Kompanitë e lidhura me bashkëshortin e ministres serbe të drejtësisë marrin kontrata shtetërore

May 1, 2020 | 17:36
SHPËRNDAJE
BIRN ka zbuluar se kompanitë e lidhura me bashkëshortin e ministres serbe të drejtësisë, i cili është gjithashtu vëllai i një figure të njohur të shëndetësisë serbe, fituan 27 kontrata publike me vlerë rreth 26.8 milionë euro, përfshirë një ofertë prej tre milionë eurosh për një sistem informacioni në kujdesin shëndetësor.

euro-bill-2-e1588310494186-1280x721-600x338

 

Para se pandemia e COVID1-9 të godiste Serbinë në fillim të marsit, Dr. Darija Kisiç Tepavceviç njihej më shumë në qarqet mjekësore si një epidemiologe kompetente e cila u bë zv/drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.

Por javët e fundit, ajo është bërë një fytyrë e njohur në familjet në të gjithë vendin si një nga anëtarët kryesorë të stafit të krizave, përgjegjës për luftimin e COVID-19.

Dr. Kisiç Tepaceviç mori shpejt vëmendjen e mediave dhe fitoi dashurinë e shumë njerëzve sepse ajo foli qartë dhe me qetësi për pandeminë, me integritet si një profesoreshë mjekësie.

Tabloidët nxituan të publikoni lajme për pamjen e saj, jetën private, studentët dhe kolegët e saj. Mediat më pas zbuluan se mjekja me origjinë nga Sarajeva ka një vëlla më të vogël, biznesmenin e suksesshëm Bojan Kisiç, i cili është i martuar me ministren serbe të drejtësisë Nela Kuburoviç, një anëtare e Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Pa rënë në sy, kompanitë e lidhura me Bojan Kisiç siguruan kontrata fitimprurëse me disa kompani shtetërore dhe ministri, duke përfshirë një marrëveshje prej tre milionë eurosh për të ruajtur sistemin e integruar të informacionit shëndetësor të Serbisë. Softueri merret me informacionin më të ndjeshëm privat të sistemit të kujdesit shëndetësor publik serb.

BIRN zbuloi se nga viti 2013, kompanive NITES u janë dhënë të paktën 27 kontrata publike me vlerë rreth 26.8 milionë euro në Serbi, ose duke bërë oferta vetëm ose në konsorciume.

Vetëm këtë muaj, BIRN ka zbuluar se NITES fitoi tre kontrata me vlerë 3.2 milionë euro me Ministrinë serbe të Shëndetësisë, përfshirë mirëmbajtjen e sistemit të informacionit shëndetësor.

Darija Kisiç Tepavceviç, megjithatë, i shpërfilli pyetjet e BIRN në lidhje me përfshirjen e vëllait të saj në marrëveshjet e IT që përfshijnë sistemin shëndetësor publik serb, duke thënë se NITES nuk ishte e përfshirë në krijimin e sistemit aktual të informacionit për COVID-19 të vendit që është i lidhur me institutin e saj.

Ministrja e drejtësisë Nela Kuburoviç tha për BIRN se ajo “nuk ka lidhje në asnjë mënyrë me kompaninë ku punon Bojan Kisiç,as nuk është në gjendje të ndikojë në biznesin e një kompanie shumëkombëshe që operon në të gjithë botën”.

Sipas saj, qeveria serbe ka procedura që mund të gjurmojnë dhe parandalojnë korrupsionin.

Aleatë dhe partnerë të lidhur me qeverinë fitojnë tenderë

NITES me qendër në Beograd është pjesë e NITES Group, një familje kompanish në pronësi të Miodrag Skrbiç. Kisiç shërben si shef ekzekutiv i NITES A.S. me seli në Çeki, e cila fitoi disa tenderë publik së bashku me degën serbe të grupit. Kompanitë NITES operojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën Çeke, Mal të Zi, Rusi dhe Britani, si dhe në Serbi.

27 kontratat publike të fituara në Serbi u bënë kryesisht në konsorcium me kompani të fuqishme shtetërore dhe ndërmarrje private të lidhura me Partinë Progresive Serbe në pushtet. Disa prej kompanive me të cilat është bashkuar NITES përfshijnë kompaninë shtetërore të telekomunikacionit Telekom Srbija, Prointer IT dhe Asseco SEE.

Asseco SEE është një kompani, drejtues i së cilës është Igor Brnabiç, vëllai i kryeministres serbe Ana Brnabiç. Në vitin 2017 dhe 2018, Asseco SEE dhe NITES bashkëpunuan në marrëveshjet e shërbimeve të IT për EPS, ndërmarrjen e energjisë elektrike në pronësi të qeverisë dhe ministrinë e financave. Kontratat vlejnë gati tre milionë euro.

Me Prointer IT, NITES ofroi shërbime IT-je për dy ndërmarrje shtetërore të energjisë elektrike në 2016 dhe 2017 për një çmim prej 3.1 milionë eurosh. Siç zbuloi më parë BIRN, Prointer IT i siguroi Partisë Progresive Serbe në pushtet infrastrukturën për thirrjet telefonike të kryera gjatë fushatës zgjedhore.

Në prill të këtij viti, si anëtare e konsorciumit me Telekom Srbija, NITES fitoi tre kontrata nga Ministria serbe e Shëndetësisë. Të tre kontratat janë me vlerë 3.2 milionë euro dhe përfshijnë punën në disa prej programeve kryesore mjekësore në vend, përfshirë mirëmbajtjen e platformës kombëtare për parandalim dhe diagnostikim, mirëmbajtjen e sistemit të integruar të informacionit shëndetësor të vendit dhe zhvillimin e softuerit për publikimin elektronik të certifikatave të vdekjes.

Në total, që nga viti 2016, konsorciumet që përfshijnë edhe NITES fituan 12 kontrata nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë rreth 14 milionë euro.

Përveç kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ministrisë së shëndetësisë dhe financave, klientë të tjerë të NITES në Serbi janë qyteti i Valjevos, qyteti i Beogradit dhe Kompania e Menaxhimit të Ujërave Publike Vode Vojvodine, një kompani në pronësi të shtetit.

Lidhjet politike dhe kontratat në Bosnjë

NITES ka siguruar kontrata shtetërore fitimprurëse jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinën fqinje. Sipas investigimit të BIRN, nga viti 2017 deri në vitin 2020, kompania fitoi tenderë me vlerë 1.5 milion euro, kryesisht për shërbime informatike. Filiali i saj boshnjak njihet gjithashtu dhe është kritikuar për marrëdhëniet e tij me politikanë të vjetër.

Sipas raporteve të mediave, ish-bashkëpronari i kompanisë NITES me seli në Çeki, Zoran Koraç, ishte këshilltar i Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili tani është anëtari serb i presidencash trepalëshe të vendit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, sipas burimeve të BIRN, NITES zotëronte gjithashtu 40 për qind të kompanisë Mühlbauer së bashku me një firmë gjermane. Në vitin 2012, Mühlbauer nënshkroi një kontratë me Agjencinë për Dokumentet e Identifikimit, regjistrat dhe shkëmbimin e të dhënave, IDDEEA, pa ofertë tenderi, për një shumë prej 50 milionë euro.

Si rezultat, drejtori i IDDEEA, Sinisa Macan u arrestua. Në kohën kur u nënshkrua kontrata midis Mühlbauer dhe IDDEEA, drejtori i Mülhbauer ishte Danilo Petroviç, dhëndër i Nebojsa Radmanoviç, një ish-anëtar serb i presidencës shtetërore trepalëshe të vendit dhe një anëtar i Aleancës së Demokratëve të Pavarur, partisë së Milorad Dodik.

Petroviç u largua nga kompania menjëherë pasi u nënshkrua kontrata.

Një njeri që pati një rol vendimtar në negocimin e marrëveshjes, sipas një përfaqësuesi zyrtar të Mühlbauer i cili foli me BIRN, ishte Miodrag Skrbiç, pronar i NITES. Skrbiç nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë nga ana e BIRN.

Sipas Mühlbauer, NITES e shiti pjesën e saj të Mühlbauer në nëntor 2016.

Skrbiç, i cili jeton në Pragë dhe zotëron grupin e ndërmarrjeve NITES, lindi në vitin 1956 në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku filloi për herë të parë biznesin e tij privat në fund të viteve 1980.

Kur shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, Skrbiç u zhvendos në Gjermani dhe më pas, në vitin 1993 në Republikën Çeke, duke marrë me vete bizneset e tij të IT. Gjatë viteve 1990, Skrbiç themeloi një kompani tjetër, STROM Telecom.

Sipas një interviste që Skrbiç dha për faqen serbe të internetit E-kapija në mars të këtij viti, STROM u zgjerua me shpejtësi në ish-Bashkimin Sovjetik, Europën Qendrore, Gjermani dhe Uganda.

Në vitet që pasuan, “kompania arriti mijëra të punësuar në disa vende dhe mori të ardhura prej qindra miliona eurosh”, tha Skrbiç.

Skrbiç atëherë vendosi ta shiste atë dhe në periudhën nga viti 2007 deri në 2011, ai ngriti një rrjet firmash nën emrin NITES, të cilin ai e zotëron edhe sot e kësaj dite.

Kompanitë NITES janë të regjistruara në Pragë, Banja Luka, Beograd, Podgoricë, Moskë dhe Londër dhe ofrojnë shërbime telekomunikacioni dhe zgjidhje të tjera digjitale për kompani private dhe shtetërore.

Ish-auditi shtetëror që po punonte në çështjen boshnjake në atë kohë, Dzevad Nekiç, tha për BIRN se kishte prova të mjaftueshme për një ndjekje penale në lidhje me kontratën midis Mühlbauer dhe IDDEEA.

“Ne kishim dokumente të mjaftueshme”, tha Nekiç, i cili tani është drejtuesi i zyrës së auditit në entitetin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Por pas hetimeve për gati gjashtë vjet, prokuroria boshnjake e mbylli çështjen pa ngritur asnjë akuzë.

“Mbaj mend që thosha në atë kohë se nuk ishte habi që njerëzit thonë se “peshqit e vegjël kapen, kurse të mëdhenjtë shpëtojnë”, tha Nekiç. “Nëse, me të gjithë dokumentacionin që kishim në dispozicion nuk u bë ndonjë gjë, atëherë dyshoj se do të bëhet ndonjëherë ndonjë gjë.”

BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura