Kombëtarja: A mund ta marrim më qetë?

Oct 10, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

    Nuk është e lehtë të gjendet ku e humbëm ndeshjen e Kombëtares sonë me Kombëtaren e Serbisë: gjëja më e thjeshtë është të thuhet “në fushën e blertë” Je brenda gjithsesi. I mbrojtur nga kundërshtitë. Sepse loja në fund të fundit zhvillohet në fushë dhe, pavarësisht përjashtimeve dhe aksidenteve, zakonisht fiton më i miri. Do të shtonim: sidomos më një arbitër të klasit të parë si italiani Ricoli që arbitroi ndeshjen tonë me Serbinë.

Por vetë sporti, ekspertët, studiuesit dhe gazetarët sportivë na kanë mësuar se ndeshjet e futbollit, përveçse në fushën e blertë, “luhen” edhe në shkallët e stadiumit, në dhomat e zhveshjes, në media, në histori, në zyrat e federatës, madje edhe në zyrat e qeverisë aty ku qeveria përzihet, përfshihet, fut hundët për kapital politik. Të gjithë këta faktorë, veç e veç dhe të marrë së bashku, kanë ndikimin e tyre në lojën e skuadrës dhe në rezultatin e ndeshjes. Unë nuk jam kompetent të flas e të shkruaj për humbjen që lidhet drejtpërsëdrejti me nivelin e lojës apo me gabimet e lojtarëve tanë në fushë.

Por mund të flas për atë pjesë të humbjes që besoj se ka ardhur nga jashtë fushës, sa në formën e një alarmi të madh sikur këtu do të bëhej nami, ndaj s’duhej të pipëtinte as miza, aq edhe në formën e një histerie politike-mediatike që mëton të tranpozojë suksesin eventual të skuadrës së futbollit në një triumf politik-elektoral të qeverisë. Të lidhura si dy anë të së njëjtës medalje, tensioni i shtuar dhe histeria politiko-kolektive e kanë kontraktuar mjedisin e skuadrës dhe psikologjinë e lojtarëve, duke i mbingarkuar me pritshmëri që shkojnë përtej lojës së futbollit. Sado profesionistë të jenë, ata nuk janë të imunizuar nga atmosfera që krijohet rreth tyre.

Në tavolinë, ndeshja me Serbinë nuk mund të mendohej e zakonshme. Kjo, sa për shkak të historisë, aq edhe për shkak të incidenteve të njohura  në ndeshjen e parë në Beograd. Disa masa të shtuara për forcimin e rendit ishin të justifikueshme në këtë kontekst. Po ashtu, edhe një investim mediatik i patepruar me spote dhe mesazhe sportive antiraciste dhe paqësore. Por, kushdo që e njeh Shqipërinë me njëfarë thellësie dhe e di ç’ka ndodhur në rajon gjatë dy dekadave të fundit, e kupton menjëherë se masat e regjimi policor që vendosi qeveria shqiptare për të siguruar jetën e Kombëtares serbe dhe mbarëvajtjen e ndeshjes ishin shproporcionale në raport me rreziqet reale që mund t’u rezervojë vendi ynë serbëve dhe çdo vendi fqinj. Nuk po futem në të thella për të evokuar këtu doktrinën e rilindasve tanë në lidhje me fqinjësinë e mirë, e shprehur bukur në poemën e Naim Frashërit, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

Nuk po ndalem te koncepti avanguardist i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, për shkëmbimet e hapura me serbët. Kur flasim për shqiptarët si një popull më i hapur dhe më tolerant me fqinjët se fqinjët me ta, duhet ta dimë se kjo vjen nga konstitucioni ynë, por edhe na është edukuar si normë e sjelljes me të huajt nga mendjendriturit e kombit. Për të ardhur në kohën tonë, ka vite tashmë, që pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së saj shtet i pavarur, marrëdhëniet me Serbinë kanë hyrë në kursin e shkëmbimeve gjithnjë e më intensive ekonomike, politike, kulturore dhe njerëzore. Serbët venë e vinë në Shqipëri në të katër stinët, punojnë, pushojnë, studiojnë, luajnë në skuadrat shqiptare.

Asnjë incident s’ka patur me ta për çështje të nacionalitetit. Për ndeshjen e turpshme të Beogradit, ne jemi kompensuar me tri pikë në tavolinë. Janë pikët që na mbajnë në lojë për të shkuar në Europianin e Francës. Të gjitha këto nuk e justifikojnë tensionin e lartë që u ngrit në Tiranë dhe në Elbasan për ndeshjen e së enjtes. Çfarë pritej të ndodhte? Të vinte turp, por të vinte edhe për të qeshur duke parë autobusin e Kombëtares serbe duke kaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në shoqërinë e eskortave të gjata policore, para dhe prapa, sikur po kalonte në Rripin e Gazës para shumë vitesh.

Qeverisë së Beogradit i ishte bërë ferra Brahim dhe këtë ndjenjë sikur ia kishte injektuar edhe qeverisë sonë. Si mund të padisë qeveria në këtë shkallë vendin e vet si vend huliganësh apo nacionalistësh eksTremistë serbofonë, kur nuk është i tillë për të gjitha arsyet që shpjegova pak më lart? Ka dy arsye: Ose Kryeministri është në sindromën e vitit zero edhe në këtë fushë, pra nuk kujtohet se lufta ka mbaruar dhe vitet ecin, ose ka dashur të bëjë shou, siç e ka zanat, për të treguar se çfarë nuk ndodhi, nuk ndodhi se e ndaloi qeveria dhe jo se nuk do të ndodhte vetë. Kjo është e bukur për ta treguar si episod të një romani satirik, por kur kujton se i gjithë ky operacion policor u ka kushtuar miliona lekë taksapaguesve shqiptarë, atëherë kjo nuk është më tallje, por humor i zi.

Të mos harrojmë më të keqen: bashkë me metastazat e huliganizmit të imagjinuar që nuk e pa kurrkush, operacioni i famshëm policor i kombinuar me operacionin mediatik goditi dhe mpiu edhe tifozërinë normale që bëhet në çdo stadium të botës, duke e shndërruar në një turmë nëpunësish në detyrë. Nuk e di a e kishin parashikuar këtë strategët e kastrimit të “Elbasan Arenës”. Por që kjo nuk e ndihmoi skuadrën, është si një e një bëjnë dy.

Me justifikimin se po investohej për imazhin e vendit, Kryeministri Edi Rama ishte shumë aktiv për të kapitalizuar politikisht fitoren eventuale dhe në mungesë të saj “tri pikët e nderit”, siç tha dje, që në fakt i kemi marrë nga KAS në Gjenevë. Ai shkoi dhe bëri një videoselfie në “folenë e ujqërve” siç e pagëzoi skuadrën kuqezi. Vuri trajnerin dhe lojtarët të bënin deklarata pas tij, duke u shfaqur si dashi i kopesë, siç themi në të folurën popullore. Nuk ndodh kjo në asnjë vend të Europës, as në Itali, ku Kryeministri i atij vendi ka qenë i dhënë pas shfaqjeve të cekëta populiste. Por me siguri trajneri i Kombëtares italiane nuk do ta pranonte kurrë një gjest të tillë që do të shkaktonte ilaritet dhe kundërshtime të mëdha në publik. Çdokush duhet të bëjë punën e vet. Trajneri është për të drejtuar e frymëzuar sportistët.

Kryeministri për të bërë politika të mira për sportin. Jo për të ushqyer histerinë populiste dhe për të nxjerrë përfitime politike gjoja si tifoz. Kjo është e njohur në Shqipëri, ia kemi parë sherrin disa herë në të shkuarën, prapë ia pamë pardje, dhe prapë do t’ia shohim derisa kryeministrat e këtij vendi të mos kuptojnë detyrat dhe limitet e tyre, të mos përdorin eventet sportive për të mbuluar dështimet dhe abuzimet e tyre. Kjo lloj histerie ka infektuar shumë tifozë, media, gazetarë dhe komentatorë sportivë, të cilët, me sa po shihet, i kanë futur në treg almiset e Kombëtares – dhe këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe- por kanë shkuar aq larg me tiradat e tyre herë pas here në kuptim për flamurin, për “legjendat” a thua se kemi koleksionuar disa kupa ndërkombëtare, sa harrojnë se ekziston dhe kundërshtari. Pllakata që më ka prekur më shumë në rrjetet sociale dje   ka qenë një ku shkruhej: shqiptarët festojnë para ndeshjes, jo pas ndeshjes. Kishte humor, por na nxirrte pak mendjelehtë.

Ne jemi një vend i vogël që kemi dalë vonë si shoqëri e organizuar në skenën ndërkombëtare. E vetmja rrugë, sipas mendimit tim, për të arritur ndonjë sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare është puna e madhe pa zhurmë, pa bujë, të cilën fati mund ta shpërblejë edhe me ndonjë talent të spikatur të fushës përkatëse, e gjithë kjo me mbështetjen e një qeverie që jep për sportin, kulturën dhe artin, por pa ta nxjerrë për hundësh. Monumenti i lavdisë sonë, Nënë Tereza, ka ardhur nga devocioni, pudori dhe përulja. Nëse kthehemi te futbolli, unë kujtoj se sa herë e kemi mbajtur skuadrën në krahët e publicitetit dhe histerisë, ajo ka rënë. Sa herë na ka dalë nga pritshmëritë e mëdha dhe ka luajtur pa presionin provincial, që nuk ka asgjë të përbashkët me sportdashjen, ka fituar.

A mund ta marrim më qetë pra këtë punë? A mund ta marrim më thjesht, më shtruar? Duke filluar që nga ndeshja e së dielës me Armeninë. T’u heqin presionin trajnerit dhe lojtarëve. T’i falënderojmë pa retorikë për çfarë kanë dhënë deri tani, t’i duam ashtu siç janë, të lutemi për suksesin e tyre. A mundet Kryeministri Edi Rama dhe flota e tij të shohin punën e tyre dhe të mos fusin hundët kësaj radhe?

Nuk jam supersticioz, por kur dështimi ndjek dështimin vetvetiu të shkon mendja se Kombëtarja e ka për ters këtë njeri. Shoh shumë tule, shumë dhjamë, shumë gusha katërkatëshe, shumë barqe të rrumbullakosura si të rojeve të qilarëve në botën tonë të futbollit. Qofsha i gabuar, por fitimtarët në sport unë i përfytyroj elegantë. Edhe kur janë për të drejtuar, për të shkruar, për të komentuar. Kjo është bota që mblidhet rreth suksesit ose dështimit në fushën e blertë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura