Koment nga Lahm/ Levandovski dhe Haland, ja pse Bundesliga është e bekuar

Dec 26, 2021 | 9:44
SHPËRNDAJE

Ata nuk dinë të ndalen! Robert Levandovski dhe Erling Haland kanë arritur rekorde të reja në këtë fazë të parë të sezonit duke vazhduar të tregojnë se janë dy prej sulmuesve më të mirë në botë. Bundesliga është krenare që të dy luajnë në Gjermani.

haland

Ish-kapiteni i Bajernit dhe kombëtares gjermane, Filip Lahm, lavdëroi të dy sulmuesit duke thënë: “Ata vetëm shënojnë, është për t’u admiruar se si Leva dhe Haland vazhdojnë të mahnitin Bundesligën. Jemi me fat që kemi në kampionatin tonë dy sulmues të kalibrit botëror”.

LEVANDOVSKI – SULMUESI I KOMPLETUAR
Robert Levandovski ishte pa dyshim sulmuesi favorit për të fituar “Topin e Artë” për këtë vit. Por, polaku u mjaftua vetëm me çmimin “Sulmuesi më i mirë” duke mos e bërë ëndrrën realitet. Gjithsesi shifrat flasin për të. Leva shënon me kokë, me të majtën dhe me të djathtën, me pak fjalë një sulmues i kompletuar.

33-vjeçari është një vrasës në zonë dhe sa herë ka topin, shanset për të gabuar janë të pakta. 19 gola në 17 ndeshjet e fazës së parë, Leva shënon më shumë se ç’luan. Plot 43 gola në një vit kalendarik dhe rekordi tjetër i Gerd Mylerit është vetëm një kujtim i bukur.

HALAND – NJË GARANCI GOLASH
Erling Haland në krahasim me Levën është më i shpejtë në arritjen e suksesit. Me moshën që ka, norvegjezi ka arritur shpejt majat, teksa vazhdon të shënojë rregullisht për Dortmundin. Në 11 ndeshjet e luajtura në fazën e parë, Haland ka shënuar 13 gola, gjashtë ndeshje numri 9 i Dortmundit nuk arriti t’i luante për shkak të një dëmtimi.

Me mesataren e golave për ndeshje, Erling do të kishte sot 17 gola në llogarinë e tij nëse nuk do të ishte ndalur në muajin tetor.

Rekordin e tij me 50 gola në 50 ndeshje në kampionat nuk ka arritur askush ta kërcënojë deri tani. Aftësitë individuale kanë mahnitur çdo tifoz të Borusias dhe jo vetëm ata. Pasi mungoi gjashtë ndeshje, Haland shënoi në ndeshjen e parë të tij, kur kishin kaluar vetëm 7 minuta nga hyrja e tij në fushë.

LAHM PARASHIKON SPEKTAKËL
“Eurogola në Mynih dhe Dortmund. Leva dhe Haland nuk do të ndalen as në fazën e dytë. Jam i bindur që do të kemi një duel të zjarrtë edhe në 17 javët e dyta. Janë sulmues që jetojnë për të shënuar dhe goli është i vetmi oksigjen që kanë, e vetmja gjë që dinë të bëjnë.

Të dy duan të shpallen kampionë dhe të fitojnë ‘Këpucën e Artë’. Askush nuk mund t’i ndalë dot. Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shijojmë spektaklin e tyre”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura