Kompanitë turke në ‘Klik Ekspo Group’, të interesuara për të investuar në ndërtim dhe industrinë ushqimore

SHPËRNDAJE

 

turku-klik-expo-panairi1Turqia renditet si partneri i katërt tregtar i Shqipërisë, ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona njohën një rritje prej 50.34 miliardë lekë në 10 muajt e fundit të këtij viti.

Referuar të dhënave të INSTAT për periudhën janar-tetor eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 1.7 miliardë lekë, ndërsa importet për periudhën 10-mujore llogariten 4.6 miliardë lekë.

Çdo vit pjesëmarrës në Klik Ekspo Group, bizneset turke dominojnë në stendat e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës me një larmishmëri produktesh dhe shërbimesh. Sipas të dhënave nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Stambollit e cila ka një eksperiencë 130 vjeçare dhe me 430 mijë biznese anëtare, numërohen afro 300 biznese turke që janë prezantuar në tregun shqiptar.
Aktiviteti tregtar i këtyre bizneseve ka sjellë 3-fishim ose 1 mld dollar në vit shkëmbime tregtare,  marrëdhënie që forocohen edhe më shumë nga pozita gjeografike e Shqipërisë me Turqinë.

Të pyetur nga zyra e shtypit e Klik Ekspo Group, kompanitë turke janë shprehur se e shohin Panairin Ndërkombëtar të Tiranës si një ‘portë’ hyrëse për tregun shqiptar por jo vetëm. Mehmet Aslan përfaqësues i kompanisë turke  “Skela Luani” që është e pozicionuar në Stamboll tha se është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe se  ka pritshmëri të larta nga Klik Ekspo Group, për të gjetur klientë potencial dhe firmosur marrëveshje bashkëpunimi.

‘’Kompania jonë e ka të zhvilluar shumë tregtinë me Europën, Izraelin, po ashtu edhe me vendet e Ballkanit. Ne kemi marrëdhënie tregtare si me Serbinë, Maqedoninë më shumë, po ashtu edhe me Kosovën. Tani me ardhjen në këtë panair po pretendojmë të krijojmë marrëdhënie tregtare edhe me Shqipërinë. Jam në dijeni të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës për të cilat kompania jonë është më së shumti e interesuar dhe kjo është arsyeja që unë jam këtu për të parë dhe biseduar për partneritete të mundshme në Shqipëri. Duke qenë se ne e disponojmë dokumentacionin e plotë nga shteti ynë për të vepruar si brenda dhe jashtë Turqisë, në të gjithë botën, jemi të hapur të vijmë e të zhvillohemi edhe në Shqipëri,’’ tha Mehmet Aslan.

Një tjetër investitor turk pjesëmarrës për herë të parë në edicionin e 26-të të Panairit Klik Ekspo Group është edhe Orhan Dulger , i cili përfaqëson një kompani 40-vjeçare që merret me ndërtimin e karrikeve për salla konferencash, hotele, salla kinemaje etj. ‘’Në dëshirën tonë është të hapim një filial të kompanisë tonë këtu, apo edhe fabrikë. Por kjo mbetet për një moment tjetër. Aktualisht duam të lidhim kontrata tregtare me partnerë të mundshëm këtu në Shqipëri. Të shohim e të bëjmë. Duam të kuptojmë interesin që kanë shqiptarët për produktet tona.  Kemi lënë disa takime që do ti konkludojmë deri në mbyllje të panairit, të cilët teorikisht janë të interesuar në bashkëpunim. Të shohim se çfarë do të dalë gjatë bisedave,’’  u shpreh Orhan Dulger.

Kompanitë turke të pranishme në Panair janë jo vetëm të shumta në numër, por edhe në shërbimet që ofrojnë. “Kilikya” e  themeluar që në vitin 1957, operon në prodhimin e lëngjeve të frutave Bio. Z.Meli Nas është brezi i tretë që vijon traditën e kësaj kompanie. Për të nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri, pasi produktet e kësaj firme gjenden në tregun shqiptar, por kompania synon ta zgjeroj biznesin e saj në vendin tonë, ndaj ka zgjedhur Klik Ekspo Group për të prezantuar produktet e reja të saj. ‘’Duam të hapim një dyqan. Kemi dhe një produkt të ri që nuk gjendet në Shqipëri dhe po synojmë ta sjellim për herë të parë dhe po e prezantojmë në panair. Produkti i ri është lëng karrote e zezë bio. Karrota e zezë prodhohet në Adana të Turqisë dhe është shumë e shëndetshme në parandalimin e disa sëmundjeve. Si synim të parë kemi gjetjen e një partneri për të tregtuar e më pas nëse gjërat shkojnë mirë, pse të mos investojmë në një fabrikë prodhimi,’’ shprehet z.Nas.

Yavuz Ozdemir përfaqëson kompaninë 40 vjeçare FEWA (water pump systems) e cila ndodhet në Stamboll të Turqisë. Kjo kompani prezantohet për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit Klik Ekspo Group, dhe operon në prodhimin e pompave të ujit të të gjitha llojeve. Duke e parë Shqipërinë si një treg potencial për të investuar, z.Ozdemir u shpreh se synon të lidh kontrata të mundshme bashkëpunimi për tregtim e më pas nëse gjërat ecin mirë, mund të investojnë këtu për një filial të kompanisë së tyre.

Krahas kompanive pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Bizneseve, Tiranën e kanë vizituar këto ditë edhe delegacione zyrtare dhe grupe te organizuara nga komuniteti i biznesit, konkretisht mbi 150 nga Serbia; 80 nga Turqia, 30 nga Hungaria, mbi 100  nga Republika e Kinës, si dhe nga dhe Italia me mbi 100 kompani ekspozuese.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.