Koleksionistët

Nov 23, 2015 | 10:53
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Nga koha kur isha nxënës në klasë të shtatë, më kujtohet, ndër të tjera, që nisa të koleksionoja pulla poste të vendeve të ndryshme, ashtu si shumë shokë të moshës sime. I fusja në faqet e një libri të trashë të tim eti, i kundroja me ëndje, hapja atlasin, gjeja se në ç’kontinent ndodhej vendi përkatës, ngulitja në kujtesë emrin e kryeqytetit të tij; nga ana tjetër, më qëllonte të këmbeja pulla me shokët e mi.

 

Kishte disa pulla që vlenin më shumë se disa të tjera, kështu, mbaj mend, për shembull, se një Tanganikë vlente sa dy Itali, një Meksikë sa tri Greqi etj. etj. Po ta mendosh më thellë, kjo ishte ndoshta një mënyrë e pavetëdijshme për të ruajtur njëfarë lidhjeje fort të tërthortë me botën që na rrethonte përtej kufijve shtetërorë.

Këtë dukuri, pas shumë vitesh, Ismail Kadareja do ta përmendte, sigurisht në dy rrafshe të kuptuari, te romani i tij “Kronikë në gur”. Më vonë, pata shokë që nisën të koleksiononin letra karamelesh, nga të cilat një e jashtme këmbehej me katër a pesë të vendit; e njëjta gjë ndodhte edhe me pjesën ballore të paketave të cigareve: një Diamant këmbehej me dy-tre Luksi ose me pesë-gjashtë Partizani, ndërsa ballina e një pakete cigaresh të jashtme, Marlboro apo Kent, kishte katër a pesë herë vlerën e një Diamanti.

Mbaj mend që shokët e mi, nganjëherë edhe unë me ata, shkonim te kazanët e plehrave pranë hoteleve ku buanin ende shtetas të huaj, me shpresë se do të gjenim ndonjë paketë të jashtme, madje, një herë, u ndeshëm me një polic që na qortoi ashpër kur na pa që u ishim afruar ca si shumë kazanëve në fjalë.

Vite më vonë, me mbylljen në vetvete të Shqipërisë tmerrësisht diktatoriale dhe, për pasojë, me varfërimin shkallë-shkallë të shqiptarëve, jo vetëm të rinjtë, por edhe të rriturit në disa qytete nisën të koleksiononin gjithfarësoj kanoçesh e shishesh të jashtme, të cilat i mbanin si zbukurime në bufe apo në të tjera orendi. Sot, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, ka lloj-lloj njerëzish që koleksionojnë lloj-lloj gjërash si, për shembull, monedha, tapa shishesh, prefëse thonjsh, etiketa të ndryshme, varëse çelësash dhe kuti bosh prezervativësh.

Deri këtu, asgjë anormale. Mirëpo, pardje, ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi më tha se i biri, Tarek Armadhi, prej disa kohësh kishte nisur, me gjithë habinë e të atit, të koleksiononte… kuponë tatimorë, nga ata të shumëpërfolurit e ditëve të sotme. Sigurisht, shkaku nxitës mund të kishin qenë ata zëra deri diku gjysmëzyrtarë, sipas të cilëve ke të drejtë që, me një numër të caktuar kuponësh, shuma e të cilëve të arrijë të paktën deri në 5000 lekë (fringo të rinj, patjetër), por ndoshta edhe më shumë, të përfshihesh në Lotarinë e Madhe Kombëtare të Kuponëve Tatimorë e të fitosh para me grushte (por pa shkelma).

Sigurisht, Françesk Armadhi e kishte paralajmëruar të birin lakmitar se duhej të ruhej nga tundimi për t’i blerë kuponët e të tjerëve si të ishin letra me vlerë. Në qoftë kjo e vërtetë, druaj se ata që do të mund të marrin pjesë me kureshtje e kënaqësi në këtë lotari duhet të tregohen gjithsesi të vëmendshëm e vigjilentë, sepse Shqipëria jonë tmerrësisht demokratike ende ruan shijen farmak e pelin të hidhur të epokës postfaraonike të piramidave (Të jetë vallë rastësi ngjashmëria tingëllore midis emrit të faraonit Ramses dhe atij të Kryeministrit Rama?).

Së fundi, kam përshtypjen apo, më saktë, ndjesinë se, në u ushqeftë populli ynë me idenë e lotarisë kombëtare të kuponëve tatimorë, lotari kjo shpërblyese e shpëtimtare për Shqipërinë tonë tmerrësisht të rilindur, mund të rritet numri i koleksionistëve shqiptarë deri në atë pikë, sa ata të bashkohen në një shoqatë me në krye Tarek Armadhin, e cila shoqatë, duke u afirmuar gjithnjë e më tepër në arenën ndërkombëtare të kuponëve tatimorë, do ta shpëtojë Shqipërinë nga kthetrat e krizës, duke u bërë kështu shembull e fanar ndriçues për mbarë popujt e botës së tretë, të katërt e të pestë, që vuajnë nga varfëria ekonomike dhe sidomos shpirtërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura