Ditën e djeshme u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca e radhës për anëtarët e grupit të zjarrit në çështjen “Lazarati II”, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, dhe u plagosën dy kolegët e tij.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura dëshmoi njëri prej efektivëve të plagosur në atë ngjarje, Jetmir Isaj, dhe një koleg i tij që ndodhej në blind, Perlat Shpati. Burimet për gazetën thonë se Isaj tregoi se si u vra efektivi Basha.
Ai tha se mëngjesin e 24 qershorit 2015 ishin udhëzuar që të shkonin në Lazarat, pasi kishte pasur të shtëna. Isaj kujtoi se kishin marrë edhe foto të disa të dyshuarve që mendohej se qëllonin me armë në fshat.
Vrasja, sipas tij, ndodhi pas orës 8:30 të mëngjesit, kur u thirrën për ndihmë nga disa kolegë, që kishin ndaluar një mjet të dyshimtë. Furgoni i pablinduar i Policisë u qëllua disa herë me armë dhe aty mbeti i plagosur. Më pas ai vuri re se Ibrahim Basha ishte qëlluar gjithashtu.
DËSHMIA
“Më 24 qershor 2015 ishim në Gjirokastër, rreth orës 05:00 të mëngjesit. Aty kemi marrë instruksione nga shefi i seksionit për një situatë problematike në fshatin Lazarat. Na u tha se ka pasur të shtëna me armë. Na dhanë edhe fotografitë e të dyshuarve dhe rreth orës 8:30 të asaj ditë jemi dislokuar në hyrjen e rrugës që të çon në fshat.
Pasi kemi hyrë për patrullim në fshat, jemi urdhëruar pas 10 minutash nga eprori që t’i shkonim në ndihmë një grupi kolegësh që kishin ndaluar një person me automjet dhe që dyshohej se ishte i armatosur. Sapo jemi afruar në vendin e njohur si “Pularia”, kemi rënë pre e të shtënave. Nuk po e kuptonim nga vinin. Të shtënat vinin një e nga një. Po na qëllonin në mënyrë të kontrolluar. Unë vura re që u plagosa në shpatullën e djathtë.
Më pas vura re se Ibrahim Basha kishte mbështetur kokën në supet e drejtuesit të furgonit, pra ishte qëlluar. Pikërisht në ato momente drejtuesi i mjetit ka rritur shpejtësinë për t’u pozicionuar në një vend më të mbrojtur. Të shtënat vazhdonin edhe pasi ishim plagosur. Pasi u ndal mjeti, zbritëm nga mjeti duke u kërkuar ndihmë kolegëve tanë dhe duke i informuar se ishim qëlluar me armë”, ka treguar efektivi i RENEA-s.
Ndërsa kolegu i tij në blindin që ndodhej 500 metra më pas tha se ishin njoftuar në radio për të shtënat. “Ne po shkonim në drejtimin tjetër, kur na thanë në radio të kthehemi se kishte të plagosur. Kur mbërritëm, i gjetëm shokët të shtrirë. I morëm me autoblind dhe i dërguam në spital”, tha në gjykatë Perlat Shpati.
TË AKUZUARIT
Për vrasjen e efektivit të RENA-s Ibrahim Basha janë nën akuzë 11 persona. Si autorë dhe organizatorë të grupit të zjarrit akuzohen dy vëllezërit, Alban dhe Arbjon Aliko. Të dy rrezikojnë që të dënohen me burgim të përjetshëm, në rast se shpallen fajtorë nga Gjykata.
Gjithashtu, si bashkëpunëtorë akuzohen edhe Elvis Bocia dhe Barjam Bocia. Edhe për këta të dy kërkohet nga Prokuroria dënim me burgim të përjetshëm. Ndërsa për të pandehurit e tjerë kërkohen 162 vjet burg në total.
Bëhet fjalë për Elson Kazmën, për të cilin Prokuroria ka kërkuar 25 vjet burg, Oltian Prokon, Dervish Gabën, Ruhan Hirajn, Iljaz Xhaferrajn, për të cilët kërkon nga 18 vjet burg, si edhe për Klodian Selimin dhe Xhulio Malon, që kërkohen 10 dhe 20 vjet burg.
ERALD DELIU/PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al