Ilir Kerni e quan “Kombëtarja e baletit”. Ashtu si edhe në sport, edhe në art, kufiri shtetëror është vetëm një koncept simbolik.
Një përrallë zanash do të bëjë bashkë në të njëjtën skenë, artistë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri- Kosovë, në datat 1 dhe 2 prill do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, baleti “La Sylphide”, me koreografi të Ilir Kernit.
Kjo vepër me muzikë të Herman Lovenskiold e libret të Adolphe Nourrit, do të vijë nën interpretimin e balerinëve të TKOB dhe Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës. Orkestra Simfonike e TKOB do të drejtohet nga dirigjenti Gridi Kraja. Ndërsa atmosfera përrallore do të krijohet me skenografinë e Zorz Drausnik dhe kostumet e Elva Bellës. Përtej shkëmbimeve të shfaqjeve, turneve që trupat e dy teatrove kanë bërë në skenat e shoshoqit, tashmë bashkëpunimi është ngritur në një nivel më të lartë. Balerinët e të dy trupave kanë punuar së bashku për ngritjen e një vepre.
Një rast i mirë ky për t’u njohur, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të marrë më të mirën nga njëri-tjetri. Sipas drejtuesve të dy teatrove, ky nuk do të jetë një rast i veçuar, por do të vijojë edhe me të tjera bashkëpunime, duke e kthyer “Kombëtaren e baletit” në një realitet të prekshëm dhe jo thjesht në një “batutë” të rastit.
“NET ARABE”
Nga aventura e dashurisë me zana pylli, në datën 3 prill, një tjetër atmosferë magjike do të krijohet në skenën e TKOB-it. Në vijim të kalendarit të përbashkët, vjen për publikun baleti “Netët arabe” me koreografi të Pullumb Agalliut dhe interpretimin e Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës.
“Netët arabe” është një variant koreografik i përrallave të famshme “Një mijë e një net”. Dhe kështu do të ngjiten në skenë mbreti i tradhtuar Shehriar, Nurida kurorëshkelëse, Sheherezadja e bukur dhe e zgjuar, që zgjat jetën e vet dhe i kthen besimin mbretit, me aventurat e Simbad detarit, Ali Babës, Marxhanes, etj. Kjo botë përrallore do të ndërtohet me skenografinë e Ylli Selmanit dhe kostumet e Shemsi Avdiut.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al