“Komandant”, godit si Tërmeti!

SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Gjuha me të cilën llafoset “Rilindja” është padyshim një nga risitë e këtij  pesëvjeçari plot zulme, bëma, tingëllima, zukama e hosana! Ajo nuk resht se befasuari në kërkim të thelbit njerëzor. Përkufizimi i së thjeshtës, së mirës, së keqes, marifetit dhe hajrit, është qellim i epërm e fundor njëkohshëm.Përmbushja e tij (qëllimmirit) synon të vendosë në piedestal njeriun, që i ka zët stërhollimet e tepërta e dyshimet e kota! Tahmaqarin që di të admirojë pa pikëpyetje e mëdyshje.

Sojliun që prej liderit të pamundurën e bën të mundur. Fisnikun, i cili pohon me zë të lartë e ç’isha unë para se te përzgjidhesha prej tij… e që nën zë vete përgjigjet:..një hiç..një zullap…një teveqel sokaku!? Namuzqarin që s’ka pretendime, por skuqet në vajin e vet për hatër të besimit. Trimin që hiperbolën e vërtit nëpër gojë si gjuhën e tharë nga etja. Poetin popullor që të quan Skënderbe, Pasha, Gjigant, Babam dhe Komandant i dëlirur së brendshmi nga çdo pikëpyetje marazi!

Te gjithë bashkë kompozojnë subjektin që rrëfen suksesin individual dhe atë kolektiv të kësaj maxhorance! Nga balta e Devollit tek enciklikat e Papës (sidomos ajo për bujqësinë) vërtitet dhe shtrihet harta e saj leksikore. Nga hokat, muhabeti e zënkat lozonjare sukave e hijeve të fiqve te dëgjesat në sallat e Kryeqytetit i shfaq hiret e veta sevdaja e qeverisë me popullin.

Nga xhevapdhënia e isharetet e Kryeministrit lëndinave, që hedh e pret nektar politik te deklaratat e shtypit me karakter të thellë enciklopedik të Taulant Ballës, përshfaqet krejt ndezullia e saj. Fjalori i ri ka bartësit e vet të spikatur. Tërmeti i Tepelenës u bë së fundi protagonist i radhës! Kryeministri nuk kërkon më mirë e më shumë. Ka gjetur selametin. Dridhjet e kësi tërmeti i japin adrenalinë, shpresë e vullnet deri në pathyeshmëri. Atje në mes të Tepelenës e gjet veten të pikturuar në murin e pallatit të sportit. Shyqyr që nuk e sheh Ornela Vorpsi, se mbase do çuditej si mund të habisësh njësoj Parisin dhe Tepelenën?! Të mendosh që ky është servilizëm provincial, është një kokëshkrepje ziliqarësh!

Kushedi ç’ka shënuar në defter Rama për Erion Velinë, Gjush Dakon, Subashin etj., që nuk janë ngritur ende në nivelin e adhurimit të Tërmetit. Me vete filloi shumë të dyshonte për ta. Por kjo rastësi ia mbushi kraharorin me dëfrim dhe e harroi krahasimin. Nëse të vete mendja që taksat tona përdoren për zografisje të portretit të Edi Ramës, është thjesht smirë. Çudi sesi Tërmetit gazmor nuk i ka feksur t’ia shkruajë emrin Komandantit në faqe të malit si Komandantit tjetër dikur motit. Por me gjasë e ka strukur atë ide pasi t’i japë lekët për stadiumin me emrin Ali Pasha.

Tërmeti i qethur bishtpëllumb e drodhi sallën, foli ashtu siç di ai, me dorë në zemër e me fjalët si sherbet epik. Si djalë i popullit e tribun i tij, pa derte intelektualësh që picërrojnë sytë në muzg duke tjerrur metafora, i hapi kanatet zemrës. Rilindja ka moton e saj. Duhet te bësh, jo të dish. Të veprosh, jo të mendosh. Dijen e mendimin i zotëron i madhi. Fjalimi ishte i gjithi substancë, kockë, rrah, i gjerë sa grykë e Mezhgoranit. Kryefjala ishte Edi Rama. Kallëzuesi ishte Edi Rama.

Përcaktor e kundrinor po Edi Rama, i cili herë thirrej me emrin e parë, herë më atë të betejës Komandant. Pastaj foli Edi Rama, i cili çmoi gazep Tërmetin, që lëvdoi Edi Ramën dhe e këshilloi atërisht të vazhdonte në këtë rrugë se nuk do t’i dalë keq. Ndërmjet pauzave kushedi ç’ka menduar Udhëheqësi ynë?! Mbase ka ëndërruar që i gjithë populli të admironte, sillej e fliste si Tërmeti. E ka thënë poeti Pessoa “admirimi të rrit”! Sa e ëmbël dhe e bekuar do të ishte kjo vetëdije!

Mirela Kumbaro (e cila do të kujtohet si askush tjetër për betonimin e Butrintit dhe shndërrimin në zgarë sallami, për Velierën e Durrësit, e cila sa një bina me hekur e çimento, do të gëzojë të madh e të vogël, paçka se mbulon me të ca rrënoja romake a bizantine dhe sidomos për yryshin për të shembur Teatrin Kombëtar e hapur shesh kullave) pllaquritej në shikime të ëmbla me sy të lëngëzuar. Fjala e Tërmetit i shkaktoi tërmet sentimental. I gufonte mideja nga dihamat e gëzimit. Togfjalëshat “të na rrojë sa malet”, “ky burri këtu” i shkaktonin llamburitje bebëzash.

A thua jam e dyta pas Tërmetit në zemrën e shefit, pyeste veten në heshtje dhe vetëgërryhej në kuriozitet?! Eh moj motra eh!!! U gëzua kur i erdh ndërmend që e kishte përkufizuar si “tërmet bio” kohë më parë, kur të tjerët kishin ndonjë dyshim, por u mpak, u venit, u mërzit kur u kujtua se shpesh e tepron me citime, emfazë e panegjirizma, produkt leximesh rinie për të spikatur para Kryeministrit. Një pikëllim si helmim i pushtoi gjithë kurmin. Mos kështu i kam bërë gjëmën vetes, mërmëriti në këtë kohë thjeshtësie dhe triumf të njeriut të mirë e bio?!

Iu kujtua Aldo Bumçi, i cili pat quajtur Berishën, “Vigan” dhe u zverdh ende më. Po sikur ta quaj Ramën “Vigan”, a mos më akuzojnë për plagjiaturë? A mos këtë mund ta thotë para meje Damian Gjiknuri, Aldoja i rilindjes para ndryshimeve të shtatorit? Dilema të mëdha e përfshinë ministrushen e Kulturës, teksa vazhdonte të yshtej në buzëqeshje të përunjur siç u ka hije shërbëtorëve të popullit e po kaq “leggiadra” si ditën kur puhiza i përkëdhelte cullufet, teksa shëtiste me skaf në det, tok me Romanen e Vlahutinëve. Tërmeti në debulesën e tij për komandantin ndjek me natyralizëm rrugën e xhaxhait Shefqet Peci, i cili shkroi diku nga viti 1986, Kryeveprën e letërsisë shqipe “Komandant na dogji malli”, e cila la pa gjumë edhe vetë Ismail Kadarenë nga xhelozia.

Nipi nuk pret si Shefqeti, i cili e botoi kur Komandanti e pat e vojt, por ia këndon epopenë në sy, pa iu dridhur qerpiku ashtu vendçe si Belexhiku. Rama, i cili shquhet për bixarritë linguistike dhe retorike, pritet ta shkundë vendin së shpejti me një fjalim si të Tërmetit kundër “mbetqejfeve” të Babales!

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Te lidhura

 

Artikulli paraprak'Kaloni një moment magjie', Rama e nis ditën me një ftesë për shqiptarët
Artikulli tjetërProvokon rëndë Koreja e Veriut, e quan zv/presidentin amerikan 'budalla' dhe paralajmëron...

S'KA KOMENTE

Comments are closed.