Kondicion(d)erët

Jul 26, 2015 | 19:00
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja
Edmond Tupja
Po, pikërisht sepse kondi cionerët, duke na freskuar ditë e natë, po na bëjnë shumë nder në këto ditë tejet të nxehta fundkorriku, i shtova një “d” emrit të tyre.

Sigurisht, ky është një nder që kushton shtrenjtë, por sot gjithçka paguhet detyrimisht sipas ligjeve të ekonomisë së tregut dhe të krizës ekonomike: paraja e hedh ujin përpjetë, thoshin të vjetrit e dikurshëm, dhe vapën përtokë shtojnë të vjetrit e sotshëm, midis të cilëve edhe unë.

Kalimtarit të vëmendshëm nuk ka si të mos i bjerë në sy, kur kalon para ndërtesave të administratës shtetërore, qendrore apo vendore qoftë ajo, në kryeqytet apo nëpër qytete të tjera në mbarë vendin, numri përherë e në rritje i kondicion(d)erëve në ballinat e institucioneve administrative shtetërore, por edhe private.

Sigurisht, që shteti shqiptar të funksionojë ashtu siç funksionon, pra, me efektshmërinë e tij të pranishme apo të munguar, lypset që nëpunësit e tij, nga më të rëndësishmit deri te më anonimët, të kenë një minimum kushtesh për punë të dobishme, si për shembull, në dimër të mos kenë ftohtë dhe në verë të mos kenë vapë, sidomos tani që planeti po përjeton një ngrohje të përgjithshme përfundimisht të pandalshme.

Kështu, pra, nëpunësit në fjalë, duhet të kenë dhe kanë kondicion(d)erë, çka ua siguron, të paktën në 50 për qind të rasteve, përmbushjen e detyrës. Në këtë kuadër, pyetja që vjen e më përvëlon buzët më keq se zagushia asfiksuese është kjo: Po shqiptarët e tjerë, ata më të zakonshmit, a kanë të gjithë në vendet e punës, si edhe në shtëpi, kondicion(d)erë? Si ia bëjnë pensionistët dhe fëmijët e vegjël në veçanti, në këto ditë e net të padurueshme nga vapa torturuese? Po të sëmurët ? Po gratë shtatzëna? Oh, u kërkoj vërtet ndjesë lexueseve e lexuesve të ndjeshëm dhe, si pasojë e pashmangshme, të shqetësuar të këtyre radhëve, për klimën alarmiste që sapo krijova me radhët e mësipërme, por jam një mijë për qind i sigurt se autoritetet më të larta të shtetit të sotëm shqiptar janë po aq të shqetësuara sa vetë ata, në mos më shumë, për shëndetin e vaposur të mbarë popullatës.

Jam një mijë për qind i bindur se zoti Kryeministër, kur thërret në mbledhje ministrat, zoti kryetar i Kuvendit kur thërret në seancë plenare deputetët, zoti president i Republikës kur thërret këshilltarët e tij, çdo ministër kur thërret ekipin e tij ministror, zonjat e zotërinjtë kryebashkiakë, kur mbledhin Këshillin Bashkiak, gjëja e parë që bëjnë është shuarja e kondicion(d)erëve për një minutë vapë, etje dhe djersitje të bollshme si homazh për ato dhe ata që nuk kanë kondicion(d)erë në punë apo në shtëpi, apo në të dyja njëherësh.

Duke vepruar kështu, ata vrasin me një gur disa zogj: së pari, shpalosin me dhimbje e bujari empatinë e solidaritetin e tyre të paepur, të gjithanshëm e të gjithëkohshëm me masat e gjera punonjëse e sidomos ato të papuna në fshat e qytet, të cilat vuajnë nga vapa e pabesë; së dyti, kontribuojnë në kursimin e energjisë elektrike; së treti, i japin një mësim humanizmi opozitës së sotme, e cila, sa herë ka qenë në pushtet, kurrë nuk ka mbajtur një minutë heshtje, më falni, doja të thosha një minutë vapë, etje e djersitje në shenjë solidariteti me popullatën fatkeqe të papajisur me kondicion(d)erë.

Mjerisht, ky solidaritet i dëshmuar nga autoritetet tona të nderuara shtetërore, më kujton diktatorin Hoxha: një ditë ky kishte ftuar për drekë një anëtar të Byrosë Politike, të cilit, pasi hëngrën një pjatë të parë e një të dytë duke i shoqëruar me një kupë raki, i tha të merrte një mollë të madhe, të kuqe, “pe Korçe”, dhe teksa ky mori thikën për ta qëruar, diktatori, që kishte marrë edhe ai një mollë, u hodh e tha: “Eh, po si mund të ha unë një frutë të tillë, kur populli im nuk gjen në treg mollë pe Korçe?” Dhe, me lot në sy, e la mollën.

Kështu veproi edhe anëtari i Byrosë Politike (e si mund të vepronte ndryshe?), sigurisht për solidaritet edhe me popullatën, por kryesisht edhe me shokun Enver! Natyrisht, unë nuk po bëj asnjë aluzion keqdashës për t’i shtyrë lexueset e lexuesit e mi të dashur që të vendosin ndonjë lidhje sadopak të tërthortë midis bllokut PS-LSI në pushtet dhe diktatorit Hoxha, kjo për vetë faktin që ky i fundit e kishte fjalën thjesht për një mollë Korçe në një epokë kur popullata shqiptare nuk kishte aspak vapë dhe kondicionerit nuk ia dinte as emrin, kurse udhëheqësit e sotëm të shtetit shqiptar e kanë fjalën për kondicion(d)erë, të cilët nuk janë “pe Korçe”, për këtë jam një mijë për qind i bindur edhe unë që, para pjeshkave të Tiranës dhe mollëve të Korçës, nuk vë asnjë frutë tjetër sikur të më falin gjithë kondicion(d)erët e botës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura