Koliçi qëndron te Kukësi, zbulohet kontrata e majme që e bindi të heqë dorë nga gjyqi

Aug 11, 2017 | 9:55
SHPËRNDAJE

Enea Koliçi do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së Kukësit edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik. Edhe pse lojtari ka kërkuar largimin me pretendimin se i kishte përfunduar kontrata, madje duke kërcënuar edhe disa herë me gjyq, ai ka arritur dje një marrëveshje për të vazhduar edhe për një vit.

Kolici

Kështu, ëndrra e Skënderbeut për të marrë lojtarin për sezonin e ardhshëm nuk është realizuar, pasi kontrata që kishte me verilindorët e ka detyruar futbollistin të rikthehet në ekip. Ai do të dalë sot në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Milinkoviç, që duhet të jetë i lumtur për rikthimin e “gardianit” në skuadër.

Kjo marrëveshje e re mes lojtarit dhe klubit është arritur edhe me ndërmjetësimin e ish-drejtorit Dritan Dervishi. Ndërkohë që sot lojtari do të firmosë edhe kontratën e re me klubin. Gjatë ditëve të fundit, u fol se Koliçi kishte firmosur me Skënderbeun, por ai do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën e verilindorëve edhe për një tjetër sezon.

Prapaskenat

Edhe pse ishte nën kontratë për sezonin e ardhshëm, presidenti Gjici, për shkak të paraqitjeve të shkëlqyera, i ofroi Koliçit dyfishin e rrogës, 50 mijë euro në sezon, por pogradecari ka kërkuar 60 mijë euro. Palët janë ulur në bisedime dhe secila prej tyre ka lëshuar disi nga kërkesat që ka bërë.

Burime të gazetës kanë bërë me dije se Koliçi ka vendosur kushte të reja për qëndrimin e tij në ekip. Ai do të firmosë një kontratë 1-vjeçare, e cila nuk do të ketë asnjë lloj pengese apo klauzole për të ardhmen dhe pagesa vjetore do të jetë 55 mijë euro, një pjesë e të cilave do të paguhet në dorë.

“Panorama Sport”, gjatë ditës së djeshme, ka kontaktuar me futbollistin, i cili është shprehur: “Jemi në negociata. Nuk kemi arritur marrëveshjen, por të shohim”.

Gjithsesi, pas daljes së sotme në stërvitje me kampionët, Koliçi do të shuajë përfundimisht të gjitha aludimet për një largim të tijin nga skuadra. Duhet thënë se drejtuesit e klubit kanë gjobitur me një pagë mujore lojtarin për mosparaqitje në stërvitje, por do të mbetet për t’u parë nëse ajo do të aplikohet.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura