Koliqi e Camaj: Enveri, frikë nga një antirevolucion hungarez

Jul 7, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi në një shkrim “Poetët, “gju më gju” me diktatorin”, tregon për përplasjet mes shkrimtarëve shqiptarë, si lindi debati mes shkrimtarëve “të rinj” e “të vjetër” në vitin 1961 dhe vëmendja e diktatorit Enver Hoxha në këtë çështje. Në shkrimin e sotëm, ai flet për atë se si ndiqej në diasporë debati mes shkrimtarëve të rinj dhe të vjetër.

skifter kellici

vijon nga numri i kaluar (lexo këtu)

Debati i vitit 1961, i zhvilluar në mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe në shtypin e kohës, do të ndiqej me vëmendje edhe në diasporë. Në revistën “Shejzat”, poetët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, tashmë në ekzil, të dënuar nga regjimi komunist për “tradhti ndaj atdheut” do të shprehnin mendimin e tyre mbi mënyrën se si Enver Hoxha po i mbante nën zgjedhë shkrimtarët në Shqipëri. Ndërkaq, kryesisht në Tiranë, vazhdonte përplasja, jo më në tribunën e mbledhjeve, por në faqet e gazetave dhe revistave. Nga njëra anë, Mark Gurakuqi, përfaqësues i brezit të “vjetër”, e nga ana tjetër Dritëro Agolli në mbrojtje të të rinjve, vijuan debatin, të cilit në fakt i kishte vënë vulën Enver Hoxha me një premtim të rrejshëm. Nuk do të ishin pak ata poetë që do të internoheshin, madje dhe do të pushkatoheshin viteve të regjimit komunist.

JEHONË TAKIMIT NGA ERNEST KOLIQI E MARTIN CAMAJ

Zhvillimet e letërsisë shqipe ndiqeshin me vëmendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptarë që ishin të detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetit nga regjimi komunist. Të tillë ishin, p.sh., Ernest Koliqi e Martin Camaj.

Në revistën “Shejzat” (viti VII, 1963), që botohej në Itali, shkruhet një artikull i gjatë kushtuar takimit të Enver Hoxhës me poetët e vjetër dhe poetët e rinj, të cilin Fatos Arapi e përfshin të plotë në librin e tij “Kur kujtohen që jam”, ku jepen vlerësime të tyre për këtë takim. Po citojmë disa fragmente nga ky artikull:

“Në letërsinë shqipe kanë pasë qenë ba hapat e parë të mbarë dhe kanë qenë vu gurët e themelit të gjinive letrare përpara ardhjes së komunistëve në fuqi. Kjo asht kaq e vërtetë sa edhe sot mbas zhbimjes, sharrimit e shartimit të shkrimtarëve ma të mirë, që gjetën të kuqt, përpjesëtimi i të rinjve me te vjetrit në Shqipni qindron ende afërsisht tre me dy në fitim të të rijve.

vilson blloshmi

E tash, për të pa se qysh i ve në hulli e shtrumë Enveri pendëtarët e Shqipnisë sot, le t’i hudhim nji sy premtimit të tij patetik në mbledhjen e gjanë me shkrimtarët (Revista “Nëntori’, nr 8, gusht 1961), mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të PPSH-së,(Partis Komuniste Shqiptare): “Prandej këtë dashuri, këtë besnikëri dhe patriotizëm, që ushqeni për popullin dhe atdheun, (lexo partinë), partia do t’ua shpërblejë dhjetë dhe njëqind herë më shumë me kujdesin e saj. Partia është me ju, partia është çdo çast me të renë dhe ju për çdo hap tuajin do të kini kurdoherë ndihmën e përkrahjen e pakufishme të Parisë dhe Komitetit Qendror”…

Më poshtë në këtë artikull theksohet:

“Duhet shënue këtu se kjo mbledhje ngjet mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të Partis mbajtë për shkak t’akrobacisë politike qi bani udhëheqsia e kuqe e Tiranës tue shqelmue Moskën dhe tue u lëshue në prehën të Pekinit. Mandej duhet vërejtë se bari kryesuer qi Enveri i kon turmës së privilegjueme të shkrimtarëve të hutuem e të friksuem se mos binë në kurthe befas, asht temjani dehës “superhipokrit” i nacionalizmit….

Hec e thuej tash se këta shkrimtarë e artista nuk janë… “ushtarë që dalin prej kazermës simbas buris së burizanit për në paraqitjen e forcës në resht e gërthasin me sa za kanë: nji dy, këtu, këtu, këtu..!” I gjithë halli qi e shtrëngon Partinë me u lëshue penin… asht frika se mos e “mprehin pendën”, dhe krijojnë nji kundërrevolucion, si atë të tetorit të 1956-ës në Hungari..”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndonëse larg atdheut, bënin një analizë të drejtë të gjendjes së krijuar pas mbledhjes së 11-të të korrikut.. Poetët e rinj e të vjetër, edhe po të mos donin, ishin të detyruar të bëheshin ushtarë të bindur të Partisë. Sidomos të rinjtë, talenti i të cilëve i duhej diktatorit më shumë se kurrë.

DEBATI ZHVENDOSET NE SHTYPIN LETRAR

Guarakuqi kundër Agollit

Fillimi i viteve ’60, duhet vënë në dukje, ka qenë periudha e një farë lirie shtypi nëpërmjet debatesh në shtypin letrar, ku shfaqeshin edhe mendime të kundërta, (natyrisht, jo kundër Partisë). Është për t’u habitur se si nga Kupola e kuqe nuk erdhi ndonjë sinjalizim, për t’i ndërprerë këto debate që lexoheshin me kureshtje dhe interes dhe në një farë mënyre të kujtonin debate dhe rrahje mendimesh të intelektualëve tanë që ishin parë në shtypin tonë gjatë viteve ’30. Por, duhet shtuar se asokohe frynte një farë liberalizmi, që u shfaq sidomos në krijimtarinë letrare dhe veçanërisht në poezi.

Them kështu, sepse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961, dhe sidomos në vitet ’63-‘64, censura hyri menjëherë në veprim.

Kjo solli si pasojë që në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të kritikoheshin ashpër dy drama, përkatësisht të Fatos Arapit dhe Qamil Buxhelit, “Drama e partizanit pa emër” dhe “Dueli”, të cilat nuk e panë kurrë dritën e skenave. Më keq, siç përmenda më sipër, ndodhi me dramën “Rrethimi i bardhë”, të Naum Priftit, që u shfaq në Teatrin e Korçës më 1964.

Po të kthehemi te debatet në shtyp për poezinë, kam ruajtur që atëherë disa artikuj, që u botuan menjëherë pas takimit të 11 korrikut, të cilat pasqyrojnë një diskutim të gjerë, të ashpër, por, megjithatë konstruktiv, që, siç e cilëson poeti dhe kritiku Agim Vinca, “mund të cilësohet një polemikë me të vërtetë letrare”.(“Alternativa letrare shqiptare”,faqe 59).

Edhe pse diktatori Hoxha, u dha pasaportën poetëve të rinj, prapëseprapë ata mbetën nën shënjestrën e poetëve të vjetër. Do të përpiqem ta rindërtoj këtë debat edhe nëpërmjet studimit të Agim Vincës, botuar në librin e mësipërm.

Ato që kritiku dhe poeti Mark Gurakuqi nuk kishte arritur, me sa dukej, t’i shprehte në takimin e 11 korrikut, gjeti rast t’i trajtonte në një artikull të gjatë, me titull “Traditë dhe novatorizëm”, (“Drita”, 13 dhe 20 gusht 1961), ku, ndër të tjera, shkruante:

“Në këto vitet e fundit, kryesisht disa poetë të rinj kanë fillue të shkruejnë në një mënyrë tjetër nga ç’shkruhej ma parë. Hapin e parë e baniIsmail Kadareja e mandej disa të tjerë si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Halil Qendro, e madje edhe Dhori Qiriazi e Sandër Gera, që zakonisht shkruenin simbas modeleve klasike. Nuk po përmend disa emna fillestarësh”.

Më pas gjuha e Mark Gurakuqit nuk ka asnjë ndryshim nga gjuha që përdorën Andrea Varfi e Luan Qafëzezi në diskutimet e tyre para Enver Hoxhës. Madje, ai tregohet i ashpër kur nis e analizon poezinë e Kadaresë:

“Për mue, -shkruan ai, – kjo asht në një pjesë të mirë të saj, një poezi e diskutueshmne për disa arsye, siç asht ajo e reduktimit të figurës si mjet më vetë e, në disa raste, e shmangies së saj nga tradita e poezisë sonë…”.

Për ta ilustruar mendimin e tij, ai merr si shembull poezinë “Laç” dhe ndalet te vargjet:

“Shoh se si një mbrëmje vere,

do të zbresë nga mali një malësor,

si kompas mbi këmbët e gjata”.

Më tutje veçon vargjet:

“Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,

s’do të gogësijë duke pirë çaj,

i futur në pizhame”

“Sa i ruejnë tiparet e një poezie kombëtare disa vjersha të Kadaresë?”, shtron pastaj ai pyetjen. Mirëpo, ta shtrosh këtë pyetje dhe në këtë mënyrë, do të thotë ta ngushtosh shumë konceptimin e kombëtares, për të mos thënë se nuk e kupton këtë konceptim të ri, ose, për më keq, se nuk do që ta perceptosh.

Dhe kjo, sepse ai nuk duron figura të tilla, të cilat për herë të parë e më guxim po përdoreshin nga poeti i ri, që thyente tabunë vendosur me një ligj të pashkruar nga poetët e vjetër, duke përfshirë edhe vetë Mark Gurakuqin..

Të njëjtin qëndrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit. Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuem”, qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur, vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”. Dhe si shembull për këtë merr vargjet:

“Çitjanet mjegulla i ngriti e bredh,

ashtu si plakë, kur lumin hedh”.

Dhe më poshtë:

“Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli,

si fjalë idili.

si fjalë gazeli..”.

Të gjitha këto gjetje, edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkuese, të papërceptueshme e alogjike, sepse “ç’punë ka mjegulla me çitjanet e plakës”(Po aty).

Më poshtë në artikullin e tij ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë, se deri në atë kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmendjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e goditura në shtypin letrar.

Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”, për shkak se në të hasen “gjurmë të një perceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk është në funksion të idesë”.(Po aty).

Është për të ardhur keq, por duhet thënë, se në këtë artikull të gjatë studimor shprehej një farë zilie, siç më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Gurakuqi, sipas tij, dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin zili poetët e rinj, jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”, por sepse ata vetë nuk ishin më në gjendje të krijonin poezi me të tilla figura. Natyrisht, siç thekson Agim Vinca – “audatur et altera pars”, (shprehje latine: “Të dëgjohet edhe pala tjetër.”)

PALA TJETËR NUK VONON TË PËRGJIGJET

Agolli kundër Gurakuqit

Ishte Dritëro Agolli ai që iu përgjigj Mark Gurakuqit në një artikull me titull shumë kuptimplotë: “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961. Ky ishte i pari artikull serioz kritik, i cili botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar i “Zërit të Popullit”.

Dhe ç’është më interesante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshirë edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të vjetër, duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe. Në këtë artikull Agolli nënvizon se poezia e deriatëhershme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet te tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njëjta vepër”.(po aty).

Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe poetëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit, Kolë Jakovës, Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, veç të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipie, si “kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideoemocionale të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV”.

(“Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, “Drita”, 27 gusht 1961). Dritëro Agolli theksonte më tej se, “të kënaqur me krijime të nivelit mesatar, nën pretekstin e ruajtjes së traditës, që s’është veçse një iluzion i bukur, e frenojnë procesin e rinovimit të poezisë, ngushtojnë përmbajtjen e tematikës… varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe, për pasojë, e ftohin lexuesin prej poezisë”. (po aty).

Ky artikull shkruar me profesionalizëm dhe zgjuarsi, ishte vazhdimi jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimin e 11 korrikut, ku ai kishte munguar, por edhe vazhdimi një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut, Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”, që ishte botuar po në gazetën “Drita”, më 18, 25 qershor dhe 2 korrik, artikull cituar në pjesën e parë të këtij cikli.

Siç thekson Agim Vinca, Drago Siliqi në këtë artikull merret me shpjegimin dhe interpretimin e këtij fenomeni, duke e parë atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur, kërkimi i së resë, ishte bërë “çështje dite”. (“Alternativa letrare…” faqe 68).

EPILOG

Ngadhënjimi i së resë dhe haraçi i saj

Në këtë betejë të gjatë poetët e rinj fituan. Natyrisht, në radhë të parë, nga mbështetja që iu dha vetë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart. Si çdo diktator, ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj, që t’i thurnin himne partisë e doemos dhe udhëheqësit të saj gjenial, pra, vetë atij, detyrë prej skllavi që poetët e rinj, siç e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin.

Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin edhe ata, të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin patjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver. Po jap një shembull tipik që ma ka treguar miku im, kritiku i njohur letrar, Adriatik Kallulli:

“Kur Bilal Xhaferri, – kujton ai,- më solli vëllimin e tij poetik, ‘Lirishtja e kuqe’, vura re se nuk kishte përfshirë në të as edhe një poezi për Partinë. E këshillova që të shkruante një të tillë. Dhe pas disa ditësh ai më solli një poezi që fillonte me këto vargje:

Parti,

emrin tënd të gdhendur e kam,

në pëllëmbën e dorës sime”

Thikë me dy presa. Pra: “E dua kaq shumë partinë, sa e kam me vete kudo në dorë”, por edhe: “Dua, s’dua, partia nuk më ndahet, përderisa shkronjat e saj më janë ngulur në dorë”

Megjithatë, poetët tanë më të mirë e vazhduan rrugën e tyre drejt krijimit të një poezie që shtronte kërkesa të reja, duke kapërcyer madje edhe kufijtë që kishte shpallur vetë diktatori. Dhe e paguan rëndë. Më 1965 në gazetën “Drita” botohej poema “Baballarët” e Dritëro Agollit. “Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi për një farë ‘patriarkalizmi’ në poemë,- vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (Faqe 150). Dhe vazhdon: “Para një gote konjaku Agolli pinte i vetëm. Ishte i dëshpëruar. Shkova drejt tij… Në çast Dritëroi tha: “Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”.(Po aty). Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969 fitoi madje edhe çmim të parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit. Vëllimi poetik “Më jepni një emër”, i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte për “gabime të rënda ideore”, por ai vetë, nga pedagog i letërsisë në UT, do të përfundonte mësues në një shkollë mbrëmjeje. Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t të vitit 1973. Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969 për botimin në faqet e “Nëntorit” të novelës “Përbindëshi”, që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më 1973 për “gabime ideologjike” në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” që u detyrua ta ripunonte dhe ta ribotonte disa vjet më vonë, më 1975, siç e pamë dhe më lart, do të kritikohej ashpër nga vetë tirani në ditarin e tij vetjak të datës 20 tetor 1975 për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të cilësuar prej tij si vepër armiqësore dhe vetë Kadareja si poet korbash. Siç shprehet në faqet e këtij ditari, veç të tjerash, atë e tmerruan vargje të tilla të kësaj poeme si:

“Burokratët janë tjetër gjë,

Jo me bojë pelikan përjargur,

Si tuhafë të këndshëm, ho,ho,ho, Por të kobshëm,

Me duar të përgjakura,

Gjer në bërryla unë i shoh”.

Ndaj, në ditarin e tij për këto vargje diktatori shkruante tërë mllef: “Për këtë poet reaksionar, rendi ynë socialist është rend burokratik dhe burokratët i kanë ‘duart të lyera deri në bërryl me gjak’. Të gjithë këta përbindësh të veshur ‘si pashallarë të kuq me dekorata’etj… kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”. ( Ditari vetjak 20 tetor 1975).

Dhe më poshtë ky i ashtuquajtur vazhdues i veprës së Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, duke përdorur një fjalor banal dhe të pështirë të denjë për një rrugaç, e urdhëron kështu lakeun e tij:

“…Përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”.

Nuk mjaftohet me kaq, por pastaj i sulet dhe Ramiz Alisë, që e kishte dhe ideologun e tij dhe e asgjëson me fjalët përçmuese:

“Nuk të lejohet të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga figurat dhe pseudomburrjet që i bën Enver Hoxhës. Kjo, i them, Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë…. Duhet të kesh forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here te ti”. (Ditar vetjak, 20 tetor 1975).

(Sigurisht me fjalët “pikëpamje liberale” diktatori e ka pasur fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH, (dhjetor 1972) dhe dukuri të tjera në fushën e letërsisë dhe arteve, që janë trajtuar në pjesët e para të këtij dosieri, për të cilat, i pari që kishte pasur përgjegjësi Ramiz Alia, ndaj të cilave kishte marrë masa, deri në burgime dhe internime, kurse ndaj tij vetëm disa kritika, pikërisht për këto pikëpamje liberale që po nxirrnin kokë përsëri tek ai).

Sikur këtë poemë ta kishte shkruar ndonjë poet tjetër, pa më të voglin dyshim do të kishte përfunduar prapa hekurave. Por, siç dukej, me gjithë urrejtjen, por edhe dhe zilinë ndaj Kadaresë që po përkthehej jashtë vendit nga shtëpi botuese “borgjeze”, siç i quan ai në ditarin e tij, kurse të ashtuquajtura vepra të tij përfundonin në bodrumet e ambasadave ose në koshat e plehrave, të hedhura nga ata të cilëve u ishin dhuruar, Enver Hoxha nuk e mori këtë masë të skajshme kundër Kadaresë. Dhe kjo, sepse e merrte me mend se personalitete të mëdha të kulturës dhe letërsisë botërore do të ngriheshin dhe do të kërkonin lirimin e menjëhershëm të këtij shkrimtari që kishte tashmë popullaritet në shumë vende të botës dhe do ta demaskonin atë si diktator fanatik stalinist. Dhe nuk do të gabonin as edhe një grimë. Po të kthehemi të problemet që po trajtojmë.

Vini re: Janë pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtja nga Enver Hoxha! Por tani e kishin kapërcyer kufirin e caktuar nga ai!

Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore. Të tillë ishin B. Xhaferri, vëllimi poetik i të cilit, “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në SHBA, ku u gjend i vdekur në një spital të Çikagos në rrethana misterioze. (Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit). H. Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, të Agollit dhe poet me talent, u internua për vite e vite në fshatrat e Progonatit, F. Haliti, u degdis në humbëtirat e Lushnjës, Xh. Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha për poezi surrealiste, shpëtoi çuditërisht pa u dënuar. H. Meçe u dërgua me dënim në Vlorë, M. Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”. Të dy për dukuri hermetike në poezitë e tyre, kurse një tjetër, Frederik Reshpja, poet i talentuar, përfundoi madje në burg dhe pas tij edhe poetët J. Bllaci, Z. Morava, P. Taçi.

Në përpjekje për t’u arratisur më 1963, fat tragjik pësoi poeti ushtarak, Trifon Xhagjika, i cili u dënua me pushkatim. Këtë fat pësuan edhe poetët e rinj V. Blloshmi dhe G. Leka, që u pushkatuan mizorisht më 1978 nga diktatura.

“Afirmohuni me vargun tuaj dhe, në rast se ju do populli, ai varg është i mirë”, u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961. Mashtronte. Populli i kishte afirmuar poetët e rinj. Por jo ky diktator. Ja sepse, herë pas here, siç e pamë, kur shihte edhe shkarjen më të vogël nga kanunet e tij, vringëllonte pa mëshirë, kosoren mbi kokat e tyre.

Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare, Arapi, Agolli, e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në atë periudhë të plumbtë, e cila, me gjithë censurën e fortë, tingëllon e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona.

SKIFTER KËLLIÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura