Kombëtarja si peng, Guri: Nuk e di çfarë duhet të bëj më tepër, jam gati për Panuçin

Mar 18, 2018 | 22:18
SHPËRNDAJE

Sindrit Guri është kthyer në një lojtar kyç për ekipin e Kukësit. Sulmuesi ka gjetur vazhdimësinë sa iu përket golave dhe ka shënuar 4 në vetëm 3 takimet e fundit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, autori i 11 golave flet për ecurinë e tij, mosgrumbullimin në Kombëtare, humbjen zhgënjyese ndaj Luftëtarit si dhe për ndeshjen e veçantë për të ndaj Vllaznisë ku është rritur.

Së fundmi, Guri thekson se është shumë i përqendruar te Kukësi dhe objektivat që ka ekipi. Ai pranon se ka oferta edhe aktualisht, por në fund të sezonit do i vlerësojë ato, do vendosë nëse do qëndrojë te Kukësi apo do largohet në një kampionat më të fortë jashtë Shqipërisë.

guri

Po kaloni një formë shumë të mirë, duke shënuar thuajse në çdo takim. A jeni i zhgënjyer që nuk u grumbulluat në Kombëtare?

Të them të drejtën, dëshira ishte e madhe, pasi po kaloj një periudhë mjaft të mirë, po besoj se trajneri i di mirë këto punë. Unë do jem gjithmonë gati për Kombëtaren dhe po bëj maksimumin për të qenë akoma një lojtar edhe më i mirë, por nuk është gjithçka në dorën time.

Çfarë duhet të bëni më shumë që të thirreni dhe a keni marrë ndonjë sinjal çfarë duhet të përmirësoni?

Nuk e di çfarë duhet të bëj më shumë, por unë di vetëm që po bëj mirë këtë periudhë kohe. Natyrisht që vend për përmirësim ka gjithmonë dhe unë dua që të përmirësohem akoma më shumë. Çdo gjë besoj që do të vijë më kohën, unë jam gati dhe besoj te vetja ime, besoj te forcat dhe aftësitë e mia. Të tjerat, i kanë të tjerët në dorë…

Humbje zhgënjyese në Gjirokastër, çfarë ju ndodhi në pjesën e dytë?

Unë mendoj që kur shënuam patëm disi rënie, por nuk arrij ta kuptoj pse humbëm në atë mënyrë. E kemi analizuar ndeshjen dhe akoma nuk po dalim në një konkluzion.

Keni biseduar me trajnerin dhe drejtuesit, çfarë duhet të përmirësoni?

Duhet të jemi gjithmonë të përqendruar dhe nuk duhet humbur vëmendja në asnjë moment. Po përmirësuam këtë, pjesa tjetër do jetë shumë më e lehtë.

Guri

Ndaj Vllaznisë kërkohen tri pikët, si e shikoni këtë takim?

Në çdo ndeshje luajmë për tri pikët dhe kjo është ndeshje e radhës. Duhet të japim maksimumin që të marrim rezultatin pozitiv që është fitorja. Kemi respekt për çdo kundërshtar, i vlerë- sojmë, por dihet që Kukësi është ekipi kampion në fuqi dhe kërkon maksimumin në çdo takim.

Një shkodran që luan kundra Vllaznisë, çfarë ndjesie ju jep kjo përballje?

Është në çdo ndeshje diç- ka e veçantë. Kam luajtur disa të tilla kundër ekipit ku jam rritur, gjithashtu dhe ndeshja e së hënës, por para çdo përballjeje, më duket gjithmonë si të ishte hera e parë që po luaj kundër Vllaznisë. Më vjen shumë keq për pozitat ku është, po mendoj se shumë shpejt do dalë nga kjo situatë se nuk e meriton të jetë aty ku është. Por, mua si futbollist profesionist më duhet të jap gjithçka për ekipin tim.

Kë nga ekipet shikoni si rival për vendin e dytë?

Mendoj se ne nuk do e diskutojmë në asnjë moment vendin e dytë. Ai pozicion në tabelë na përket neve dhe të tjerët të shohin për vendet më poshtë.

11 gola deri tani, me sa gola jeni i kënaqur që ta mbyllni sezonin?

Nuk e di numrin e saktë, por shpresoj të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj ekipin të ecim përpara, të arrijmë objektivat që kemi. Por, unë jam i bindur te aftësitë e mia. Kam besim te trajneri dhe drejtuesit e tjerë që më stërvitin. Çdo gjë është marrëdhënie reciproke besimi dhe profesionalizmi. Ata më kanë dhënë besim dhe unë do ua kthej me të njëjtën monedhë, me lojë të mirë dhe gola.

Do qëndroni te Kukësi edhe sezonin që vjen apo jeni i vendosur që të provoni një kampionat jashtë vendit?

Jam totalisht i përqendruar këtu te Kukësi momentalisht dhe do bëj maksimumin deri në fund. Normalisht që do preferoja një aventurë jashtë në një kampionat me nivel më të lartë se ky i joni, por mbetet për t’u parë në fund të sezonit.

SKERDILAJD SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura