Kompensimi, tri kategoritë që marrin shtesë 648 lekë/muaj

Jan 20, 2016 | 8:48
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri ka më shumë se 600 mijë pensionistë, por vetëm rreth 85 mijë prej tyre mund të marrin kompensim për energjinë elektrike.

Bëhet fjalë për kompensimin e vendosur një vit më parë nga qeveria për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Në total, qeveria u shton kryefamiljarëve pensionistë 648 lekë në muaj në pensionin e tyre. ISSH sqaron se ata pensionistë që e kanë bërë deklarimin gjatë vitit të kaluar, nuk do të duhet të paraqesin dokumente shtesë.

Pensionet

Mjafton të sjellin çdo 6 muaj librezën e energjisë elektrike, për të vërtetuar se janë pagues të rregullt të dritave. Por janë të paktën 40 mijë persona të tjerë, që dalin në pension gjatë një viti, të cilët mund të përfitojnë nga kompensimi i energjisë. Kushtet janë të qarta dhe të përcaktuara me vendim qeveria.

PENSIONISTËT Nga janari i vitit të kaluar, çmimi i dritave u unifikua në 9.5 lekë/kwh, dhe u hoq fasha prej 7.7 lekë/kwh për 300 kilovatët e parë të konsumit. Për të mbrojtur shtresat në nevojë, qeveria vendosi të kompensojë me 648 lekë në muaj të gjithë pensionistët që nuk kanë të punësuar në familjen e tyre.

Pra çdo pensionist duhet të plotësojë një formular, të cilin gazeta po e boton sot të plotë. Krahas tij, duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit: fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; certifikatën familjare për invalidët; fotokopje të kontratës së furnizimit me energji elektrike, e cila është në emër të kryefamiljarit, e vërtetuar me firmën e pensionistit; fotokopje e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Normalisht, duhet që kryefamiljarët të paraqesin edhe vërtetim nga Zyra e Punës ku tregohet se anëtarët madhorë të familjes janë punëkërkues të papunë. Por ky kusht u hoq vjet dhe punësimi i familjarëve vërtetohet vetë nga zyrat e punës. Në këtë mënyrë, të gjithë pensionistëve të rinj, ose ata që gjatë këtij viti plotësojnë kushtet e mësipërme, u lind e drejta të kërkojnë kompensimin 648 lekë/muaj për energjinë.

Pra, në rast se një kryefamiljari pensionist i largohet djali ose vajza nga puna, atëherë atij i lind e drejta të marrë kompensimin 648 lekë në muaj. ISSH sqaron se pensionistët kryefamiljarë me pension fshati dhe që jetojnë në fshat nuk e përfitojnë këtë lloj kompensimi. Përjashtim bëhet për kryefamiljarët pensionistë të invaliditetit të plotëfshati, që banojnë në fshat, por që nuk kanë pjesëtarë të tjerë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

KATEGORITË E TJERA Por nuk janë vetëm pensionistët që marrin kompensim energjie. Janë të paktën edhe dy kategori të tjera që mund të aplikojnë për të marrë 648 lekë/muaj. Përfitojnë kompensim edhe “familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomie, familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të verbër dhe paraplegjikë e tetraplegjikë”. Ndërsa kategoria tjetër është ajo e administratës. Marrin kompensim edhe “kryefamiljarët që janë punonjës buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj”. Sërish duhet të vërtetojnë se janë kryefamiljarë, pa të ardhura të tjera në familje.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura