Kompensimi i pronave, skema për vlerësimin e dosjeve të ’96

Sep 26, 2017 | 11:08
SHPËRNDAJE

Me përfundimin e vlerësimit financiar për dosjet e ’95-s, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ndërmarrë hapin e radhës, duke marrë në shqyrtim vendimet që datojnë një vit më vonë.

Kështu, pronarët me dosje të ’96-s, shumë shpejt do të kenë mundësi të njihen me masën e përfitimit. Procesi i vlerësimit kalon përmes një skaneri, në të cilin verifikohet në mënyrë të detajuar i gjithë dokumentacioni që dosja përmban.

kompesohen-554-pronare-nga-tokat-e-zena-

Kështu, për çdo sipërfaqe truall të njohur, do të hidhet dritë mbi statusin që kjo pronë ka pasur në kohën e konfiskimit. Pra, do të jetë zëri kadastral i origjinës që do të merret si referues për caktimin e vlerës së kompensimit, ndërsa çmimet për metër katror që do të aplikohen do të jenë të sotmet.

“ATP-ja është në proces pune për vlerësimin financiar të të gjitha vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit për vitin 1996. Vlerësimi bëhet nga grupet e punës të ngritura për shqyrtimin e dosjes, duke iu referuar dokumentit ligjor dhe hartografik për të përcaktuar zërin kadastral të origjinës në momentin e shpronësimit.

Pas përfundimit të këtij procesi, në faqen zyrtare të ATP-së do të bëhet publikimi i vlerësimit financiar. Pas kësaj, jeni të lutur të paraqisni dokumentacionin sipas përcaktimit të ligjit 133/2015, si dhe VKM për kompensimin financiar 223, datë 23.03.2016”, bën me dije Agjencia e Trajtimit të Pronave. Aktualisht, të drejtën e aplikimit e kanë të gjitha ato familje që kanë në duar vendime para ’95-s, për të cilat është mbyllur faza e parë, ajo e vlerësimit ekonomik.

VENDIMET ’95

U desh më shumë se një vit kohë që ATP-ja të dilte me një faturë për 6838 dosje që datojnë në 1995. Në muajin maj u publikua edhe regjistri, në të cilin janë pasqyruar të dhënat për çdo vendim. Zyrtarisht u tha se nga ndryshimi i zërit kadastral preken vetëm 326 familje.

Por, duke iu referuar të dhënave të bëra publike në faqen zyrtare të agjencisë, rezulton se shifra e pronarëve që penalizohen është shumë herë më e lartë. Kostoja e humbjes është e lartë, veçanërisht për ato familje të cilave u është kthyer një pjesë e pronës. Kjo kategori është kategorizuar në listën “e ezauruar”.

Ligji i ri i shpërblen vetëm me diferencën mes vlerës së pronës së mbetur për kompensim dhe asaj që është kthyer. Nëse rezulton që vlera e pronës së kthyer është më e madhe se ajo që ka mbetur, atëherë këto familje konsiderohen të kompensuara dhe fatura zerohet.

APLIKIMET

Familjeve pronare që u është përllogaritur masa e përfitimit me skemën e re të kompensimit, kanë të drejtë të paraqiten në ATP për të aplikuar në një nga skemat e kompensimit.

Në 6-mujorin e parë të vitit, 360 familje patën mundësi të marrin paratë e kompensimit. Fondi financiar ka mbërritur pothuajse në limite, çka do të thotë se ritmet e pagesave do të jenë të ulëta. Por krahas kompensimit në të holla, është edhe fondi fizik. Agjencia ka në dispozicion 23 mijë ha tokë, si edhe 176 objekte shtetërore.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura