Koncesionet, Leskaj: Rregullore të re për auditin e kontratave

Jun 22, 2016 | 14:01
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit do të ndryshojë rregulloren për kontrollin e koncesioneve, duke e orientuar auditin sipas një drafti të ri të mbështetur në standardet ndërkombëtare.

Kreu i KLSH,Leskaj
Kreu i KLSH,Leskaj

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, dje në ditën e dytë të konferencës “Analiza e riskut”, informoi se auditi i koncesioneve do të kryhet sipas direktivës së Bashkimit Europian, e përshtatur në një rregullore të re për KLSH-në.

“Ne kemi përgatitur një draft të ri për auditin e koncesioneve, sipas direktivës së Bashkimit Europian të vitit 2015 për koncesionet, e cila do të përafrohet në draftin e ri. U kërkoj audituesve të jenë aktivë dhe të bëjnë sugjerime për të përmirësuar kontrollin e koncesioneve, në mënyrë që të jemi të qetë me detyrën dhe përgjegjësinë që kemi ndaj taksapaguesve”, u shpreh Leskaj.

Gjatë konferencës, drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, Zef Preçi, ngriti shqetësimin e mungesës së transparencës dhe koston e lartë që shkaktohet në buxhet.

“Ekziston një hendek i gjerë mes perceptimeve dhe pritshmërive të qeverisë dhe sektorit privat në lidhje me rrezikun, si dhe mungesa e qartësisë rreth objektivave të qeverisë dhe angazhimit politik. Po ashtu, transparenca e pamjaftueshme dhe konkurrenca çon në kosto të lartë të transaksioneve, si dhe mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor rregullator”, u shpreh Preçi.

Për të zvogëluar riskun në buxhet nga kontratat koncesionare dhe ulur korrupsionin, Preçi rekomandoi hartimin e një plani 3- vjeçar.

“Për të reduktuar riskun nga kontratat koncesionare dhe ulur korrupsion, qeveria dhe pushteti vendor duhet të hartojnë një plan trevjeçar për koncesionet, i cili të administrohet nga Ministria e Financave. Ky plan të reflektohet në planin e të ardhurave të buxhetit dhe zbatimi i planit të jetë subjekt i auditit të KLSH-së me programe të veçanta mbi bazën e analizës së riskut”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura