“Komunistët ia prenë kokën xhaxhait tim e ia hodhën në greminë”/ Dëshmia makabre për fatin e major Gjergj Vatës, eshtrat e tij u gjetën nga amaneti që kishte lënë para vdekjes…

Sep 4, 2021 | 8:27
SHPËRNDAJE

gjergj vata 2021-09-04T082517.472

Dashnor Kaloçi

Rrëfimi i ish ndihmës-mjekut Kel Vata, për historinë tragjike të xhaxhit të tij, Gjergj Vata, ish komandant i Shkodrës dhe nënkryetar i Komitetit të Maleve, të cilin e kishin vrarë njerëzit e Sigurimit në vitin 1946 dhe pasi e kishin grabitur, i kishin prerë kokën me sëpatë dhe ia kishin hedhur në greminë.

Gjetja e eshtrave u bë e mundur pasi Prenush Nika nga Shllaku, i kishte thënë Gjelosh Dodës: “Unë po des, po dua me të lënë një amanet, që do ma mbajsh sekret të madh se e kam brengë në shpirt. Në qoftë se vjen ndonjëherë koha dhe Gjergj Vata, ka njeri të gjallë, m’i thoni se këtu në kët vend kam varros me duart e mia atë burrë trim”

Vetëm aty nga fillimi i vitit 1991 kur po shembej regjimi komunist, unë fillova që të interesohesha për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim, major Gjergj Vatës, ish Qarkomandantit të Shkodrës. Pas shumë kërkimesh, me ndihmën e disa miqve të mi në zonën e Dukagjinit, unë arrita që t’ia gjej vendin ku e kishin groposur në zonën e Shllakut. Por kur e hapëm varrin, mundëm të gjenim vetëm eshtrat e trupit, sepse kafka e kokës mungonte krejtësisht”.

Dëshmon për atë ngjarje tragjike, Kel Vata, ish ndihmës mjek në qytetin e Shkodrës, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbshme të familjes së tij dhe xhaxhait, major Gjergj Vatës, ish-Komandant i Qarkut të Shkodrës që u vra dhe u masakrua në mënyrën më barbare, nga forcat e Sigurimit të Shtetit në vitin 1946.

Familja Vata nga Temali

Djali i madh, Kola, i cili u lind në vitin 1900-të, pasi mbaroi Kolegjin Saverian, hyri në punë tek disa tregtarë të mëdhenj të qytetit të Shkodrës. Në qershorin e vitit 1924, Kola u mobilizua si ushtar në forcat fanoliste të udhëhequra nga Rexhep Shala, duke u caktuar në batalionin e komanduar nga Vas Kiri.

Gjatë marshimit që bëri ai repart për në Tiranë (më 8 qershor 1924) me qëllim për të rrëzuar Qeverinë e Shefqet Vërlacit, Kola, mbeti i vrarë në një përpjekje me forcat qeveritare në fshatin Balldre të Lezhës. Që nga ajo kohë dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, familja e Vat Gjeloshit, mbeti në një armiqësi të përhershme me Mbretin Zog. Pas vrasjes së Kolës, djali tjetër i Vat Gjeloshit, Gjoni, mbeti në shtëpi për t’u kujdesur për problemet e familjes, ndërsa Gjergji, mbaroi gjimnazin e fretënve “Ylliricum” në qytetin e Shkodrës. Ndërsa djali i vogël i familjes, Lorenci, pasi mbaroi Kolegjin Saverian, të qytetit të Shkodrës, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, punoi si nëpunës në administratën vendorë të Prefekturës së Shkodrës, nga ku mundi që të fitonte një të drejtë studimi për të studiuar në universitetin e Bolonjës në Itali.

Gjergji, në Akademinë e Torinos

Pas mbarimit të Kolegjit Françeskan në vitin 1929-të, Gjergj Vata, mundi që të fitonte një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta, në Akademinë ushtarake të Torinos në Itali. Lidhur me këtë, nipi i tij Kel Vata, dëshmon: “Të drejtën e studimit për të studiuar në atë akademi ushtarake, axhës Gjergj, ia nxori Ministri i Arsimit i asaj kohe, Hil Mosi, vetëm pas ndërhyrjes së Padër Gjergj Fishtës, i cili e kishte pasur Gjergjin, nxënësin më të mirë në Liceun Françeskan. Në Akademinë e Torinos, Gjergji studioi për pesë vite në degën e Artilerisë, të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1937, duke marrë gradën e nëntogerit.

Pas dhënies së diplomave, Komandanti i asaj Akademie e thërriti Gjergjin në zyrën e tij dhe i tha: “Zoti Vata, ti ke mbaruar me nota të shkëlqyera, por atdheu i juaj, Shqipëria, është një vend i varfër dhe nuk ka para për t’ju paguar. Po të doni mund të qëndroni në Itali, ku ju do të keni një karrierë të shkëlqyer ushtarake dhe pagesë të lartë”. Pas atyre fjalëve, Gjergji iu përgjigj: “Zoti Gjeneral, unë jam shqiptar dhe nuk kam ardhur për të qëndruar në Itali, por do të kthehem dhe do të shërbej në vendin tim, duke marrë parasysh çfardolloj sacrifice”.

Dhe atë fjalë ai e bëri realitet, duke u kthyer në Shqipëri në gushtin e vitit 1937, ku Mbreti Zog i ofroi disa detyra ushtarake, në reparte të ndryshme. Por ai nuk pranoi që të shërbente në radhët e Ushtrisë Mbretërore, duke thënë se nuk mund t’i shërbente atij njeriu, që ishte bërë shkak për vrasjen e vëllait të tij, Kolës, në qershorin e vitit 1924. Pas kësaj me ndërhyrjen e disa miqve të tij në qytetin e Shkodrës, axha Gjergj, pranoi të merrte detyrën e Kryetarit të Komunës së Shllakut, ku ai shërbeu nga viti 1938-të deri në vitin 1941. Gjatë asaj periudhe, përveç detyrës së Kryetarit të Komunës, Gjergji, u mor dhe me pajtimin e konflikteve të ndryshme dhe pajtimin e gjaqeve, që kishin malësorët e asaj zonë të thellë në skajin më verior të Shqipërisë”, kujton Kel Vata, lidhur me xhaxhain e tij, Gjergjin.

Major Gjergj Vata, qarkomandant i Shkodrës

Në vjeshtën e vitit 1941, pasi Gjergj Vata kishte punuar për afro katër vite në Komunën e Shllakut, ai u thirr pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare në Tiranë, ku u njoftua se ishte caktuar oficer me gradën e togerit, në garnizonin e Kukësit, ku do të kryente detyrën e Komandantit të Batalionit në fshatin Bicaj. Lidhur me këtë, Kel Vata tregon: “Gjatë asaj kohe që axha Gjergj, u caktua në Bicaj të Kukësit, me inisiativën e tij dhe me miratimin e komandës eprore, ai hapi dy kurse gjashtë-mujore për trajnimin e oficerëve dhe nënoficerëve rezervistë të asaj Prefekture. Nisur nga puna e mirë që bëri në atë repart, në pranverën e vitit 1942, Komanda e Përgjithshme e transferoi atë në qytetin e Shkodrës, duke e emëruar me detyrën e zv/komandantit të Rrethit dhe i dha gradën e kapitenit.

Në fundin i muajit shtator të vitit 1943, Gjergjit, iu komunikua dhënia e gradës së Kapitenit të Parë dhe u caktua me detyrën e Rreth-komandantit të Shkodrës, duke i pasur zyrat në godinën e Prefekturës së atij qyteti. Gjatë asaj kohe tepër të turbullt, Gjergji, me gjithë efektivat që kishte nën komandë, u mundua që të ruante rendin dhe qetësinë e qytetit të Shkodrës, që kishte mjaft probleme, ku ai i shpëtoi për mrekulli një atentati që i kurdisën njësitet guerile të qytetit. Aty nga mesi i shtatorit të vitit 1944, Gjergjit iu dha grada e majorit dhe u caktua me detyrën e Qark komandantit të Shkodrës. Gjatë asaj kohe, ai pati disa konflikte me komandën gjermane që ishte në qytetin e Shkodrës, pasi disa herë kishte ndërhyrë për lirimin nga burgu, të disa komunistëve të arrestuar.

Një prej tyre ishte edhe një djalë i ri 16-vjeçar, nga fshatrat e Kukësit, i cili u kap nga patrulla gjermane. duke ngjitur trakte më 15 nëntor të vitit 1944. Pas kapjes nga gjermanët, nëna e tij shkoi në shtëpinë e Gjergjit dhe i tha gjyshes sonë: ‘Në besë të zotit, i thuaj djalit tënd, major Gjergjit, që të ma shpëtojë atë djalë, të vetëm që e kam dritën e syve’. Pas kësaj axha Gjergj, shkoi në komandën gjermane dhe i tha majorit Hauzding, që ta lironte atë djalë, sepse ishte gënjyer prej komunistëve. Komandanti gjerman nuk pranoi ta lironte duke i thënë se ai kurrsesi nuk mund t’i shkelte ligjet e luftës. Pas refuzimit të oficerit madhor gjerman, debati u ndez i ashpër dhe axha Gjergj, duke vënë dorën në brez i tha: ‘Zoti major, ju nuk mund t’i shkelni ligjet e Luftës, por as unë nuk mund t’i shkel traditat dhe zakonet e shqiptarit, kur miku më ka rënë në besë. Njeri prej nesh nuk del i gjallë nga kjo zyrë pa u liruar ai djalë”, kujton Kel Vata lidhur me debatin e oficerit gjerman me major Gjergj Vatën.

Major Gjergj Vata, nënkryetar i Komitetit të Maleve

Detyrën e Qarkomandantit të Shkodrës, major Gjergj Vata, e mbajti deri në 28 nëntorin e vitit 1944, kur partizanët e Enver Hoxhës, hynë triumfatorë në atë qytet. Në mëngjesin e 27 nëntorit 1944, Gjergj Vata, mori pjesë në një takim, që bënë krerët nacionalistë në godinën e Prefekturës së qytetit, ku u ndanë në dy grupe: ata që do të luftonin në male kundër forcave komuniste dhe ata që do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Lidhur me këtë dhe veprimtarinë e mëtejshme të major Gjergj Vatës, nipi i tij Keli, tregon: “Axha Gjergj, i pati të gjitha mundësitë që të largohej nga Shqipëria, ashtu siç bënë shumë eksponentë të tjerë nacionalistë, por ai nuk pranoi që të ikte, duke thënë se do të rrinte në Shqipëri, për të luftuar komunizmin, deri sa të kishte frymën gjallë. Në ditët e fundit të muajit nëntor të 1944-ës, Gjergji, u bashkua me forcat e Mark Gjonmarkajt që përbëheshin prej 1000 personash dhe bashkë me shumë krerë të tjerë nacionalistë si Halil Alia, Pashuk Bib Mirakaj, Gjeneral Prenk Përvizi, kapiten Gjergj Lula, etj u largua nga qyteti për në drejtim të Malsisë së Dukagjinit.

Ato forca të armatosura antikomuniste ranë disa herë në përpjekje me repartet e ndjekjes, duke shkaktuar viktima të shumta, nga të dy palët. Përpjekja e parë u bë me 5 dhjetor të vitit 1944, në Shkëmbin e Rajës në zonën e Nikaj-Mërturit, ku pas disa orë luftimesh, mbetën të vrarë shumë partizanë e nacionalistë. Pas kësaj beteje, të gjithë krerët nacionalistë, me forcat që komandonin u ndanë në zonat e tyre dhe Gjergji, u strehua në Malësinë e Dukagjinit. Në Shkurtin e vitit 1945, ai mori pjesë në takimin që krerët nacionalistë të rezistencës antikomuniste bënë në Orosh të Mirditës, ku krijuan dhe organizatën “Komiteti i Maleve”.

Në atë mbledhje Gjergji, u caktua me detyrën e nënkryetarit të atij Komiteti dhe kryetar për nënprefekturën e Dukagjinit. Lidhur me veprimtarinë antikomuniste të Gjergj Vatës në atë kohë, ka shkruar dhe ish-Drejtori i Sigurimit të Shtetit Rakip Beqa, në librin e tij “Veprimtaria e armiqësore e Klerit Katolik 1944-1972”, ku midis të tjerash thuhet: “Ndërsa në letrën që Gjergj Vata, kryetar i kësaj bande i dërgonte Argjipeshkvit të Durrësit, Vinçens Prendushit, shkruhet:

‘Malci e Veriut. 4. I.1946. Shkëlqesë, Në emën të gjithë atyne që ende mbajnë flamurin e nacionalizmit shqiptar ndër malet e Dukagjinit, ju drejtohem me këtë shkresë: Ç’prej nandorit të vitit 1944, elementët ma të spikatun në këtë krahinë, tue mos dashtë me ju nën shtrue terrorit të qeverisë së Enver Hoxhës, morën arratinë. Gjatë kësaj kohe, ndonëse të ndjekun e të persekutuem, u munduem me mbajt nalt moralin e popullit, organizuem çeta të mbrendshme dhe të jashtme, u ndërlidhëm me të gjithë të arratisunit e vendit, me nji fjalë u përgatitëm për t’ju përgjigj zanit të atdheut, i cili besojmë që së shpejti do të na thërrasë, për t’i dhanë grushtin e fundit qeverisë ma terroriste që njeh historia jonë. Ju siguroj se të gjitha krahinat e Veriut, janë lidhe dhe ndihmue prej aleatëve dhe prej K.Q. të Tiranës, ndërsa ne për mungesë të një lidhjeje, kena mbetë krejt mbas doret’. Me konsideratat ma të nalta. Major Gjergj Vata.

Sipas ish-Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, kjo letër e Gjergj Vatës, iu dha anëtarit të bandës së tij, Martin Sheldisë, i cili mundi që të hynte ilegalisht në Shkodër, deri në rezidencën e Provincialit Françeskan, Padër Mati Prendushi, dhe mundi që t’ia dorëzonte në dorë duke i thënë që ta niste pa vonesë për tek Vinçens Prendushi në Durrës”.

Vrasja tragjike në 1946-ën

Nga viti 1944, kur doli në arrati e deri në dhjetorin e vitit 1946, Gjergj Vata qëndroi i strehuar në male, në zonën e Dukagjinit, duke organizuar rezistencën antikomuniste. Në shenjë hakmarrje ndaj tij, komunistët i arrestuan vëllanë, Lorencin, të cilin në fillim e dënuan me vdekje dhe më pas ia falën jetën dhe ai bëri 25 vjet burg. Në ato vite Gjergj Vata, veprimtarinë e tij e kryente në zonat Shllak-Pult-Nikaj-Mërtur të Zonës së Dukagjinit, por vendi më i qetë ku ai rrinte vazhdimisht, ishte fshati Pog i Pultit. Lidhur me këtë, Kel Vata tregon:

“Ndër familjet kryesore që e strehonin dhe e mbanin me bukë Gjergjin, ishin ato të Gjon Ndue Pukës dhe Gjon Pjetrushit në Shllak, të cilëve komunistët ua dogjën shtëpitë dhe i kalbën nëpër burgje. Po kështu korrieri i tij ishte Gjergj Ndoja nga Pogu, i cili vdiq në torturat e Sigurimit, pa treguar asgjë për të. Gjatë asaj kohe, ai Gjergji ra disa herë në përpjekje me forcat e Sigurimit, ku iu vranë apo u kapën të gjallë disa nga miqtë e tij të ngushtë si Ndoc Jakova, Padër Anton Harapi, Dom Alfons Tracki, Lef Nosi etj.

Ndonëse ai mbeti krejt i vetëm, nuk pranoi që të arratisej jashtë edhe pse misionet anglo-amerikane i ofruan largimin me avion të posaçëm.

Në atë kohë Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, gjeneral Zoi Themelit, i shkonin shumë informacione rreth zonave ku strehohej Gjergji, por asnjëherë forcat e ndjekjes nuk binin dot në gjurmët e tij. Pas kësaj në një mbledhje me shefat kryesorë të Degës, Zoi Themeli u shpreh: “Nuk më duhen më raporte të kota, se ku fshihet Gjergj Vata, mua më duhet koka e tij. Ky është raporti i fundit që pres prej jush”. Disa ditë më vonë, më shtatë dhjetor të vitit 1946, tre persona të paguar nga Sigurimi, mundën ta vrisnin pas shpine Gjergjin, teksa ai ishte duke kaluar në zonën e Shllakut, për në Shpellën e Shkëmbit të Kuq, ku fshihej në atë kohë.

Për vrasjen makabre të Gjergj Vatës, u mbajt një heshtje e madhe dhe familja jonë atë gjë e mësoi vetëm tre katër vjet, më vonë, aty nga fundi i vitit 1950-të. Pas vrasjes, nëna e Gjergjit, Sosja, u internua në Berat, kurse familjen tonë e internuan në Tepelenë. Si rrethanat e vrasjes, ashtu dhe gjetja e kufomës së tij, për mua dhe gjithë familjen tonë, mbetën një peng i madh, i cili më mundoi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku nuk kishim asnjë lloj mundësie që t’i kërkonim ato. Vetëm aty nga fillimi i vitit 1991 kur po shembej regjimi komunist, unë fillova që të interesohesha për gjetjen e eshtrave të tij dhe pas shumë kërkimesh, me ndihmën e disa miqve të mi në zonën e Dukagjinit, arrita që të gjeja vendin që kërkoja.

Atë gjë na i tregoi Gjelosh Doda, të cilit në vitin 1985, Prenush Nika nga Shllaku, i kishte thënë: “Unë po des, po dua me të lënë një amanet, që do ma mbajsh sekret të madh, se e kam brengë në shpirt. Në qoftë se vjen ndonjëherë koha dhe Gjergj Vata, ka njeri të gjallë, m’i thoni se këtu në kët vend, kam varros me duart e mia atë burrë trim”. Pas kësaj në tetorin e vitit 1993, unë me Kol Gjokën, Gjelosh Dodën e të birin e tij Toninin, shkuam dhe filluam gërmimet, atje ku na tha Gjeloshi. Por për çudinë tonë aty mundëm të gjenim vetëm eshtrat e trupit, sepse kafka e kokës mungonte krejtësisht”, e përfundon rrëfimin Kel Vata, lidhur me gjetjen e eshtrave të xhaxhit të tij, Gjergj Vatës, të cilin e kishin vrarë njerëzit e Sigurimit në vitin 1946./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura