Koncesioni i sallave të operacioneve, reagon MSH: Transparent dhe i konsultuar

Feb 24, 2015 | 13:13
SHPËRNDAJE

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar mbi akuzat e djeshme të Partisë Demokratike, duke thënë se me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, ka vendosur të përmirësojë rrënjësisht situatën problematike kronike të teknologjisë, instrumentave dhe sterilizimit në sallat kirurgjikale dhe në kabinetet kirurgjikale.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë

“Është detyra jonë të sqarojmë sërish opinionin publik dhe të hedhim poshtë shpifjen e rradhës së PD-së, lidhur me transparencën e plotë që ka shoqëruar të gjithë proçesin e prokurimit publik për “sigurimin e shërbimeve të integruara për ofrimin e set-it të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me materiale mjekësore sterile njëpërdorimshe në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe mjediseve ku do të ofrohet ky shërbim”.

Kështu, kjo proçedurë ka qenë transparente dhe e konsultuar, që nga momenti i konceptimit të saj në dhjetor 2013, studimit vijues paraprak të vlerësimit të situatës në të gjithë spitalet e vendit, konsultimit dhe komunikimit shkresor me të gjithë drejtuesit e shërbimeve kirurgjikale në shërbimet spitalore universitare, hartimit të dokumentacionit përkatës, siç janë studimi i feasibilitetit dhe hartimi i dokumentacionit standard të tenderit, duke vijuar së fundi me publikimin në portalin online të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), dhe njojftimin si proçedurë prokurimi publik ndërkombëtar në gazetën prestigjoze ndërkombëtare “Financial Times”, e premte, 13 shkurt 2015″, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Lidhur me koston financiare të këtij programi, MSH informon se, të dhënat e vitit 2013 për QSUT-në dëshmojnë se kostot operative të shpenzimeve mesatare për instrumenta kirugjikalë, sterilizimin e tyre, dezifenktimit të sallës, lëvrimit të veshjeve, si dhe kosto të tjera të lidhura me sallat operatore kirurgjikale për një operacion, me kushtet aktuale të, janë pothuaj të barabarta me atë çka ne synojmë të shpenzojmë me këtë projekt të ri.

“Projekti i ri, me të njëtin nivel shpenzimesh, përmban një investim fillestar në instrumenta kirurgjikale dhe makineri e pajisje me vlerë 1.6 miliardë lekë, dhe një riinvestim po me këtë vlerë në vitin 2022, i cili në fund të zbatimit të kontratës mbetet pronë e sistemit spitalor publik.

Atëherë, për çfarë proteston Opozita? Mos vallë po harxhohet më shumë? Jo, po mendohet të shpenzohet e njëjta sasi parash për të rritur sigurinë, cilësinë dhe shkallën e profesionalizmit të shërbimit kirurgjikal në vend.

Partneritetin publik privat ne e konsiderojmë si një rrugë të shpejtë dhe efektive për të realizuar investime madhore dhe të domosdoshme në shëndetësië, menaxhim dhe administrim efikas të mjeteve dhe burimeve, duke mbetur garant të cilësisë dhe sigurisë së shërbimit shëndetësor që ofrohet në spitalet tona publike”, thotë ministria.

Për MSH projekti i ri rrit sigurinë për mbrojtjen e jetës së pacientit, rrit cilësinë e shërbimit, ul kostot e shërbimit shëndetësor që burojnë nga infeksionet spitalore (ditëqëndrim dhe përdorim barnash materialesh mjekësore), i’u ofron kirurgëve shqiptarë mundësinë për të shprehur në maksimum aftësinë e tyre, e afron zbatimin e standardeve të BE-së për sterilizimin dhe materialet mjekësore njëpërdorimshe, rrit besimin e qytetarëve shqiptarë tek sistemi shëndetësor publik, përmirëson imazhin e shërbimit shëndetësor publik dhe të vendit tek vizitorët e huaj investitorë, apo turistë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura