Dekriminalizimi, Bylykbashi propozon ndryshime në Kushtetutë. Balla: Procesi, jo nga drejtoria juridike e SHQUP

Mar 27, 2015 | 14:35
SHPËRNDAJE

Maxhoranca dhe opozita debatuan dje në Komisionin e posaçëm për dekriminalizimin rreth propozimeve të tyre, duke i çuar palët edhe më larg.

Mbledhja e komisonit

Kryetari i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi, propozoi një dispozitë kalimtare kushtetuese për të larguar nga Kuvendi aktual të gjithë deputetët me të shkuar kriminale, por dhe bllokimin e kandidatëve për kryetarë bashkie. Por ky propozim i opozitës shkaktoi reagime të forta te deputetët e maxhorancës, të cilët e cilësuan atë copa letre të hartuara nga drejtoria juridike e Partisë Demokratike.

“Kryerja me dashje e një vepre penale apo thyerja e Kushtetutës, sipas nenit 70, pikat 3 dhe 4, para bërjes së betimit të deputetit është në kundërshtim me këtë betim. Mandati i deputetit të legjislaturës, gjatë së cilës kjo dispozitë hyn në fuqi, mbaron menjëherë kur konstatohet se deputeti është dënuar për jo më pak se një vit me vendim përfundimtar të formës së prerë për kryerjen e një krimi me dashje apo ka shkelur nenin 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, në periudhën njëzetvjeçare që i paraprin bërjes së betimit nga deputeti i kësaj legjislature. 2. Kjo dispozitë i shtrin efektet e saj vetëm mbi deputetët e legjislaturës gjatë së cilës dispozita hyn në fuqi dhe i përfundon efektet e saj me mbarimin e kësaj legjislature”, thuhet në amendamentin e opozitës të shpërndarë dje në Komisionin e posaçëm të Parlamentit.

Por nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilë- suar këtë si “një copë letre e retorikës juridike të SHQUPit” dhe jo një dokument parlamentar, ashtu siç duhej të ishte. Sipas Ballës, me sugjerim të ndërkombëtarëve, krahas procesit të dekriminalizimit duhet të ndryshojë edhe kultura e pandëshkueshmërisë. Në këtë kuadër, ai ka kërkuar që të implementohet edhe rasti i zyrtarëve të gjetur fajtorë nga Prokuroria, por të pandëshkuar nga gjykatat.

Madje, anëtari i maxhorancës në këtë komision, Spartak Braho, e cilësoi këtë amendament si citate kineze. “Me citatet e Mao Ce Dunit do të tallemi këtu?! Nuk e marr draftin”, u shpreh Braho, i cili nuk pranoi ta lexonte atë.

Deputeti socialist Balla, i cili debatoi gjatë gjithë kohës me kryetarin Bylykbashi, kërkoi që në procesin e dekriminalizimit të përfshihej edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve për një kulturë pandëshkueshmërie të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne duam që në planin e punës të komisionit të hyjmë dhe në çështjen e adresimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, për të përfshirë dhe dekriminalizimin edhe katharsisin, që në administratë dhe politikën shqiptare nuk do të ketë as politikanë të gjetur fajtorë nga Prokuroria, por të padënuar nga gjykata. Kryetari i partisë tënde është gjetur fajtor për 230 milionë euro dhe nuk është dënuar, dhe sot të çon ty këtu me copa letrash. Nuk do të ketë dekriminalizim pa mbaruar proceset gjyqësore dhe ligjore në ngarkim të Lulzim Bashës dhe disa të tjerëve aty te PD-ja”, tha Balla.

Kreu i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi, sqaroi se çështja e ndëshkueshmërisë është çështje e reformës në drejtësi.

DEBATI NË KOMISIONIN E DEKRIMINALIZIMIT

Oerd Bylykbashi: Në objektivin afatshkurtër për dekriminalizimin, ne propozojmë një ndërhyrje me një dispozitë kalimtare afatshkurtër për të zgjidhur që, përmes kritereve kushtetuese, ne të evidentojmë personat që nuk mund të qëndrojnë në Parlament, sepse rekordi i tyre cenon besimin publik. Dispozita e përkohshme do të aplikohej vetëm për këtë legjislaturë.

Spartak Braho: (sekretarja e komisionit shpërndan draftin e PD) Me citatet e Mao Ce Dunit do të tallemi këtu?! Nuk e marr draftin!

Taulant Balla: Ne kemi miratuar një plan të përgjithshëm pune. Pika e fundit është miratimi i një pakete ligjore. Do bëheni seriozë të paktën një herë të vetme?! Kjo që ju shpërndatë sot është pika e gjashtë, e fundit. Do ta mbyllim komisionin që sot?! Kemi rënë dakord që ky proces nuk do bëhet nga drejtoria juridike e SHQUPit. Nuk jam këtu për të dëgjuar konferencën për shtyp të PD-së.

Oerd Bylykbashi: Trego vullnet dhe lexo propozimin.

Taulant Balla: Merre me qetësi. Unë e di se çfarë udhë- zimesh ke marrë ti. Nëse ti je i interesuar për dekriminalizimin, pse nuk ndenje sot kur votohej në Kuvend. Pse nuk e shprehe vullnetin tënd me votë sot në Parlament?!

Oerd Bylykbashi: Ule zërin, nuk je këtu për të bërtitur!

Taulant Balla: Hera e parë që pas 20 vjetësh në Kuvendin e Shqipërisë, një parti politike refuzon të mbështesë kërkesën e Prokurorisë për heqje imuniteti dhe hetim të thelluar. Platformën do ta lexoj, por nuk pranoj copa letrash që sillni ju këtu, që nuk kanë lidhje me procesin e dekriminalizimit e sidomos termin “dekriminalizim të Kuvendit”. Mund të ketë persona me rekorde kriminale, por Parlamenti është i qytetarëve shqiptarë që kanë votuar për një Parlament demokratik. Kjo copë letre është alibia për bojkotin e radhës, ose na i votoni, ose ne nuk vijmë më as në Komision, as në Parlament.

Oerd Bylykbashi: Ju duhet të lexoni këto dy dokumente, se me pak thellim, do bini dakord me ne. Ju keni rënë dakord me ne në marrëveshje që personat me rekorde kriminale do ikin nga Parlamenti. Nuk po flasim për individët, ne do bëjmë dispozita ligjore. Janë disa dispozita që duan ndërhyrje imediate në Kodin Zgjedhor që të miratohen tani, që në zgjedhjet e 21 qershorit të mos ketë kandidatë me rekorde kriminale. Kjo është shumë prioritare që ta arrijmë këtë afat.

Spartak Braho: Ju doni të ndryshoni betimin e Kushtetutës së deputetëve. Çfarë ka të bëjë kjo me dekriminalizimin?!

Oerd Bylykbashi: Po ta lexoni amendamentin, do ta kuptoni.

Taulant Balla: Sillni një dokument në Parlament, jo propozime partie. Ne duhet t’i drejtohemi Komisionit të Venecias, KE-së, BE-së dhe Ambasadës së SHBA-ve që të na sjellin ekspertizën për të bërë një proces të ngjashëm si në vendet e tjera. Ky proces kërkon vullnet politik dhe ky vullnet duhet shprehur dhe me votë, ndërsa ju sot(dje) refuzuat të votoni kërkesën e Prokurorisë. Përveç platformës suaj, për këtë çështje ne kemi propozimet tona. Termi “dekriminalizim” është pjesë e një termi më të madh që është “ndëshkimi”.

Oerd Bylykbashi: Fokusohu tek objekti i punës.

Taulant Balla: Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve për një kulturë pandëshkueshmërie të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne duam që në planin e punës të komisionit të hyjmë dhe në çështjen e adresimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, për të përfshirë dhe dekriminalizimin, edhe katharsisin, që në administratë dhe politikën shqiptare nuk do të ketë as politikanë të gjetur fajtorë nga Prokuroria, por të padënuar nga Gjykata. Kryetari i partisë tënde është gjetur fajtor për 230 milionë euro dhe nuk është dënuar, dhe sot të çon ty këtu me copa letrash. Nuk do të ketë dekriminalizim pa mbaruar proceset gjyqësore dhe ligjore në ngarkim të Lulzim Bashës dhe disa të tjerëve aty te PDja.

Oerd Bylykbashi: Ne do të largojmë të gjithë deputetët e Grupit tuaj Parlament me rekorde kriminale, ky është dekriminalizimi që duam të arrijmë. Kemi propozimet tona, merrini shqyrtojini me qetësi. Sa i përket kërkesës së ndërkombëtarëve, Kuvendi do të bëjë kërkesën. Merreni me qetësi, çdo gjë për barrën juridike do ta mbani ju. Çështja e ndëshkueshmërisë është çështje e reformës në drejtësi.

Aristir Lumezi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura