Komentet që marr përditë si imituesi i imituesit të Barak Obamës

Jan 29, 2016 | 12:23
SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është përfolur së fundi për ngjashmëri gjestesh publike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Që nga mënyra si puth bashkëshorten Ajola Xoxa në publik e deri te shfaqja si punëtor i thjeshtë tek lyen me bojë një ambient, janë përqasjet spektakolare të Veliajt me Obamën.

Vetë ai ka një imitues në spektaklin “Portokalli”, 25-vjeçarin nga Durrësi, Marsel Rupi. Aktori i humorit ka shumë për të rrëfyer nën kostumin e politikanit, pa përjashtuar faktin se si ndihet si imituesi i imituesit të Presidentit me ngjyrë të SHBA-ve “Çfarë të të thotë ty lali Eri” është kthyer në një shprehje urbane.

Marsel Rupi 12039552_10205306315922966_3368742791464372324_n

Si u ndjeve brenda personazhit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës sezonin e kaluar?

Brenda këtij personazhi ndihem shumë mirë. Po përpiqem dita-ditës për të qenë sa më shumë i futur nën lëkurën e personazhit, pasi nuk është përgjegjësi e vogël të luash një figurë publike, kaq të përfolur për momentin.

Si vendosni që herë ta keni kryetarin pjesë të skenarit dhe herë jo? Mbi ç’bazë e bëni personazh të së dielës?

Kur nuk kemi një temë për të trajtuar, atëherë nuk shkruajmë tekst. Personazhet nuk dalin kur ne na duhen, por ne i nxjerrim kur nëpërmjet tyre kemi ndonjë gjë për të thënë.

Sa i sigurt je si kryetar i Bashkisë së “Portokallisë”?

Përsa i përket sigurisë që kam për këtë personazh, asnjëherë s’mund të thuash që jam shumë i sigurt, por vërej se dita-ditës po më bëhet shumë më familjar.

Tani të flasin me emrin tënd Marsel, apo Erion? Dhe si ndihesh kur të quajnë kryetar?

Emrin që më thërrasin vazhdon të jetë Marsel, ashtu siç do të jetë përgjatë gjithë jetës sime. Erion zakonisht më thërrasin me shaka kolegët e punës. Kur më quajnë të tillë, nuk është se kam ndonjë ndjesi të veçantë, përkundrazi, mendoj që nuk më shkon fare mua si person ai emër.

Për ngjashmërinë që keni fizikisht çfarë komentesh ke marrë?

Për ngjashmërinë fizike kam marrë po atë koment që mendoj dhe vetë: “Sa me fat paskam qenë!”

Po të kërkonte Erioni të ishe sozia e tij në takime me popullin, do ta bëje?

Nuk kam pse të jem nëpër takime me popullin, pasi “fusha” ime është vetëm “Portokalli”. Në asnjë “fushë” tjetër nuk do të mund të luaja, sepse nuk janë sporte për mua. Dhe mbi të gjitha, mendoj që përballë popullit duhet të dalë vetë zoti Veliaj.

Ti je imituesi i tij, por vetë Erioni është përfolur si imitues i Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama. Të duket profesionist Veliaj në imitimet që i bën stilit të Obamës?

Nuk kam ndonjë gjë për të thënë, pasi unë imitoj zotin Veliaj dhe nuk e gjykoj. Unë imitoj karaktere, ndërsa ai imiton veprimet. Prandaj nuk jemi njësoj dhe unë s’mund të kem gjykim për këtë gjë.

Mund ta imitosh ti Obamën, të duket karakter i vështirë?

Nuk e kam provuar asnjëherë. Por, mbi të gjitha, unë s’kam asnjë ngjashmëri fizike me atë, kështu që nuk ka asnjë mundësi. Por edhe nëse, nuk është se na hyn në punë.

Nëse do ta takoje Erionin, me çfarë fjalësh do t’i drejtoheshe, me të tuat apo të tij?

Nëse do ta takoj ndonjë ditë z. Veliaj, do t’i drejtohesha me të njëjtat fjalë që mund t’i drejtohet çdo qytetar: “Zoti Veliaj, ose zoti kryetar!”

Marsel Rupi 1781937_991971500864986_249750771173764838_n

Në jetë ai është i plotë- suar me gjysmën tjetër, pra i martuar. Po ti ke një lidhje?

Në këtë pikë nuk kam arritur ta imitoj zotin Veliaj. Ai është i martuar, ndërsa unë as i lidhur për momentin.

Në dhjetor Erioni kishte ditëlindjen. Çfarë urimi mund t’i bëje?

Do t’i uroja “Bëftë histori!”. Dhe në Shqipëri është shumë thjesht të bësh histori. Mjafton të punosh shumë dhe pa hile.

Ndjen se ke ndonjë pikë të dobët gjatë show-t?

Kam përshtypjen që kam disa pika të dobëta dhe njëra prej tyre është mungesa e eksperiencës dhe mungesa e aftësisë për të qenë i updateuar me politikën. Nuk është pikë e fortë tek unë politika.

Një kryetar si ty në “Portokalli” pushon punonjës me bindje të PD-së dhe punëson militantë të PS-së?

Një kryetar si unë në “Portokalli” as nuk pushon nga puna militantët e PD-së e as nuk punëson ata të PS-së, por shtron problematika për të gjithë shqiptarët, dhe përcjell mesazhe të forta nëpërmjet gjuhës së humorit.

Brenda trupës së aktorëve, cili është miku yt më i mirë dhe armiku më i fortë?

Miku im më i mirë brenda spektaklit është publiku, sepse çiltërsia, sinqeriteti dhe dashamirësia e tij janë motivues i fortë për të dalë në skenë. Armiku im më i madh brenda “Portokalli” është vetja ime, pasi është i vetmi person, që mund të më shkatërrojë punën time duke mos punuar apo duke rënë pre e delirit. Vetëm vetja ime mund të më bëjë keq në jetë nga veprimet dhe mosveprimet e mia.

Përgatitit: KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura