Komisioni i Venecias, alibi apo siguri?

Feb 14, 2020 | 10:45
SHPËRNDAJE

PETRIT VASILI petrit-vasili

Në komunikimin shumëvjeçar me Komisionin e Venecias, ai është parë në Shqipëri si një siguri e shtuar, profesionale dhe objektive lidhur me reformat që lidhen me shtetin e së drejtës dhe soliditetin juridik të tij. Edhe në momentin kyç të hartimit të së parës Kushtetutë të pluralizmit, që u miratua në 1998 me Referendum, roli i Venecias ishte përcaktues për atë që është gjithëpranuar si Kushtetuta më e mirë që Shqipëria ka pasur.

Po kështu, edhe gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi, aq të diskutuar e të propaganduar, Venecia sërish u shfaq përcaktuese në kapërcimin e mjaft momenteve e kurtheve delikate të Rilindjes gjatë hartimit e miratimit të saj.

Për fat të keq, rilindja sot po bën gjithçka që të devijojë e të deformojë këtë rol të rëndësishëm të Venecias, duke e shndërruar raportin dhe komunikimin me të thjeshtë si një truk në funksion të taktikave të saj politikomediatike.

Shndërrimi i funksionit të natyrshëm të Venecias, nga një promovuese e standardeve më të larta juridike për ligjet dhe reformat në fushën e drejtësisë, në një interpretuese e rëndomtë e kurtheve provinciale të rilindjes, sigurisht e ul dukshëm rolin dhe protagonizmin pozitiv të saj, duke e zhytur në rutinizëm me hiç vlerë.

Momenti shumë kritik, në të cilin ka hyrë Reforma në Drejtësi, ka nevojë për zgjidhje dhe siguri të reja, sepse siguritë e 21-22 korrikut 2016, kur ajo u miratua me 140 vota, kanë rënë tërësisht duke tronditur shtetin e së drejtës, duke lejuar kapjen e drejtësisë nga Rilindja dhe duke shkaktuar humbjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.

Për rivendosjen e kushtetutshmërisë së Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht zbatimit të shtatë ligjeve që janë deformuar keqas, Venecia do të ishte e pazëvendësueshme.

Për fat të keq, roli i Venecias po tentohet të degradohet nga rilindja për ta shndërruar në një krijuese alibish, për të cilat ka nevojë halli i politik i ditës së rilindjes.

Dilema për rolin e Venecias mes alibisë dhe sigurisë do të duhej të fitohej nga kjo e fundit.

Për fat të keq, ardhjet e fundit të Venecias janë imponuar për ta shndërruar atë në një instrument alibie, një rol ky shumë larg misionit të saj dhe asaj që Venecia realisht përfaqëson.

Sot. Venecia duhet t’i rikthehet rolit të saj të natyrshëm për krijimin e sigurive për mbrojtjen e Reformës në Drejtësi nga rrënimi.

Venecia, si arbitër i çështjeve të ditës në Shqipëri dhe si krijues alibish evazive, vlen shumë pak në sytë e shqiptarëve.

Venecia, si ofruese e sigurisë për standarde juridike të larta, të paprekshme dhe të pakapura, kjo po u duhet shqiptarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura