Kolonja prezanton ofertën turistike në Prishtinë! Kurti: Historia dhe kultura shqiptare nuk e ka vetëm rilindjen, por dhe antikitetin

Oct 7, 2022 | 10:19
SHPËRNDAJE

Albin Kurti1Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë është shtruar mbrëmjen e së enjtes një darkë me ushqimet tradicionale të Kolonjës. Me këtë rast, u prezantua edhe oferta turistike e këtij rrethi juglindor të Shqipërisë.

Rreth 200 të ftuar, mes të cilëve edhe krerët e shtetit si kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti ishin prezentë së bashku me ambasadorë të akredituar në vendin tonë, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Erseka është kryeqendra e rrethit të Kolonjës dhe kryebashkiaku i saj, Erion Isai, u shpreh i kënaqur që kanë arritur ta organizojnë këtë darkë në Prishtinë.

“Është shumë kënaqësi për ne që në Prishtinën tonë të bukur prezantojmë sot Kolonjën si ofertë turistike, ku pesë bujtinat kryesore të qytetit kanë shtruar një darkë për 200 personalitete të Prishtinës dhe me ftesën për të gjithë shqiptarët e Kosovës. Kolonja është një ofertë në juglindje të Shqipërisë në krahë të Korçës. Sot një pjesë e prishtinaseve po njihen dhe jam i bindur që do ta përcjellin tek të gjithë njerëzit se çfarë është Kolonja”, tha ai.

Ambasada e Shqipërisë ishte bashkëorganizatore e kësaj ngjarjeje, njëjtë sikurse ka qenë edhe ne organizime të tilla të ngjashme me qytetet e tjera.

Minxhozi-061022

Ambasadori Qemal Minxhozi u se ky aktivitet synohet të bëhet tradicional dhe në të ardhmen të vazhdohet dhe me bashkitë e tjera që vijnë në Kosovë për të prezantuar veten por edhe komunat e Kosovës të organizojnë aktivitete të ngjashme në Shqipëri.

Ai tha se e veçanta e kësaj është se bëhet ne katedrale dhe gjithë faktori politik i Kosovës është bashkë.

“Është hera parë që organizohet një aktivitet i tillë për Kolonjën por ne mendojmë që si me Kolonjën, si me Lezhën në të ardhmen do të vazhdojmë edhe bashkitë e tjera për të sjellë këtu mundësitë për të shpalosur këtu atë domosdoshmërinë për ta njohur sa më shumë njeri-tjetrin… Do të bëhet tradicionale çdo vit me disa bashki. Përveç se po bëhet këtu ne do të shkojmë në komuna nga Kosova, do t’i dërgojmë në Shqipëri për të promovuar të njëjtën gjë që bëjnë edhe vëllezërit dhe motrat tona”, tha Minxhozi.

kurti-061022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kolonja ka numrin më të madh të intelektualeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, derisa ka shtuar se në këtë darkë kujtojnë edhe rilindësit, të cilët rikthyen lashtësinë e popullit.

Ai tha se kolonjarët janë të famshëm edhe në muzikë, përveç se në histori.

“Historia dhe kultura shqiptare nuk e ka vetëm rilindjen të mbi përfaqësuar në Kolonjë, por njëkohësisht edhe antikitetin, andaj ne teksa mblidhemi këtu dhe ngremë dolli për Kolonjën, njëkohësisht edhe kujtojmë se rilindësit tanë janë ata të cilët e rikthyen lashtësinë e popullit tonë, dhe gjithashtu treguan se sa e rëndësishme për traditën është autoktonia. Kolonjarët janë të famshëm edhe në muzikë, përveç se në histori, janë të famshëm edhe me kulturën që na kanë sjellë, e këtu padyshim se Kolonja është Kolonja e sazeve popullore, e që dallohet për vizualitetin dhe interpretimin e këngëve, padyshim me njohura ajo me emrin as e vogël, as e madhe”, tha ai.

Nata e Kolonjës në Prishtinë solli aktivitete që kishin të bëjnë me traditën, fotografinë, peizazhin dhe ushqimet që gatuhen në Kolonjë./Kosovapress

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura