Kompensimi i dritave, si do verifikohen pensionistët

Jan 21, 2016 | 16:25
SHPËRNDAJE

Për të përfituar kompensimin e energjisë elektrike, pensionistët duhet të plotësojnë katër dokumente.

Bëhet fjalë për shtesën prej 648 lekësh/muaj që marrin të gjithë pensionistët kryefamiljarë. Për të marrë shtesën në pension, duhet që pensionistët të plotësojnë një formular, (që po boton gazeta), të dorë- zojnë një fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën familjare, si dhe fotokopje të librezës së energjisë elektrike. Pensionisti duhet që të jetë kryefamiljar, pa një anëtar të familjes në punë.

Nga ana tjetër, pensionisti duhet të vërtetojë që paguan rregullisht energjinë elektrike. Në rast se plotëson këto kushte, atëherë pensionisti merr shtesën prej 648 lekësh/muaj. Në rast se nuk i plotëson, atëherë nuk e përfiton.

formulari

Por si do të verifikohen këto të dhëna, që mund të çojnë në heqjen e përfitimit? Pas viteve 1990, pati disa herë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Qeveritë në vite kanë vendosur kompensimin e kësaj rritjeje për pensionistët. Në vitin 2015, qeveria vendosi që të gjithë ata që merrnin kompensim energjie t’u shtohej edhe 648 lekë/muaj për të kompensuar shtesën e re të çmimit nga 1 janari 2015. Ishin 83 mijë pensionistë që u kualifikuan menjëherë dhe përfituan shtesën e re. Ndërsa çdo pensionist që dorë- zon dokumentet se është kryefamiljar pa të ardhura të tjera në familje, mund të marrë menjëherë kompensimin. Për të shmangur abuzimet, ISSH rakordon çdo muaj me OSHEE pagesën e rregullt të energjisë.

Ky është kontrolli i parë. Pra, në rast se pensionisti nuk e paguan energjinë, atëherë i hiqet shtesa prej 648 lekësh në muaj. Kontrolli i dytë është ai i familjarëve. Në rast se pensionisti ka një fëmijë, apo gruan në punë, atëherë ai nuk e merr shtesën prej 648 lekësh në muaj. ISSH bën kontrollin me zyrat e punës dhe me Tatimet për të vërtetuar deklaratën. Në rast se vërehet se një familjar është në punë, atëherë pensionistit i ndërpritet e drejta e kompensimit të energjisë. ISSH sqaron se të gjithë ata që marrin kompensimin e energjisë, nuk iu duhet të rivërtetojnë dokumentet. Kjo procedurë bëhet vetë nga Instituti.

PENSIONISTËT E RINJ Nga ana tjetër, çdo pensionist që del sot apo ka dalë në pensin pas vitit 2015, mund të aplikojë në zyrat e ISSH për të marrë kompensimin e energjisë elektrike. Mjafton të plotësojë dokumentet e mësipërme. Kjo edhe për pensionistët që për një arsye apo tjetër vërtetojnë që sot janë kryefamiljarë pa të ardhura të tjera. Edhe kjo kategori mund të përfitojë kompensimin.

 

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura