Kompania shqiptare has vështirësi në përgatitjen e ambulancave për Ukrainën

May 22, 2022 | 21:50
SHPËRNDAJE

ambulancaNjë kompani e vogël në Shqipëri po punon për të plotësuar kërkesën e lartë për ambulanca për Ukrainën. Kompania Timak ka marrë tashmë porosinë e parë, nga disa të tilla, për ambulancat që agjencitë qeveritare synojnë t’i dërgojnë në Ukrainë, por po has vështirësi për përgatitjen e tyre.

Me një personel prej 14 personash, kompania Timak ka marrë porosinë për të përgatitur deri në 500 ambulanca, por ajo përballet me problemet e furnizimit të pamjaftueshëm me automjete që mund të konvertohen në autoambulanca.

“Kërkesat kanë qenë për 500 autoambulanca, ambulanca të blinduara, por është problemi i shasive që nuk gjenden tani. Dhe pas kësaj ka një kërkesë tjetër për 42 dhe 50 të tjera”, thotë Arjeta Puca, pronarja e fabrikës së ambulancave të firmës Timak.

Punonjësit marrin furgonë të rinj të markës Ford dhe u instalojnë fenelina blu, sirena, bombola oksigjeni dhe mjete të tjera.

11 ambulancat e para u porositën nga një agjensi e OKB-së. Kur të përfundohen, ato do të transportohen për në Poloni dhe në vazhdim në Ukrainë.

Oferta fillestare ndoshta nuk ishte shumë e favorshme nga pikëpamja komerciale, si dhe u paraqit në një kohë shumë të shkurtër. Por, zonja Puca thotë se u ndjenë të detyruar ta pranonin.

“Na dhanë një buxhet shumë të caktuar. Normalisht nuk është një buxhet për t’u pranuar për të prodhuar autoambulanca, sidomos në një kohë shumë të shkurtër. Normalisht kemi dëshirën të kemi kontributin tonë për Ukrainën dhe e pranuam. Është një gjë për të cilën nuk mendohet vetëm pjesa e parave”, thotë ajo.

Megjithë ngarkesën e lartë në punë, punonjësit thonë se po bëjnë ç’të munden për ta përmbushur këtë nevojë.

“Ndjejmë atë ç’po ndodh atje dhe po punojmë me pasion këtu që t’i bëjmë gati ambulancat për Ukrainën”, thotë Izet Bytyçi, marangoz në kompaninë “Timak”.

Që kur Rusia sulmoi Ukrainën, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, u është bashkuar vendeve evropiane që kanë vendosur sanksione ekonomike dhe ua ka ndaluar aeroplanëve rusë që të fluturojnë në hapësirën e saj ajrore.

© Panorama.al

Te lidhura