Koncerte “live” nga shtëpia, muzikanti shkodran rrëfen prapaskenat: Realizimi mjaft i komplikuar, secili artist e regjistron …

Apr 5, 2020 | 13:37
SHPËRNDAJE

KLOTILDA HARKA/ Muzikanti i njohur shkodran, Mario Deda, po e bën të pamundurën të mundur, në këtë kohë karantine ku të gjithë janë të izoluar në shtëpitë e tyre, me shpresën që kjo “ëndërr” e keqe të marrë fund.

E ka titulluar “Quarantine Live Session” serinë e koncerteve, ku në një ekran sinkronizohen në mënyrë precize djemtë e orkestrës dhe këngëtari, duke realizuar recitalin e ditëve të vështira, por që do të kujtohen gjatë.

Për idenë artistike që i lindi si një dritë në fund të tunelit, mënyrën e realizimit të këtij sezoni, fluksin e këngëtarëve që duan të bëhen pjesë, batutat në videocall me babain, Zef Deda, dhe vëllain, Julianin, dhe ditët që po kalon pranë familjes, Mario i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.


Koncerte me orkestër nga shtëpia, si të lindi ideja për një projekt kaq interesant në kohë karantine?
Mario Deda: Vetë pyetja e ka një pjesë të madhe të përgjigjes. Pas 4-5 ditëve të para të karantinës, si duket nga reflektimi i tepërt, më erdhi kjo ide dhe menjëherë kontaktova djemtë instrumentistë që janë bashkëpunëtorë të mi, të cilët dua t’i falënderoj pa masë për vullnetin dhe aftësitë e tyre të mrekullueshme. Më lejoni t’i përmend emër për emër: Fatlind Dehiri në bateri, Franci Fjerca në kitarë bas, Shkëlqim Dule në kitarë dhe Arbër Kocllari në synth. Më tej bisedova me Eneda Tarifën, të cilën e falënderoj shumë, si shoqe të mirë që e kam dhe si këngëtare virtuoze që është, për të bërë një pilot të kësaj nisme. Ajo pranoi me shumë kënaqësi, e kështu rezultoi e suksesshme. Dhe ja ku jemi!

Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar deri tani dhe cilët janë këngëtarët që do japin koncert në vazhdim?

Mario Deda: Deri tani janë realizuar “6 Quarantine Live Session”. Eneda Tarifa “Ma zgjat dorën”; Anjeza Shahini (Rrjedh në këngë e ligjërime); Marsela Çibukaj (Grimca dashurie), Besa Kokëdhima (C’est la vie), Era Rusi (Rrisim jetën tonë) dhe Renis Gjoka (A do të vish). Për në vazhdim di të them që ka një fluks shumë të madh kërkesash nga artistë të ndryshëm, por duke marrë parasysh procesin e komplikuar që ka realizimi i këtij produksioni, nuk mund të jap të dhëna paraprake. Gjithçka do të publikohet në momentin që përfundon realizimi.

 

 


View this post on Instagram

@renisgjoka @arberkocllari @francifjerca @cimidule @fatlinddehiri @klanifornia ????? #quarantinelivesession

A post shared by Mario Deda (@mariodeda) on

E pranojnë këngëtarët ftesën menjëherë, apo ka nga ata që hezitojnë? Mario Deda: Deri tani, ata artistë që kam kontaktuar, kanë pranuar me shumë kënaqësi. Pra, s’di të them për hezitim. Një pyetje që lind natyrshëm është se si realizohet teknikisht një koncert i tillë virtual? Mario Deda: Realizimi është goxha i komplikuar. Ka një proces profesional dhe teknik më shumë precizon, se përndryshe nuk sinkronizojmë. S’po u hyj detajeve teknike se ngatërrohet më shumë përgjigjja pastaj. Po shkurt, pasi zgjedhim këngën dhe i shkruaj partiturën, secili luan rolin e vet LIVE në këngë dhe e regjistron me celular zërin dhe figurën. Çfarë projekti tjetër ke menduar deri në daljen nga karantina? Mario Deda: Kjo që po bëjmë ka volum mjaft të madh pune, ndaj edhe besoj del dhe tepron. Sikurse shpresoj që të mos zgjasë aq shumë kjo situatë e vështirë që po kalon shoqëria jonë dhe mbarë bota. A mund ta kthesh këtë sezon koncertesh në fitimprurës?  Mario Deda: Të jem i sinqertë, e kam menduar dhe mbi të gjitha që të ketë një formë motivimi për secilin prej bashkëpunëtorëve të mi, gjithashtu edhe për vete. Të prodhohen disa materiale vullnetarisht nuk do të ishte problem për askënd, por të përballosh një fluks kërkesash të shumëllojshme artistësh të ndryshëm, ku dikush e sheh si mjet promocioni edhe këtë gjë, mendoj që do duhet të vendos një rregullator ekonomik të drejtë.     


Ti personalisht me kë po e kalon karantinën dhe a shkëmbeni ndodhi humori me babain dhe vëllain, aktorët e njohur Zef dhe Julian Dedën?

Mario Deda:  Unë po kaloj me bashkëshorten time, Enxhin, vajzën dhe djalin tonë, Emën dhe Domenikun. Gjatë kësaj periudhe po kuptoj që kam shpenzuar shumë kohë me gjëra aspak të rëndësishme në këmbim të vëmendjes ndaj familjes sime të çmuar. Me babin dhe Julin flasim me videocall çdo ditë. E sigurt që batutat dhe humori nuk ka të sosur në këto biseda. Por po na merr malli të takohemi.

Për një artist krijues, karantina është frymëzim për të krijuar apo shterim?

Mario Deda: Rrethanat ekstreme prodhojnë gjithmonë, si të thuash, reagime ‘ekstreme’. Mund të ndodhë që të ketë shterim ekstrem të ideve apo krijimtarisë artistike, por mund të ndodhë krejtësisht e kundërta. Madje, kjo e dyta ka precedentë shumë.

Muzika që rekomandon si “shëruese” për këto ditë izolimi?

Mario Deda:  Të gjitha llojet, mjafton që dëgjuesi ta konsiderojë të bukur.

Plani që ke bërë për ta realizuar pas daljes nga karantina?

Mario Deda: Nuk mendoj se duhet të ecim me planifikime të mëdha, siç po na mëson edhe kjo situatë. Unë një gjë kam të sigurt, do të vazhdoj të merrem me muzikë. /Panoramaplus.al

 

 

View this post on Instagram

@era_rusi_official @fatlinddehiri @francifjerca @arberkocllari @cimidule @klanifornia ???? #quarantinelivesession

A post shared by Mario Deda (@mariodeda) on

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura