Kolonitë e piktorëve që fiksuan bukuritë shqiptare në telajo

Feb 16, 2018 | 12:10
SHPËRNDAJE
Piktorët, në një prej kolonive në Berat
Piktorët, në një prej kolonive në Berat

PASHK PËRVATHI

Trajtimin e parë piktoresk të peizazhit shqiptar me nota profesionale e hasim në vitin 1920. Është pikërisht në ekspozitën e parë të studentit dhe më vonë mjeshtrit të madh të peizazhit, Vangjush Mio, hapur në qytetin e tij të lindjes, Korçë. Nën eksperiencën e këtij mjeshtri, vite më vonë lindën dhe zhvilluan talentin e tyre, në këtë gjini arti, piktorë peizazhistë që lanë gjurmë në artin figurativ shqiptar. Në periudhën e realizmit socialist, megjithëse arti ishte i indoktrinuar, peizazhi, për pamundësi të shprehjes së “mendimit të madh”, mundi të zhvillohej në njëfarë pavarësie nga ndotja politike e kohës. Pas viteve ’90 hasim në një “heshtje”, si një pendesë apo pritje të arsyeshme që vinte prej rrokullisjes së ideve e koncepteve artistike tashmë të paqarta e konfuze në mesin e krijuesve.

Tranzicioni në mesin e piktorëve peizazhistë përfundoi me mbërritjen e kolonive të artit. Ato hynë në jetën artistike të vendit si një risi e bukur. I motivuan piktorët, i bënë të rriten më shumë artistikisht, por edhe të jetonin plot ditë të gëzueshme me artin që ata bëjnë. Si dikur Vangjush Mio, organizatorët e parë gjithnjë e kanë meritën e nismëtarit. E këtu, Bashkia e Korçës, e drejtuar kohë më parë nga Niko Peleshi, mban kreun e vendit. Prej vjeshtës së vitit 2007, kjo bashki vazhdon të organizojë koloninë e artit “Ditët e Mios”, në nderim të mjeshtrit të madh të qytetit të tyre. Por edhe të apasionuarit e artit, më së shumti individë të veçantë, janë mikluar nga ideja për të pasur koloni me artistë nga Shqipëria dhe diaspora në qytetet e tyre. Për piktorët peizazhistë po lindnin ditë të bukura krijimtarie.

Në ekspozitën time me natyra të qeta, në mars të vitit 2014, miku im Fatmir Toçi më shprehu idenë e organizimit të dy-tri kolonive në qarkun e Vlorës. “Është zona ime, – më tha, – dhe dua ta bëj këtë, se ndihem i detyruar si bir i kësaj zone. Aq më tepër që njërën koloni do ta kem shumë për zemër. Ajo do të jetë në zonën e Lumit të Vlorës dhe epiqendrën do ta ketë në fshatin e origjinës së prindërve të mi, në Kuç. Prej teje, – më tha Fatmiri, – dua të kem një asistencë, pasi t’i i njeh më mirë se kush janë piktorët peizazhistë.”

koloni

Nuk kaluan veçse pak ditë dhe Fatmiri përsëri, me anë të një email-i, më shprehu kërkesën se ishte koha për të menduar për kolonitë. Përgatita një listë përfaqësuese me piktorë peizazhistë nga i gjithë vendi. Emrat e Kujtim Buzës, Qamil Prizrenit, Buron Kacelit, Agron Dines, Nikolin Ivanajt, Vangjo Vasilit, Anastas Kostandinit, Aleksandër Filipit, Mustafa Arapit, Sefedin Stafës, Sadik Kasës, Gjergj Simonit, Pashk Përvathit, Jorgo Mici, Agron Polovinës, Agim dhe Xheneta Kadillarit, Luan Boriçit, Ikbale Kalaja,Helidon Halitit, Skënder Stricës, Edi Kojanit, Arsen Kurtit, Caush Vathit, Azem Kuçanës, Rikarda Nenshatit, Jordoan Findiku, do të përbënin “skuadrën përfaqësuese” në nismën e re të Institutit të Librit dhe Promocionit. Me vonë, kësaj liste do t’i shtoheshin herë pas here emra të tjerë, duke e pasuruar në frymë, stil dhe gjeografi.

Nga një dëshirë fillestare për të trajtuar në telajo zonën e Vlorës, organizatorët Fatmir dhe Irena Toçi e rritën ambicien e tyre. Nga Vlora u synua e gjithë Shqipëria, por jo vetëm kaq, Prizreni, Ulqini, Shkupi, Janina, Kalabria u bënë “pre” të artistëve të peizazhit. Masivizimi i kolonive u bë synimi i organizatorëve. Piktorët nga Kosova, trevat shqiptare të Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë, por edhe më larg, ishin të ftuarit e përhershëm të kolonive.

Kolonitë u kthyen në shkollë. Krijuesit me përvojë përsosën mjetet e tyre shprehëse, ndërsa ata më të rinjtë u rritën artistikisht. Pikturimi së bashku në natyrë të kujtonte shkollën e Barbizonit në Francë në shekullin e kaluar. Fryt i kësaj metode patën qenë edhe kolosët Klod Mane, Pisaro, Sislei, Renuar, Vang Gog e plotë të tjerë që bënë historinë e artit botëror në këtë gjini arti. Kolonitë krijuan atmosferë krijuese dhe festive në vendet ku shkelën piktorët. Ekspozitat në qendrat e qyteteve në ditën e fundit të kolonive ktheheshin në festa, por edhe në diskutime krijuese mes autorëve dhe banorëve vendas. Lindën njohje dhe miqësi të reja në vendet ku pikturuam. Piktorët pasuruan studiot e tyre me motive që dikur vetëm i kishin ëndërruar. Kalabria në pikturë ishte realizimi i ëndrrës së kamotshme; Gjirokastra dhe Berati – frymë- zimi i përhershëm; Valbona – “prekja me dorë” e epizmit të bjeshkëve; Vithkuqi – pigmenti i ngjyrave kontrastuese dhe të gëzueshme; Divjaka – akordi i nuancave të përmbajtura; Himara dhe Bregu i Vlorës – loja e bukur e dritës mbi gurët në buzën e ujit; Korça dhe rrethinat e saj – homazhi ndaj Vangjush Mios; Belshi – prekja e së bukurës që nuk e kishim njohur; Kuçi -nostalgjia e organizatorëve e kështu ndeshëm ndjesi pa fund.

Nganjëherë, ne jemi edhe produkt i rrethanave të fatit. Gjesti i organizatorëve Irena dhe Fatmir është vlera dhe dashuria e njeriut për vendin e tij. 42 kolonitë e organizuara prej tyre në harkun e dy viteve janë kohë produktive artistike e pashembullt, sa një shkollë. Nuk dua të bëj pesimistin, por vështirë të përsëritet më në të ardhmen një iniciativë kaq e guximshme dhe aq dimensionale. Kolonitë krijuan kohën e re të artistëve të peizazhit. Nëse kishim një stepje nga piktorët peizazhistë pas viteve ’90 për ta pikturuar peizazhin, në dhjetëvjetëshin e fundit ai e fitoi qytetarinë. Natyra u bë pjesë e qenies së tyre krijuese. Por jo vetëm kaq. Rrethet e artdashësve të kësaj gjinie u shtuan dhe dëshira për të pasur vepra arti në ambientet familjare ua kalonte edhe fqinjëve tanë të kulturuar. Por kjo lëvizje nuk ishte një fenomen i izoluar. Trajtimi i gjinisë së peizazhit edhe në botë ka pësuar masivizim. Në SHBA ndeshim organizime të shumta peizazhistësh dhe piktorë shumë të aftë të kësaj gjinie. Por jo vetëm në SHBA. Në Shqipëri, peizazhi rri mirë krah gjithë drejtimeve artistike që zhvillohen në vend. Piktorët peizazhistë për nga natyra e krijimit janë të heshtur. Ata më shumë flasin nëpërmjet veprës së tyre, por një gjë ua kërkojnë institucioneve të artit. Galeritë të hapin dyert për ekspozimin e veprave pa i paragjykuar ato. Sepse kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë ende, fatkeqësisht.

Fenomeni i kolonive tashmë është dimensionuar. Shpeshherë dëgjojmë për organizime të reja në qytete të ndryshme të vendit dhe për këtë na vjen mirë. Pirro Stefa në Vlorë, Genc Bregu ne Berat, Mustafa Subashi, Caush Vathi dhe Viktor Dhimgjini në Durrës, Kadri Caja në Elbasan, Bekim Xheka dhe Izet Zeka ne Permet, Tom Therçaj në Vermosh, Shoqata “Antik” dhe Mihallaq Çomo Pogradec, janë organizatorët në gjeografinë e re të shtrirjes së kolonive.

Edhe nëse Kolonia e Artistëve Figurativë e drejtuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit është në finishin e startit të saj, ne piktorëve peizazhistë nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’ju themi një FALEMINDERIT të madhe për gjithë përkushtimin dyvjeçar të miqve tanë, Irena dhe Fatmir Toçi. Kontributi juaj është vlerë e shtuar në veprat e mira që kanë ndodhur në këtë vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura