Kompensimi i energjisë, aplikimet deri në qershor

Apr 13, 2015 | 13:24
SHPËRNDAJE

Për të përfituar kompensimin e energjisë elektrike, qytetarët do të kenë afat deri në muajin qershor për të bërë dorëzimin e dokumenteve që nevojiten. Në një intervistë dhënë për emisionin “Watching” në Agon Channel, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, tha se është propozuar që afati, i cili ishte deri në fund të muajit prill, të shtyhet deri në qershor.

DREJTORESHA E ISSH, VJOLLCA BRAHO

Pra, të gjithë ata që përfitojnë kompensimin prej 648 lekë në muaj, në bazë të vendimit të qeverisë, nuk kanë pse të nguten për dorëzimin e dokumenteve, pasi do të kenë kohë deri në qershor për ta bërë këtë. Sakaq, Braho tha se në të gjitha agjencitë ka nisur puna për verifikimin e dosjeve të dorëzuara, për të parë vërtetësinë e tyre.

Drejtoresha e ISSH shpjegoi edhe një herë formulën për llogaritjen e masës së pensionit. Ajo tha se skema e re bën të mundur përfitimin e një pensioni më të lartë, kjo për shkak se është e kushtëzuar nga niveli i kontributeve të derdhura.

Prej 1 janarit ka hyrë në fuqi skema e re e pensioneve, çfarë përmirësimi direkt keni parë ju? Nga data 1 janar ka filluar të zbatohet reforma e re e pensioneve në të gjithë Shqipërinë. Kjo reformë ka bërë të mundur që të theksohet edhe më shumë baza kontributive. D.m.th janë bërë ndryshime në parametrat e skemës së sigurimeve shoqërore. Kjo nënkupton që sa më shumë kontribute, aq më i lartë do të jetë pensioni. Dua të theksoj se janë bërë ndryshime rrënjësore. Janë ndryshuar parametrat e skemës, por baza qëndron mbi kontributet e derdhura. Ne, me lidhjet e pensioneve të reja që kemi bërë gjatë kësaj periudhe, konstatojmë se kemi pasur rritje të përfitimeve për të gjithë ata persona, të cilët kanë kontribuar prej shumë vitesh në skemën e sigurimeve shoqërore dhe kanë derdhur kontribut nga ai mesatar në kontributin maksimal, dhe pensioni i tyre dukshëm ka pësuar rritje, pra ka dalë më i lartë. Kjo, nëse do të krahasohej me skemën e mëparshme. Vlen të theksoj në skemën e vjetër nuk mund të dilte pensioni më i lartë sesa pensioni maksimal, që ishte sa dyfishi i pensionit minimal.

Kjo ndodhte pavarësisht masës së kontributit?
Po, ti nuk mund të përfitoje më shumë pension, pavarësisht masës së kontributit. Kishte një tavan, që siç e thashë, ishte sa dyfishi i pensionit minimal, pra 24 mijë lekë. Pavarësisht se pensioni dilte më i lartë kishte kufizime, të cilat ne i kemi hequr me ligjin e ri. Një tjetër kufizim që hoqëm, ishte ai që përcaktonte se pensioni nuk mund të dilte më i lartë sesa 75% të të ardhurave mesatare në tri vitet rresht, përgjatë 10-vjeçarit të fundit. Të dyja këto kufizime, tashmë të hequra, kanë bërë të mundur që të gjithë njerëzit që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore të marrin atë që u takon. Në të njëjtën kohë ka ndryshuar edhe formula e llogaritjes së pensioneve. Në formulën e re merret për bazë pensioni social, i cili është një nocion i ri që është futur për herë të parë në Shqipëri. Ky pension social shumëzohet me 1% për çdo vit që ke kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore, me pagën mesatare që ke derdhur në gjithë jetën tënde, si kontribues i skemës. Për shembull nëse një person ka derdhur kontribute për 35 vite, merr pensionin social që është 6570 mijë lekë. Kjo shumëzohet me 35% të pagës mesatare të të gjithë viteve që ka derdhur dhe llogaritet pensioni.

Skema e vjetër ishte e falimentuar. Por a ka prodhuar më shumë kontribuues kjo skemë?
Ne kemi një ekonomi informale dhe nxitja e institucioneve private për të deklaruar punonjësin është e vështirë të bëhet… Gjatë periudhës së vitit të kaluar, në 6 mujorin e dytë, atëherë kur filloi edhe procesi për hartimin e skemës së re të pensioneve dhe deri në ditët që flasim, është bërë një fushatë sensibilizuese në shkolla, universitete dhe nëpër institucione. Më pas kemi trokitur në çdo derë, ku kemi bërë një prezantim të skemës së re të sigurimeve shoqërore. Mund të them se nga kjo punë mjaft e madhe, njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se ato që janë të vetëpunësuar duhet të derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore. Si rezultat i një pune intensive që bëmë vitin e kaluar kemi një rritje të kontribuuesve, prej 93 9394 persona.

Pra ju e keni gjetur këtë skemë funksionale?
Po, kjo është vërejtur edhe në tremujorin e parë të implementimit të skemës së re. Po ashtu janë rritur ndjeshëm edhe të ardhurat. Ne kemi realizuar planin e të ardhurave për tremujorin e parë të vitit 2015, me 136%. Ndërsa vitin e kaluar, ne kemi realizuar planin 316%. Në këtë mënyrë kemi gjeneruar të ardhura 9.6 milionë më shumë lekë nga sa ishte parashikuar. Kjo erdhi edhe për shkak të ligjit për faljen e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi.

Skema e re e pensioneve parashikonte edhe një periudhë maksimale se kur duhej të dilje në pension. Duhet të kishe mbushur të paktën 35 vite, ju i keni hequr këto?
Aktualisht, për t’u futur në skemën e sigurimeve shoqërore, minimalisht duhet të kesh 15 vite dhe me formulën e re, sa vite ke me skemën e sigurimeve shoqërore, aq do të marrësh pension. Është futur edhe një risi për të gjithë ata, të cilët punojnë më shumë sesa mosha për të dalë në pension. Merr pension më të lartë në masën 6% më shumë për çdo vit që tejkalon nga kufiri i vendosur. Por, në skemën që është në fuqi ka edhe një risi tjetër, fakti që është rritur mosha për gratë me dy muaj. D.m.th të gjitha zonjat që dalin në pension në vitin 2015, jo 60 vjeç që ishte me skemën e vjetër, por 60 vjet e dy muaj për çdo vit. Pra, në vitin 2016, do të dalin në pension 60 vjeç e katër muaj.

Pse kishte nevojë për rritjen e moshës së gruas me dy muaj?
Në vitin 2032, mosha e daljes në pension për gratë do të jetë 63 vjeç. Pas vitit 2032 fillon rritja e moshës për daljen në pension të burrave me nga një muaj deri në vitin 2056. Pra, në këtë vit, mosha e daljes në pension për burrat do të jetë 67 vjeç. Kjo domosdoshmëri erdhi si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë për gratë dhe e dyta Instituti i Sigurimeve Shoqërore po bën marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurimeve shoqërore dhe është e nevojshme që të bëhet harmonizimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin ndërkombëtar, në mënyrë që të bëhet i mundur realizimi i këtyre marrëveshjeve.

Pagesa vullnetare e kontributeve ka ndonjë interes? P.sh një qytetar që ka bërë sot 15 vite punë e ka të domosdoshme të bëjë edhe një pagesë vullnetare? Kur e çmoni ju të rëndësishme se duhet bërë një pagesë e tillë? Përjashtuar të vetëpunësuarit në bujqësi…
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, përveç të ardhurave që mblidhen nga të vetëpunësuarit në bujqësi, mbledh të ardhurave dhe nga kontribuuesit vullnetarë. Ky kontribut bëhet nga të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, për atë periudhë që ai dëshiron të paguajë kontributin e sigurimeve shoqërore. Ka shumë njerëz, të cilët kanë emigruar dhe kanë disa vite që nuk kanë derdhur sigurimet shoqërore dhe në mënyrë vullnetare i paguajnë detyrimet e prapambetura që kanë. Rast tjetër janë edhe ata, të cilët janë shkëputur nga puna për një vit apo dy vite dhe duan ta rikuperojnë këtë, duke derdhur vullnetarisht kontributet. Ligji i sigurimeve ia lejon këtë, pra e ofron këtë mundësi.

Skema e re duket sikur sjell përmirësim edhe në drejtim të kontributit vullnetar. Kur do ta çmonit të panevojshëm këtë kontribut?
Unë i rekomandoj të gjithë qytetarët që të gjitha vitet duhet t’i kenë të mbuluara me kontributet e sigurimeve shoqërore sepse sa më shumë vite kontribute të derdhura të kesh në skemën e sigurimeve shoqërore, aq më i lartë do të dalë pensioni. Pavarësisht se 15 vjet duhet minimalisht për t’u futur në skemën e sigurimeve, po me formulën e re do të marrësh pension për aq vite sa ti ke derdhur kontribute. Pra, duke bërë edhe sigurimin vullnetar, psh nëse ke 25 vjet paguan edhe 5 vjet kontribut vullnetar, t’i do të përfitosh pension për 30 vite.

Si po shkon kompensimi i energjisë elektrike?
Vendimi i qeverisë është duke filluar nga data 1 shkurt dhe ne të gjitha pagesat e pensioneve në qytet i kemi online, dhe bëhen nëpërmjet postës shqiptare. Akoma nuk është bërë e mundur kjo për fshatin. Qytetarët përfitues bashkë me pensionin kanë mundësi të tërheqin edhe kompensimin për energjinë elektrike në bazë të vendimit të qeverisë, ku janë të përcaktuara edhe kategoritë përfituese.

Kompensimi është mujor?
Po është mujor, është 648 lekë në muaj. Ne po bëjmë një kontroll për të parë vërtetësinë e pagesës së kompensimit të energjisë elektrike, duke shkuar në çdo agjenci të sigurimeve shoqërore. Po verifikojmë deklaratën, certifikatën familjare dhe librezën, me anë të së cilës provohet se paguhet rregullisht energjia elektrike. Pra, po bëjmë verifikimin e dokumenteve nëse janë të sakta apo jo. Duhet të nënvizoj gjithashtu që për shkak të fluksit të madh të qytetarëve, ne kemi propozuar shtyrjen e afatit deri në qershor për plotësimin e dokumenteve për përfitimin e kompensimit të energjisë elektrike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura