Koncesioni i Karpenit/ PD-Ramës: Bëj transparencë

Jul 29, 2016 | 11:56
SHPËRNDAJE
Partia Demokratike, duke vijuar edhe sot me denoncimin për atë që ajo e quan afera e Ramës me 1700 hektarë në portin e Karpenit, i kërkon kryeministrit transparencë e llogari për koncesionin.
tabaku
Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-se, Jorida Tabaku ka akuzuar kryeministrin se po e fluturon pasurinë e shqiptarëve sa në Londër sa në Singapor nëpër kompani fantazëm.
“1700 hektarë tokë në zemër të vendit, në një prej zonave më të kushtueshme, i fluturoi Edi Rama me një të rëndë të lapsit sa në Londër, sa në Singapor, nëpër kompani fantazëm, dhe sot që flasim askush nuk e di se cilin bëri shefi i rilindjes pronar të kësaj pasurie të shqiptarëve. Një projekt i dyshimtë, në mungesë totale transparence”- tha ajo.
Sipas saj, fillimisht, Edi Rama ia dha këto 1700 hektarë kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd”, me qendër në Britani, e cila rezultoi me një kapital prej 100 paundësh. Ia dha kompanisë me 100 paund, me ca copa letrash ku flitej për ndërtimin e një kompleksi laraman, me lloj lloj objektesh të planifikuara aty.
Tabaku theksoi se kompania 100 paundëshe, sipas Edi Ramës do na investoka 5 miliardë dollarë në Karpen, aq sa gjysma e produktit të brendshëm bruto.
“Nga ana tjetër, qeveria nuk tregon se në cilin plan territorial është mbështetur, në cilin plan zhvillimor është menduar, ku është studimi i feasibilitetit dhe ku është projekti duke shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit. Por më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. E njëjta skemë si me koncesionin e TVSH që opozita kundërshtoi dhe detyroi q everinë të tërhiqej”- tha ajo.
Sipas Tabakut, ky së bashku me Koncesionin e Rrugës së Kombit, është një skandal mbi skandalet në përmbledhjen e gjatë të abuzimeve 3 vjecare të Edi Ramës.
Në emër të PD-së, Tabaku kërkon nga Rama transparencë e të japë llogari për këtë rast.
“Partia Demokratike do të vendosë para ligjit autorët e do të vazhdojë të denoncojë këtë koncesion korruptiv e këtë zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, si shumë afera të tjera të kësaj qeverie e oligarkëve të saj!”- tha ajo.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura