Komunikimi, kë të besojmë?

Nov 19, 2017 | 13:34
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

Risitë nga ideologjia e pushtetit nuk janë për të përmirësuar mendimet, por vetëm lajkat. Ideologjia në pushtet nxit shumë pak dhe vjen duke u bërë përherë e më e mërzitshme”, shkruante Honore de Balzak, duke përshkruar kështu një definicion që në vitet e mëvonshme, sidomos me zhvillimin e komunikimit të gjithanshëm, ka ardhur jo vetëm duke u qartësuar, por edhe duke u përkeqësuar.

baci agim

Studiuesi i komunikimit, filozofi kanadez Marshall McLuhan, parashikonte se, me përhapjen e madhe të komunikimit do të kemi të bëjmë me fenomenin e të zhdukurit të mendimit kritik në shoqëri, çka i hap rrugën krijimit të turmave imituese. Sipas McLuhan, fuqia e ideologjisë në pushtet nuk qëndron te forca e saj njohëse ndaj fenomeneve, por tek aftësia për të nxitur e të ndezur anët e errëta të natyrës njerëzore.

Parë në këtë këndvështrim, me shumë të drejtë, mjaft qytetarë mund të pyesin: Po kujt duhet t’i besojmë në atë çka dëgjojmë? Përgjigjet për këtë pyetje nuk janë vetëm dytri, e as të lehta. Kjo edhe për faktin se politika ka nxitur prej kohësh përfshirjen e qytetarëve në qeverisje, e cila nuk është veçse një përpjekje për t’i kthyer qytetarët në zgjatim të propagandës, e njëkohësisht për të fituar aprovimin e tyre, të paktën për njëfarë kohe. Kjo lojë e bashkëqeverisjes bëhet edhe më prezente sidomos kur qeveria ka nevojë të fitojë kohë lidhur me marrjen e disa vendimeve që mund të hasin kundërshti nga ekspertët e fushës.

Zgjerimi i komunikimit të sotëm, duke i përfshirë thuajse të gjithë, sidomos ata që japin spektakle, nuk ka në qendër të vëmendjes kulturën, por instinktet, epshin, egon, dhe nevojën për t’iu shmangur anonimatit. Bota sot po sheh në ekrane apo portale fenomene të cilat, për shekuj me radhë, i ka konsideruar si “vetëm familjare”, apo “vetëm të një komuniteti”. Kësaj panorame, ku më së shumti nxiten anët më të errëta të natyrës njerëzore dhe jo kulturimi i tyre, i ka paraprirë largimi i librit dhe përhapja e gjerë e televizionit dhe portaleve “rozë”, të cilat, në vend të nxitjes së mendimit kanë argëtimin dhe vdekjen e mendimit individual. Shqiptarët, të paktën për 45 vite kanë qenë ndoshta modeli më i përdorur ideologjik, edhe pse komunikimi ka qenë në nivele banale.

Megjithatë, ideologjia komuniste përdori letërsinë, kinemanë dhe çdo formë tjetër komunikimi për të ndërtuar një realitet të ri – realitet që duket se nuk e zhbëmë dot edhe pas shumë vitesh në pluralizëm. Ndaj, në shoqërinë shqiptare është më e lehtë të besohet gënjeshtra, ashtu siç e kishte parashikuar Xhorxh Oruell në romanin “1984”, se në vende ku montohet diktatura, gënjeshtra është disa hapa përpara të vërtetës.

“Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar. E gjithë kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin që gënjeshtra është gjithnjë një hap përpara së vërtetës”, shprehej Oruell në romanin “1984”, teksa përgatitej “Ministria e së Vërtetës” e shumë institucione të tjera të ngjashme të cilat kishin vetëm një qëllim- të krijonin njeriun e ri që besonte atë që i thuhej.

Dhe institucionet që vuajnë edhe sot nga mungesa e identitetit, përfshi dhe Akademinë apo institucione të tjera arsimore, janë në këtë stad nga fakti se një pjesë e anëtarëve apo drejtuesve të tyre kanë qenë mbrojtës apo pjesëtarë të “Ministrisë së të Vërtetës” që krijoi sistemi i shkuar, duke i lënë ata vetëm në pushtetin e bindjes dhe jo mendimit. Në këtë projekt të shpëlarjes së trurit, Enveri përdorte gjoja dhënien e autoritetit masave (“Ç’do populli, bën Partia!”) duke krijuar një gënjeshtër gjigante me të cilën mbante gjallë strukturën e manipulimit.

Ashtu siç edhe sot, pushteti u krijon idenë qytetarëve se mund të jenë në bashkëqeverisje, duke u zgjuar atyre anët e errëta të komunikimit, që kanë të bëjnë sidomos me denigrimin e tjetrit dhe me dëshirën për të parë tjetrin sa më afër dëshirave dhe botës së tij, e jo si një pasqyrë që i tregon atij jetën dhe mendimet e gabuara. Atëherë, nëse situata është kaq e errët, sërish duhet të pyesim: Kujt duhet t’i besojmë?

A ka shpresë, kur pas zgjimit të anëve të errëta të njeriut kemi të bëjmë me kalimin në dekurajim? Njerëzimi ka në historinë e vet kohë të errëta, por që ka mundur t’i kapërcejë. Por kapërcimi nuk ka qenë i mundur pa u mbështetur më parë tek institucione morale, që e kanë bazën në besim, që i japin më shumë arsye bindëse njeriut se përse duhet të mendojë mirë dhe bëjë mirë.

Një nga rrugëtimet është libri, që i fton lexuesit në meditim, që i fton në procesin e të menduarit vetë, duke u larguar plogështinë që krijon pafundësisht konsumizmi. Libri është ftesë për liri, dhe jo thjesht argëtim. Njerëzit që besojnë se mund të jenë të lirë kanë më pak gjasa që të jenë viktima të manipulimit, i cili çdo ditë shton dozat e krijimit të një realiteti të bazuar në instinkte. Sidomos sot, kur qeveritë janë të fokusuara tek ajo që mendojnë qytetarët, është me rëndësi që ndryshimi të nisë nga debati mbi moralin, që më pas kthen kurajën, e cila është motor për ndryshim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura