjithashtu në moshën e pensionit një makinë amerikane, ajo u përgjigj: “Jo, në asnjë mënyrë, sepse ato janë shumë të mëdha.

Nëse nuk do të ishim bashkuar, pa dyshim që sot do të kisha një ‘Trabant’, prodhim i Gjermanisë Lindore, sepse ato ishin të vogla, praktike dhe harxhonin pak karburant”. Në vijim do të paraqesim disa nga momentet kryesore të bashkimit gjerman, nga rrëzimi i Murit të Berlinit më 9 Nëntor të vitit 1989 deri me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes “Katër Plus Dy”, më 3 Tetor të vitit 1990. Këtë do ta bëjmë bazuar në librin “Kujtime” (Erinnerungen) të personalitetit të shquar të politikës gjermane Hans-Dietrich Gensher.

Detyrë kjo jo e lehtë, pasi libri me mbi një mijë faqe ka ngjarje e zhvillime të shumta. Megjithatë, do përpiqem të them në vetë të parë, ashtu siç përshkruhen në këtë libër, vetëm disa nga zhvillimet më të rëndësishme, më njerëzore e më interesante në bisedimet intensive “Dy Plus Katër”, thjesht për të kuptuar atmosferën dhe vështirësitë e këtij procesi historik.

KUJTIMET E GENSHERIT

Më 8 nëntor 1989, Bundestagu debatoi si çdo vit tjetër për raportin qeveritar “Mbi situatën kombëtare në një Gjermani të ndarë”.

Aty përshkruheshin qartë zhvillimet më të fundit lidhur me masën e madhe të gjermano-lindorëve që kërkonin të largoheshin për në Gjermaninë Perëndimore, veçanërisht çështja e kufirit në Hungari dhe ajo e ambasadës gjermane në Pragë.

U fol gjithashtu edhe për demonstratat gjithnjë e më të fuqishme në qytete të ndryshme të DDR. Për shumicën ishte e qartë që diskutimi i këtij raporti ishte i fundit në një Gjermani të ndarë… Më 9 nëntor 1989, së bashku me Kancelarin Kohl, ishim për vizitë zyrtare në Varshavë, të planifikuar kohë më parë.

Në darkë ishim në Pallatin Kryeministror të ftuar nga Kryeministri polak, Mazowiecki. Aty na erdhi edhe lajmi: Gjermania Lindore është detyruar të hapë kalimin në Murin e Berlinit. Çfarë duhet të bënim? Na njoftuan se të nesërmen më 10 nëntor do të organizohej një miting shumë i madh në sheshin para Bashkisë së Berlinit Perëndimor. Ne duhet të ishim me çdo kusht të pranishëm.

Pala polake e mirëkuptoi menjëherë dëshirën tonë. Të nesërmen ne mëngjes isha me Lech Valesën dhe kryetarin e Partisë Bashkimi i Lirisë, prof. Bronislav Geremek. Temë kryesore natyrisht që ishte Muri i Berlinit. Valesa dukej shumë i shqetësuar, ndërsa Geremek, që e mendonte ndryshe situatën, theksoi se ky zhvillim është shumë i rëndësishëm si për Gjermaninë, ashtu edhe për Poloninë dhe për Europën.

Ky njeri kurajoz e më përvojë e kuptonte se me këtë bashkim, e gjithë Gjermania do t’i përkiste Perëndimit dhe se edhe në Poloni do të kishte gjithashtu zhvillime shumë pozitive. Në fund të fundit nuk do të kishte të stacionuara mbi 300 mijë trupa sovjetike, por do të ishte fqinje me Bashkësinë Perëndimore, së cilës do t’i bashkëngjitej në një të ardhme jo shumë të largët. Më 10 nëntor 1989… Unë e kisha të qartë se si ministër i Jashtëm duhet të kisha shumë mirë parasysh interesat afatgjatë të Gjermanisë. E gjithë bota do të komentonte deklarimet tona.

Do të flisnin përfaqësuesit e tri partive më të mëdha tradicionale: Kryetari i CDU, Helmut Kohl, kryetari i SPD, Willy Brand, dhe unë si përfaqësues i Partisë Liberale (FDP). Fjalimet tona ishin të qarta për këdo. Pozicionin tonë në këtë moment historik mund ta përshkruaj kështu: “Ne kemi vullnetin e patundur t’i përkasim bashkësisë së Demokracive Perëndimore”.

Kjo duhet të mbetej maksima jonë në politikën e jashtme edhe pas 9 nëntorit 1989. Nuk duhet të kishte as dyshimin më të vogël anëtarësia e Gjermanisë së ribashkuar në Komunitetin Europian dhe në NATO…si dhe faktin që “gjermanët e ribashkuar duan të jetojnë në paqe me të gjithë fqinjët… Asnjë popull në botë, asnjë popull në Europë nuk duhet të frikësohet me hapjen e dyerve mes Perëndimit dhe Lindjes..”.

Më 20 nëntor 1989 isha në Uashington ku më pritën me përzemërsi të madhe, ngrohtësi dhe ndjenja miqësore. Presidenti Bush më priti në Zyrën Ovale. Si shenjë të mirënjohjes sonë i dhashë një gur të vogël nga Muri i Berlinit. I thashë se rënia e këtij muri është simbol për dëshirën dhe vullnetin për liri dhe demokraci. Ne duam t’ju falënderojmë për ndihmën dhe qëndrueshmërinë, me të cilat SHBA na ka shoqëruar si në ditët e mira, ashtu edhe në ato të vështira.. Tani bëhet fjalë për reformat në Europën Lindore dhe për të drejtën e vetëvendosjes së popullit gjerman… Vura në dukje më pas rëndësinë e madhe që do të kishte për ne takimi i afërt i nivelit të lartë mes Presidentit Bush dhe Presidentit Gorbaçov në Maltë.

Ne jemi shumë të interesuar për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA e Bashikimit Sovjetik, pasi kjo do të çonte në një fleksibilitet më të madh në Europën Qendrore e Lindore. Edhe fati i të gjithë Gjermanisë varet shumë nga këto zhvillime. Presidenti Bush më premtoi se do të fliste me Gorbaçovin për çështjen e vetëvendosjes, duke shtuar se dinamika e ndryshimeve në Poloni, Hungari dhe DDR, e me shumë gjasa edhe në Çekosllovaki, krijojnë shumë mundësi që të mbështetet edhe bashkimi gjerman.

SHBA mbështet vullnetin e gjermanëve për bashkim, paqe dhe liri dhe se ky proces mund të ecë edhe më shpejt sesa është menduar në fillim. Më pas, këshilltari për çështjet e Sigurisë i Presidentit Bush, Scowcroft, më pyeti se kur unë flas për parimin e vetëvendosjes, kam parasysh përfundimin e një traktati paqeje apo mbajtjen e një Konference me Katër Fuqitë Aleate.

Unë e hodha poshtë menjëherë idenë e një traktati paqeje, sepse zhvillimet intensive të katër dekadave e kanë kapërcyer tashmë dukshëm këtë fazë. Ne jemi miq dhe partnerë të ngushtë me tre nga Katër Fuqitë Aleate … Edhe me Bashkimin Sovjetik kemi marrëdhënie të mira. Nga ana tjetër, edhe Konferenca me Katër Fuqitë do të ishte një hap prapa në kushtet e sotme. Prandaj theksova se zgjidhja më e dobishme do të ishte të ulemi në një tryezë të gjashtë shtetet e interesuara, dy Gjermanitë dhe Katër Aleatet, për të diskutuar gradualisht dhe me qetësi çështjet tona. Ramë dakord në parim për këtë zgjidhje.

Më pas, në Departamentin e Shtetit, kisha takimin me kolegun Baker. Biseduam sy me sy. Për mua ishte e qartë që bisedat zhvilloheshin mes miqsh, ndaj folëm hapur dhe qartë për çdo gjë. Si Presidenti Bush, ashtu edhe Baker, ishin tepër të interesuar të mbështesnin Gjermaninë, partnerin e tyre më të rëndësishëm në Europë…

Më 28 nëntor 1989, Kancelari Helmut Kohl bëri të njohur programin me 10 pika të Qeverisë Gjermane për ribashkim, i cili do të ishte në themelet e bisedimeve tona. Më 12-13 Shkurt 1990, siç ishte rënë dakord, do të zhvillohej takimi i parë zyrtar për ribashkimin gjerman në Otava të Kanadasë. Do të ishte një tryezë mes shteteve të NATO-s e Paktit të Varshavës me emrin Qiejt e Hapur. Unë kisha mendimin që dy shtetet gjermane do të diskutonin për çështjen e tyre mbi aspekte të politikës së jashtme me katër shtetet e tjera dhe jo e kundërta. Duhej të shmangej çdo përpjekje për ta paraqitur këtë ngjarje si një takim të Katër Fuqive Aleate mbi çështjen gjermane.

Ndaj kishte shumë rëndësi që ai të quhej Bisedimet Dy Plus Katër dhe jo Katër Plus Dy. Takimi u hap më 12 shkurt 1990 me një pjesëmarrje e vëmendje të jashtëzakonshme. Krahas gjashtë ministrave të Jashtëm të përfshirë drejtpërsëdrejti në bisedime, respektivisht unë, Oskar Fischer i Gjermanisë Lindore, James Baker i ShBA, Douglas Hurd i Britanisë, Roland Dumas i Francës dhe Eduard Schevardnadze i Bashkimit Sovjetik, ishin të ftuar edhe shumë ministra të jashtëm të vendeve të tjera, vecanërisht ato të shteteve anëtare në NATO. Fillimisht u bë një foto e përbashkët në grup. Aty mund tw shihet qartë se vetëm pas katër viteve, shumë nga pjesëmarrësit e atëhershëm nuk janë më në detyrë, gjë që është normale, por e veçanta është që edhe disa nga shtetet që u përfaqësuan në këtë takim nuk ekzistojnë më, në një kohë që janë krijuar mjaft shtete të reja. Unë fola që në takimin e parë plenar, duke sistemuar tezat e njohura tashmë.

Vura në dukje se detyra e Bisedimeve Dy Plus Katër për bashkimin e dy Gjermanive ka një dimension historik. Theksova me këtë rast fjalët e Thomas Mannit, i cili vinte në dukje se “Ne duam një Gjermani europiane dhe jo një Europë gjermane”.. Bisedimet e grupit të vogël të punës mes gjashtë shteteve ishin mjaft të tensionuara. Të tjerët njoftoheshin për rezultatet e tyre. Shevardnadze kërkonte ndryshime të vogla e të shumta të projektit të paraqitur nga drejtorët politikë. Më në fund arritëm me vështirësi të miratojmë në ditën e dytë të takimit kuadrin e nevojshëm për ecurinë e mëtejshme të Bisedimeve Dy Plus Katër.

Dhamë konferencën e shtypit dhe shkova në sallën qendrore për të takuar kolegët e NATO-s. Baker erdhi e më tha se ka një shqetësim. Kolegët thonë se ndryshimet e vogla të bëra pak para përfundimit të takimit me ndërhyrjen e Shevardnadzes janë futur në aktin përfundimtar pa marrë më parë pëlqimin e tyre, prandaj kërkojnë që bisedimet të rifillojnë nga e para. Nga kolegët e NATO-s, më aktivët ishin ministri i Jashtëm i Holandës, Van den Broock, dhe ai i Italisë, De Michellis. U alarmova shumë. Sipas meje, në tërësi, Shevardnadze kishte bërë më shumë se çfarë pritej.

Rihapja do ta përkeqësonte situatën, pa llogaritur këtu faktorin kohë. Ndwrkaq, Roland Dumas ishte larguar. Duhej ndërhyrë sepse në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej rihapja e bisedimeve. Ndaj, duke iu drejtuar dy kolegëve thashë: A jeni një nga Katër Fuqitë që kanë përgjegjësi për Gjermaninë në bazë të akteve ndërkombëtare? A jeni ju një nga dy shtetet gjermane? Nuk jeni asnjëri prej tyre. Më pas shtova me njëfarë toni fjalët “You are not part of the game”. Nuk e kisha aspak të lehtë të flisja kështu, por nuk kishte rrugë tjetër. Për të gjithë kolegët u bë e qartë që kërkesa për rihapjen e bisedimeve shkonte shumë larg.. Më 5 maj 1990 u zhvillua në Bonn takimi i radhës së Bisedimeve Dy Plus Katër..

Thuajse në të njëjtën ditë, më 7 maj të vitit 1945, pra, 45 vjet më parë, në moshën 18-vjeçare, si ushtar gjerman në Tangermunde pranë Elbës, isha zënë rob nga një njësi e ushtrisë amerikane. Në javët e fundit të kësaj lufte kriminale që u provokua nga Gjermania, përjetova një situatë të tmerrshme mjerimi dhe trishtimi. Prandaj, Konferencën e hapa kështu: “…Që nga mbarimi i Luftës, megjithë tensionet dhe konfrontimet politike, është bërë e mundur ruajtja e paqes. 45 vjet pa luftë është me të vërtetë një përvojë e re për kontinentin tonë. Të gjithë popujt duhet të jenë të sigurt që një Gjermani e bashkuar do të jetë një kontribut i madh për një Europë më të mirë..”.

Shevardnadze ishte mjaft pozitiv në ndërhyrjen e tij. Ai vuri në dukje ndër të tjera se “Bashkimi Sovjetik mbështet të drejtën e gjermaneve për vetëvendosje dhe se ka besim te një Gjermani e bashkuar si shtet demokratik, që është e ndërgjegjshme për përgjegjësitë dhe detyrimet që ka… Ne nuk kemi asnjë arsye të dyshojmë për vullnetin dhe deklarimet e tyre për paqe e bashkëpunim. Gjëja më e keqe që mund të bënim do të ishte të kapeshim pas klisheve apo botëkuptimeve të vjetërsuara..”. Megjithatë, ai ishte mjaft i rezervuar në çështjen e NATO-s dhe anëtarësinë e Gjermanisë së bashkuar në këtë organizatë, duke theksuar se këtë e bënte jo vetëm për mbështetjen e interesave sovjetike, por edhe për sigurinë globale..

Ai theksoi ndër të tjera se “NATO vazhdon të jetë ajo që ka qenë më parë.. një bllok ushtarak përballë nesh, me një doktrinë dhe organizim të caktuar që kërkon të gjejë mundësinë për të bërë goditjen e parë bërthamore”. Pyeta veten se përse Shevardnadze po e përdorte këtë formulë të zymtë të arsenalit propagandistik të Luftës së Ftohtë? Përgjigjen e gjeta shpejt. Ai përpiqej që përmes deklarimeve të tilla t’i përshtatej luftës së brendshme politike dhe kundërshtarëve të tij në Moske. Si Gorbaçovi, edhe ai ishte nën një presion të brendshëm shumë të madh gjatë gjithë periudhës së Bisedimeve Dy Plus Katër.

Kjo ishte edhe arsyeja e insistimit të tij që çështja e bashkimit të brendshëm të Gjermanisë të ndahej nga aspektet e jashtme të tij, duke veçuar kryesisht trajtimin gradual e të mëvonshëm të raporteve me NATO-n, si dhe çështjen e tërheqjes së trupave aleate nga territori gjerman.. Sidoqoftë, bisedimet e Bonit u konsideruan mjaft të suksesshme.. Ishte e qartë që matematika politike do të jepte një rezultat të çuditshëm, por të pritshëm, 2+4 = 5. Sepse në fund të këtij procesi, me ribashkimin gjerman, DDR do të shuhej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare..

Në fund u vendos që takimet e radhës të bëheshin të sinkronizuar e të përshpejtuara brenda vitit 1990, respektivisht në qershor në Berlin, në korrik në Paris dhe në shtator në Moskë. Më 22 qershor 1990, pikërisht 49 vjet pas sulmit të Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik, u mbajt në Berlinin Lindor raundi i radhës. Para se të fillonte takimi Dy Plus Katër, të gjashte Ministrat e Jashtëm morën pjesë në çmontimin e pikës së njohur të kalimit kufitar pranë Portës së Brandenburgut me emrin Checkpoint Charlie.

Një vinç i madh e ngriti lart ndërtesën dhe e vendosi më pas në një cep të rrugës. Kaq thjeshtë mori fund funksioni i kësaj barake që ishte bërë e njohur kudo në botë në një kohë mjaft të vështirë. Në ditët që pasuan ndërtimin e Murit të Berlinit në gusht të vitit 1961, pikërisht këtu qëndronin shumë afër dhe përballë njëri-tjetrit tanket amerikane dhe sovjetike, të gatshme për çdo komandë lufte. Tani ne ishim mbledhur aty pranë për t’u marrë vesh për ribashkimin e Gjermanisë.

Ndërsa po mendoja pikërisht këtë gjë në fillim të takimit, një veprim i Shevardnadzes na bëri dush të ftohtë. Ai më la në dorë një tekst traktat, në të cilin bëhej fjalë për pozicionin juridikondërkombëtar, që duhet të kishte një Gjermani e bashkuar, i cili ishte tërësisht në kundërshtim me çfarë kishim biseduar. Ne e kundërshtuam menjëherë. Edhe James Baker e kundërshtoi energjikisht atë, duke theksuar se në këtë mënyrë diskriminohet qartësisht Gjermania. Ai shtoi se “As që mund të diskutohet kufizimi i sovranitetit të plotë të Gjermanisë”.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Douglas Hurd. Unë shtova se “Gjermania duhet të ketë edhe pas bashkimit sovranitet të plotë dhe nuk mund të ngarkohet me çështje të tjera..”. Pasi ndërhyri sërish Shevardnadze, Baker më përcolli një letër ku më thoshte “Ç’do të thotë ky veprim”. I shkrova shkurt vetëm “window dressing” (gjëra formale, thjesht për t’u dukur – shënimi ynë). Baker ma miratoi me kokë. Ne ishim të bindur që Schevardnadze duhej ta bënte këtë veprim për shkak të situatës politike të vështirë të udhëheqjes sovjetike në prag të Kongresit të Partisë që do të zhvillonin se shpejti…

Më 17 gusht 1990 u zhvillua raundi i fundit i Bisedimeve Dy Plus Katër në Moskë. U nisa një ditë më parë dhe në darkë takova z. Shevardnadze. I kërkova mbështetjen dhe bashkëpunimin për: 1) Përgatitjen e plotë të Marrëveshjes përfundimtare jo më vonë se 12 shtatori 1990 2) Deri në atë kohë duhet të ketë qartësi edhe për marrëdhëniet e bashkëpunimin të gjithanshëm bilateral mes dy vendeve tona dhe 3) Përcaktimi i kontributit konkret që ato duhej të jepnim në kuadër të Procesit të KSBE, për të ndërtuar një strukturë të re sigurie në Europë. Përgjithësisht edhe ky takim ishte konstruktiv dhe i dobishëm… Më 11 shtator 1990 fluturova sërish në Moskë për nënshkrimin e Marrëveshjes Dy Plus Katër. Më parë duhej të merreshim vesh për një çështje të ngritur në momentin e fundit nga sovjetikët. Ato donin siguri që me largimin e trupave të tyre nga Gjermania Lindore, vendin e tyre të mos e zinin trupat Aleate.

Shevardnadze m’u lut të pranohej kjo kërkesë, sepse për të ishin të interesuar vetë Gorbaçov dhe mjaft deputetë. Diskutuam gjatë mbi këtë temë si dhe për numrin dhe natyrën e manovrave të mundshme ushtarake të NATO-s në territorin gjerman. Unë ngula këmbë që formulimet në Marrëveshje të mbeteshin të paprekuara. Ndryshimet apo sqarimet të bëheshin në Protokollin shtesë.

Shevardnadze sikur u bind. Pas shumë hezitimeve ramë dakord në parim që numri i forcave Aleate në territorin gjerman në rastin e manovrave të mundshme ushtarake të mos ishte më shumë se 13 mijë. Fillimisht dhanë pëlqimin edhe tre aleatët tanë, por më pas, Hurd mori udhëzim ta kundërshtonte këtë ndryshim. Këtij qëndrimi iu bashkuan edhe Baker dhe Dumas. Menduam se megjithatë, ky fakt nuk do të rrezikonte Marrëveshjen Dy Plus Katër. Por vonë në mbrëmje morëm vesh se Gorbaçov ishte nxehur dhe kishte thënë që në këto kushte Marrëveshja të mos nënshkruhej. I alarmuar mora në telefon në paradhomën e Bakerit.

Shoqëruesi më tha se Sekretari i Shtetit po flinte, ndaj nuk mund ta shqetesonte. Aq më tepër që kishte marrë ilaç gjumi sepse nuk ndjehej mirë. Puna nuk priste, megjithëse ishte mesnatë. Shkova vetë në dhomën e tij me bashkëpunëtorin tim, ashtu siç ishim, me pizhame. Më në fund u zgjua dhe na priti. Edhe ai me pizhame. Kjo është arsyeja që në shënimet e mia do ta shënoja “konferenca e pizhameve”. I thashë menjëherë se e gjithë puna e madhe që ishte bërë nuk mund dhe nuk duhej të dështonte. Iu luta të ndikonte për ndryshimin e mendimit, pasi dështimi i bisedimeve për shkak të një çështjeje minore nuk do të mund të kuptohej askund në botë. Nuk duhej të rriskonim kaq shumë për ndërprerjen e bisedimeve, siç kishte kërcënuar Gorbaçov..

I kërkova të pajtohej me mendimin e pozicionin tonë e më pas të bindnim edhe kolegët Hurd dhe Dumas. Ishte shumë e rëndësishme që të nesërmen të bëhej ceremonia në orën e caktuar. Baker më tha se SHBA kanë qenë gjithnjë në krahun tonë.

Ai rikonfirmoi se kishte mbështetur qëndrimin britanik, por premtoi se do të më ndihmonte. Lamë të takohemi në mëngjes në 8:30 në rezidencën franceze. Ia thashë më pas këto edhe Shevardnadzes. Në rezidencën franceze shkova më herët. Iu luta shumë Roland Dumas që të nënshkruante. Ramë më pas dakord të gjithë, edhe Hurd e Baker.. Marrëveshja u nënshkrua.

Isha i lumtur. Pas 57 vitesh, gjermanët u ribashkuan serish në një shtet demokratik. Më 2 tetor, në mbrëmje, isha në Berlin në Mitingun e Madh, duke pritur orën 24:00, pas së cilës, pra, zyrtarisht më 3 tetor, hynte në fuqi Marrëveshja Dy Plus Katër për ribashkimin e Gjermanisë. Përjetuam një natë të paharruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura