Kombëtarja si trushpëlarje

Jun 25, 2016 | 17:20
SHPËRNDAJE
Fatos Lubonja
Fatos Lubonja

FATOS LUBONJA 

Përpara ndeshjes Shqipëri – Zvicër më qëlloi të dëgjoj rastësisht në makinë një reportazh të Radio France International (RFI). Gazetari francez kishte shkuar në një si kamping fushash futbolli në Zvicër, ku stërviteshin fëmijë. Atje kishte gjetur dhe intervistuar drejtuesit, por edhe shumë fëmijë, ku spikasnin emigrantët, ndër ta edhe mjaft shqiptarë, më së shumti nga Kosova. Komenti që bënte ishte se, për këta fëmijë emigrantësh dhe familjet e tyre, futbolli ishte një diçka e rëndësishme sepse i ndihmonte të integroheshin në shoqërinë zvicerane. Nga këto fusha, sipas tij, kishin dalë edhe vëllezërit Xhaka e futbollistë të tjerë që do të luanin kundër njëri-tjetrit me kombëtaret zvicerane dhe shqiptare pas disa ditësh në Francë.

Vini re kontrastin e këtij realiteti të thjeshtë, por edhe kaq kuptimplotë dhe njerëzor, me histerinë që kaploi mediet tona gjatë ndeshjeve të Kombëtares në Kampionatin Europian e që po vazhdon ende! Ruana Zot, nuk dua të lëndoj punën e atyre djemve që bënë më shumë nga ç’pritej prej tyre! Meritë edhe e De Biasit, pa dyshim. Por kush ka pak mend në kokë në këtë vend duhet të ndalet dhe të reflektojë një çikë më shumë, sepse jemi përpara një trushpëlarjeje të paparë. Aq sa ajo thënia e vjetër “panem et circem”, e përdorur nga poeti për të përqeshur plebenjtë romakë që u mjaftonte buka dhe loja për t’i qeverisur, ka arritur të reduktohet vetëm në “circem”, sepse duket sikur askush nuk po mendon më as për bukën e gojës. Dhe ne e kemi të vjetër këtë lloj trushpëlarjeje me heqjen e bukës. Për krenari kombëtare ne kemi preferuar të hamë edhe vetëm bar.

Mirëpo, edhe kur vjen puna te krenaria, seç ka një problem që s’shkon në këtë histori. Duam, s’duam ajo na çon te fushat zvicerane ku janë rritur, edukuar, stërvitur dhe ku luajnë shumica e lojtarëve të Kombëtares sonë. Kush ka pak tru, nuk mund të mos ngrejë pyetjen: Përse po bërtasim me të madhe “Oh sa mirë me ken shqiptar”, kur një logjikë e thjeshtë ta do me thënë: “Oh sa mirë me ken zviceran”. Ç’e ka gjetur Kryeministrin tonë, që është kaq i ekzaltuar? Sikur të punonte me kulturën e Kryeministrit tonë, do të duhej të dilte Kryeministri zviceran dhe Federata Zvicerane të mburrej, sepse me ata fëmijë shqiptarë kanë krijuar dy kombëtare, jo një. Sepse edhe më injoranti e di sot se njeriu nuk është produkt i asaj që dikur quhej racë, por i kulturës, i edukimit, i asaj se me çfarë e ushqen qysh në foshnjëri shoqëria ku jeton. Por Kryeministrit zviceran ne nuk ia dimë as emrin dhe populli zviceran nuk ekzaltohet kësisoj, edhe pse kaloi në çerekfinale, edhe pse ka nxjerrë kampionë botërorë gjigantë në sporte, sepse nuk është i shpëlarë trush dhe nuk nxjerr në krye shpëlarës trush.

E përsëris, tek e fundit, trushpëlarëve edhe u lejohet ky infantilizëm, por kryetrushpëlarësit, kryekarafilit të Kryeministrisë dhe dukëve të Federatës që kanë sajuar sloganin “Oh sa mirë me ken shqiptar” nuk duhet t’ua lejojmë vazhdimin e kësaj farse, sepse nuk janë aty ku janë që të mburren me futbollistët e krijuar në Zvicër e gjetkë, as me gjakun e racën, (se atëherë do të duhej të merrnin një trajner shqiptar, jo italian), por me punën e tyre.

Dhe sa për punën që kanë bërë dhe bëjnë, atyre duhet t’u vijë turp. Po, po, turp! Turp edhe për trushpëlarjen! Por pikërisht pse nuk e njohin ndjenjën e turpit, po e përdorin Kombëtaren si fasadë për të mbuluar dështimin e tyre politik, dështimin e tyre me sportin dhe punët e tyre mafioze me futbollin në Shqipëri.

E para gjë që u duhet kujtuar trushpëlarësve dhe trushpëlarëve të ekzaltuar është se sporti nuk ka lindur dhe nuk praktikohet në botë për të marrë pjesë në ndonjë kampionat dhe për të tundur një flamur apo një kupë me krenari kombëtare, por sepse bën pjesë në edukimin fizik të çdo njeriu, si një e drejtë njerëzore, ashtu siç është edhe arsimimi. Sa më shumë të jetë numri i fëmijëve që e ushtrojnë sportin për këtë qëllim, aq më shumë mundësi ka pastaj që, prej tyre, të dalin edhe sportistë profesionistë që të na emocionojnë me talentin e tyre, që të na japin emocione fitoreje, thuaj po deshe edhe krenari kombëtare.

E pra, Edi Ramës dhe gjithë kastës që e rrethon duhet t’u vijë turp, sepse me politikat e tyre nuk kanë bërë asgjë për të krijuar këtë lloj krenarie. Përkundrazi, e kanë orientuar rininë drejt kufijve. Por le të mbesim te futbolli. Këta bandillë e kanë orientuar rininë shqiptare më shumë sesa nga luajtja futboll, te luajtja bixhoz përpara ekraneve me rezultatet e ndeshjeve; këta të babëzitur nuk kanë lënë një fushë sporti ku të luajnë e stërviten fëmijët gratis, sepse kanë zgjedhur të ngrenë aty pallate fitimprurës për xhepat e tyre; këta njerëz që duan vetëm veten, dashurinë e shqiptarëve për futbollin e kanë tjetërsuar në biznes për të mbushur xhepat e tyre, e për këtë u kanë hequr shqiptarëve edhe atë që vende të tjera, shumë më të pasura, e kanë gratis: mundësinë për ta parë një ngjarje të tillë në Televizionin Publik.

Jo më shumë sesa disa javë më parë, po për këto qëllime mafioze, ata morën vendimin e turpshëm dhe krejtësisht të paligjshëm të prishnin stadiumin “Qemal Stafa”. Kjo është goditja e fundit që i dhanë atij kompleksi sportiv që kishte edhe aneksin, që kishte edhe palestra e që vazhdonte natyrshëm me Parkun. Po pse? Për të ngritur atje qendra biznesi, hotele, restorante, kulla. Duke lënë vetëm një fushë futbolli në mes, pa pistë atletike. Meqë ra fjala: pamë tërë ata stadiume në Francë, a patë ndonjë me kullë? Po kryeqytet pa një pistë atletike, keni parë? A mund të imagjinohet ekzistenca e çdo lloj sporti pa atletikën? Kjo mbretëreshë e sporteve ka vdekur në Shqipëri. Edhe historia e asaj që bart me vete ai stadium po fshihet. Një popull që s’ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Por trushpëlarësve pikërisht kjo u intereson: ekzistenca vetëm e së tashmes, katandisja e njerëzve në kafshë që kanë vetëm emocione primare, as kujtesë, as mendim e arsyetim, sepse kështu i manipulojnë më lehtë. Ja pse u duhet Kombëtarja si trushpëlarje.

Mburren dhe i shtyjnë njerëzit të mburren, pa u lënë një çast reflektimi. Në këtë vetëmburrje absurde kryekarafilit të Kryeministrisë nuk i mjafton që mburret me punën e zviceranëve, por kërkon të marrë edhe meritën se ka dizajnuar ai fanellën e Kombëtares. Organizon edhe pritje madhështore të Kombëtares, sikur të kishte dalë kampione e Europës. Nxjerr një milion euro nga lekët tona dhe ua jep, pa pyetur kënd, sikur t’ia kishte lënë trashëgim i ati. Dhe askush nuk i thotë gjë. Jemi në vendin e trushpëlarjes, ku gënjeshtarët dhe mashtruesit kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh. Ti që i zoti për gjë tjetër s’je, mba mashtruesit se mirë i ke – i thonë kësaj. “Oh sa mir me ken zviceran!”

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura