“Kolegët arsimtarë që dëshmuan në gjyq përse kisha folur kundër Enver Hoxhës dhe…”/ Dëshmia e ish-deputetit dhe diplomatit

Oct 21, 2020 | 7:44
SHPËRNDAJE

Publikohet historia e panjohur e Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”.

Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit.

E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

dossieri

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari  lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi), si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.

                                                  Vijon nga numri i kaluar

   Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari

                    Berberi i burgut, ndryshe nga puna në që bënte në qytet!

 b) Dita e gjykimit

Tash, që ishte porositë ta përgadiste të pandehunin për procesin gjyqësor, berber Nasufi u paraqit në dritë të re, ama krejt të re. Në qoftë se ma parë dora e tij që mbante briskun i ngjante nji kanxhe mace, sot ajo ishte e kujdesshme, e butë dhe thojtë i kishte fsheh diku në shputat e veta të kadifta. Ridvani e kuptoi se kësaj radhe nuk do t’i mbetej në fytyrë asnji blanë tehu. Veç kësaj, ndrysh prej herave tjera, kur i rrinte sipër i heshtun si mumje, sot e kishte zgjidhë gjuhën e po rrekej t’i bante pyetjet që përdorte dikur, jashtë këtij mjedisi, atëherë kur midis tyne kishte kuvendim normal njerëzor.  Por Ridvani nuk iu përgjigj asnjenës, për t’i tregue se nuk i kishte harrue e nuk ia kishte falë me shpirt seancat e maparshme të torturës. Sytë e Ridvanit ishin plotë përbuzje për të, kështu që berberi u detyrue të ndërpriste menjiherë diarenë e gojës së vetë e të gjesteve të lira.

Megjithatë, i autorizuem e me pamje bujari të trimnuem, ai nxori pasqyrën e vogël prej mantelit të tij të bardhë dhe si me droje e vjedhtas ia qiti Ridvanit para syve. Roja qëllimisht ua kishte kthye shpinën e se ç’ po kërkonte me sy në korridorin e mugët.

– Mirë? – pyeti ai me za të hollë, të spërdredhun e gadi të shume.

Ridvani sigurisht ishte kureshtar të shihte shëmbëllimin e vetë, sepse deri më atëherë i kishte takue me u pasqyrue vetëm në mjegullën e dritarës së hetuesisë. Por ajo nuk tregonte asgja të saktë, të paktën kështu mendonte ai. Fytyra e tij njimend ishte vezake, por jo aq e stërzgjatun sa e jepte turbullima e xhamit. Por tash kishte përpara nji pasqyrë pothuej të re, me vernik të pacënuem, kështu që shembëllimi duhej të ishte i plotë e, padyshim, besnik. Vertetë mungonte drita e duhun por, gjithësesi, duhej të ishte shëmbëllim real. U çuditë kur pa sytë e vetë të kthyem në dy vrima të vogla e të vagullta, me vetëm nji fije drite në to, sa për të dëshmue se ende ishte gjallë. Sa do të donte të kishte në to pak ma shumë kthjelltësi edhe me kushtin që melankolija të mbetej ajo që ishte, e thellë e shpresëhumbun.

Sepse do të gjente mbrenda vetës burime të tjera energjie për t’i prapue ato me forcën morale që besonte se kishte. Thoshin se, në kohën e tij, Gëringu nuk i duronte ftyrat e zymta të qytetarëve – atij nuk i interesonte aspak arsyeja jetësore e zymtisë – por ama lumtuninë e gjermanit, qytetar të vet, ai e donte të shprehun haptas (ngjashëm i kishte thanë edhe hetuesi Ridvanit: çfarë doje të tregoje me atë mërzi që shpërndaje nëpër rrugët e qytetit tonë, të tregoje se këtu trajtoheshe keq, se këtu njeriu s’ka shpresa, se këtu jetesa është për faqe të zezë?!). Nga ana tjetër, edhe mollëzat e faqeve po e nxirrnin si nji gjys mongoli, pse kishin kërcye në plan të parë e muskujt poshtë tyne ishin labërgue e rrëshqitë teposhtë si për të sajue pikturën e pragvdekjes. E vetmja pjesë që kishte mbetë si ma parë ishin nofullat, ashtu të forta e të qëndrueshme siç ishin, që tregonin se ende kishte mbetë aq vullnet sa mos me u dorëzue.

I erdh keq që para publikut do të dilte me atë pamje të stërlodhun e të shformueme për shkak të së cilës edhe mendimi i tij, sado i fuqishëm, do të dukej tajim alieni e, prandaj, i huej e jo bindës. Ose ndoshta pikërisht për këtë do të tingëllonte ma bindës, sepse ishte ajo, gjuha e trupit, që do t’i vinte në ndihmë e që mund të kuptohej edhe prej nji fëmije e jo ma prej të rritunëve me përvoja të këtilla të përsërituna.

Pas gjashtë muajsh, larja me sapun se do dilte në gjyq!

I thanë se, ma në fund, mbas gjashtë muej hetuesije, do të lahet me sapun aromatik në mënyrë që të mbante erë të mirë kur do të dilte para auditorit. Se do t’ia jepnin këmishën e pastër dhe pantallonat e mbajtuna në depo ditën e arrestimit për t’u dukur si dikur – njeri normal. Por Ridvani këtë lajm madhështor nuk e priti me gëzim. Jo se ishte mësue me mykun e teshave të tij të ashpërsueme me sedimente të shumta djerëse, por sepse mbas nji kohe kaq të gjatë ai do ta shihte veten lakuriq. Aty do të dilte në pah e tanë egërsia e fshehun e nji sulmi së jashtmi tepër dinak mbi trupin e tij. Edhe iu kujtue fjala e urtë e babës që ia thoshte shpesh, sidomos kur merrte vesh për ndonji pabesi të pushtetit serb: kujdes mor bir se këta, komunistat, ta pijnë gjakun me pamuk!

Kur mbeti vetëm në nevojtore dhe roja e siguroi se mund të qëndronte sa të donte, së pari i ra në sy nji peshqirë bojë rozë që rrinte varrun mbi nji gozhdë të zezë futë krah këmishës e pantollonave gri dhe mandej zorra e ujit që e priste si nji gjarpër i zi shtëpie, por josulmues e vlla me vitoren e birucave. Hoqi teshat e trupit, i shtyu me kambë për në qoshe ku nuk do të arrinin stërpikët e ujit dhe iu kthye trupit të vetë me nji vështrim tmerrues: brijët e tij po i ngjanin tastierave të nji fizarmonike të vjetër, muskujt i qenë lëmue e dukeshin si leskra mishi që e mbështillnin gjithandej, kurse ijet i qenë vrugë deri thellë në asht shkaku i mbështetjeve të gjata mbi drasat e shtratit. Pa se gjithçka në trupin e tij qe tkurrë e rrudhë dhe se shenjat e senilitetit të parakohshëm kishin zanë vend aty, mos o Zot, përgjithmonë!

Uji i ftohtë ia largoi saora vapën e gushtit. Për nji copë here ndeji pa lëviz, symbyllë e harrû. I ra sapun vetes dy-tre herë, sidomos sqetullave, gjenitaleve e shputave të kambëve. E u shpërla me nji andje pothuej sensuale. Mandej mori peshqirin, u fërkue ngadalë e për lezet dhe u veshë. Sigurisht që e ndjeu vetën të lehtësuem, të kthjelluem e disi të rilindun. Mbas pak do të vinte edhe seanca gjyqësore për të përmbyllë nji kapitull jete e për të fillue diçka tjetër, me shpresë diçka ma njerëzore e ma shqiptare.

Betejë e fitueme? Po, e fitueme, sepse po pësonte mbi vete akuza por vetë s’kishte drejtue asnji kundër askujt mbi këtë dhé e po dilte para gjindjes ditën e gjykimit ashtu sikurse kishte hy ditën e arrestimit!

Ishte nji gëzim përtej arsyes!

Zhvillimi i gjyqit dhe kolegët e ardhur nga Lezha

Ridvanin e vendosën në rreshtin e dytë të sallës së vogël, në krahun e majtë. Gjeti pak veta të shpërndamë tek-tuk nëpër banka dhe, me vështrimin e parë fluturues, nuk pa asnji të njohun. Me gjasë, do të ishin nga katundet e afërta ose të largëta. Por si u rahatue disi midis dy policëve, qe në gjendje me e rrokë me vështrim krejt sallën: për çudi, as tash nuk dalloi ndonji prej kolegëve të Shëngjinit, me të cilët kishte punue pesë vjet të mira e kishte kujtime jo të këqija prej tyne. Mbas pak minutash njerëzit e caktuem për me marrë pjesë në proces po hynin si me droje dhe po zinin vendet e tyne. Befas, ndërmjet tyne u shfaq edhe Rozi, me bukurinë e saj në qafë e bel dhe e pashoqnueme prej askujt. U ulë në krahun tjetër, por paralel me të: e ftohtë, indiferente ndaj të tjerëve e me nji farë krenarie të kuptueshme sepse nuk kishte pranue me u dorëzue si dëshmitare, sikurse kishin ba shoqet e saja të punës. Jo, nuk duhej të degradohej ashtu njeriu, dukej sikur fliste gjithë shtati i saj. Ose ma personale: s’kish si të përdhosej n’at farë feje hieshija e netëve të përbashkta. Përkundrazi, ajo kishte vesh fustanin që e pëlqente Ridvani dikur dhe me këtë gjest kishte mendue të plotësonte mesazhin e shpirtit të vet.

Grupi i fundit i të ardhunëve ishin kryesisht arsimtarë të Lezhës, me të cilët kishte njohje sipërfaqësore. Ndërkaq kolegët e katundit ku qe arrestue, do të vinin me rrugë tjetër, si mbështetës të akuzës. Ata, sikurse e kishte sigurue hetuesi, do të përbanin simbolin e objektivitetit. Por, kur pa tue hy kryehetuesin dhe hetuesin, Ridvanit i erdh t’i fërkonte sytë. Nuk e kishte mendue në asnji rrethanë se paftyrësia e tyne, do të arrinte deri në këtë pike! Ndërkaq, nëse ky hap i tyne ishte shprehimisht shkelje procedure apo jo, nuk e dinte me siguri, ndaj nuk e bani mend me protestue.  Në fund, u fut trupi gjykues.

Të gjithë u çuen në kambë dhe në sallë ra heshtja.

Kryetare Flutura Tirana, juriste nga ato yjet e pikuna prej qiellit të klasës punëtore, në krah kishte dy kolegë ma të rij. Edhe këta ishin të kohës së reduktimit të madh programor të juridikut, por shkollimin e kishin të vijueshëm e të rregulltë dhe e kishin shijue si studentë nji grimë të pranverës së shkurt liberale.

Ridvanit po i vinte me qeshë kah po i ndiqte lëvizjet e ngadalta e plot naze të kryetarës: thjesht, nuk po u besonte syve se si mund ta gjykonte ajo me atë horizont aq të ngushtë që kishte. Kishte pas rastin me kuvendue me të dy–tre herë në shtëpinë e mikut të tij, kur punonte si arsimtar. Madje një natë qenë përplas rreth të drejtës romake, se ajo e quejti “mbetje arkaike”, prandaj qe heq prej programit mësimor.

– Po ajo konsiderohet ndër landët bazë – pati vërejt Ridvani.

-Ata që kanë vendos kështu, dinë ma mirë se unë e ti! – i qe përgjegj ajo shkurt.

Edhe në ket seancë gjyqësore po rrinin përballë njeni tjetrit si “palë” kundërshtare, veçse tash me nji ndryshim të vockël: ajo mbante në dorë skeptrin e pushtet mbi të.

Mbasi u kryen formalitetet, të gjithë zunë vendet e tyne.

Radhën e kishte prokurori. E quenin Stavri Themeli – thoshin se ishte pinjoll i gjeneralit të njohun komunist, i cili fill mbas lufte qe caktue “të disiplinonte Shkodrën reaksionare”. Por ndryshe prej tij, ky kishte nji natyrë ku e ku ma të butë se ai. Ridvani e njihte edhe prokurorin, por prej s’largu. Se ai vinte rregullisht në det me gruen e vajzën e vogël, por rrinte pak me to: i pëlqente me ba shëtí i vetëm bregut, me pa ndeshjet e vogla të futbollit që luheshin në ranishte ose me ndjekë ndonji lojë shahu diku, në ndonji çadër rasti. Shijonte pak nga të gjitha. Jo vetëm kaq, por gjatë qëndrimit në birucë, i kishte shkue nji herë për “vizitë”. Kishte qendrue te praku i derës, kishte vu duert në ije dhe me fjalë të mbytuna, fjalë që rrokulliseshin njena mbi tjetrës si valë, e kishte pyet pa ndonji ligësi të hetueshme në ftyrë: ku e more guximin me dalë kundër udhëheqësit?!

Ridvani nuk i qe përgjegj. Qe mjaftue vetëm me nji të qeshun të lehtë.

Tufa e dëshmitarëve në sallën e gjyqit

Kur e futën në sallë tufën e dëshmitarëve, ata u dukën të hutuem, sikur po mundoheshin me u fshehë njeni prej tjetrit. U lexuen rregullat mbi përgjegjësinë e deklarimeve të tyne dhe, mbasi pohuen kolektivisht se e kishin të kjartë detyrën e tyne, i nxorën jashtë, për t’i futë gjatë procesit nji nga nji. Akt akuza e prokurorit pak a shumë thoshte se i pandehuni kishte ndigjue radio-stacionet e hueja, kryesisht ato jugosllave; se ishte shpreh kundër kontrollit punëtor si mjet presioni, madje anëtarët e tij i kishte cilësue si të pamoralshëm e maskarenj; se kishte refuzue të punonte në brigadën e kooperativës projekt- kushtetutën me pretekstin se  kishte shtetësi të huej; se kishte pohue shprehimisht: “në qoftë se Enver Hoxha drejton fushatën e burgosjes së kosovarëve, unë e deklaroj veten kundër tij”, por jo më kotë e kishte nxjerrë prej gojës fjalën “në qoftë se”, si nji kusht zbutës e mundësi ri-interpretimi.

Kurse qëndrimin e tij ndaj pushkatimit të gjeneralëve, juridikisht e kishte quejt provokim të palejueshëm, të lig e të dënueshëm me ligj që i bahej prej nji palo sekretari të arsimtarëve të Bregut të Matës, me emnin Tonin. Në fakt, përplasja kishte ndodh sa vijon: Ky sekretar, i ndërgjegjgshëm se gjatë mbledhjes Ridvani ishte nxeh për shkaqe të tjera, i’a tundi broshurën e palexueme në kolektiv që bante fjalë për pushkatimin e paradoditëve të gjeneralëve dhe e kishte pyet me nji ironi prej pushti: ç’mendon ti për ket gjyq e për këta tradhtarë? Ridvani, megjithëse i kapun tashma në vallën e kontestit, s’kishte ngurue t’i mbahej nji parimi të rrezikshëm për kohën dhe i qe përgjegj: “nuk e kam lexue broshurën, prandaj nuk mund të shprehëm paraprakisht për përmbajtjen e saj. Veç kësaj, në punë gjykimesh duhen ndigjue të dy palët”.

Kaq kishte mjaftue që të gjithë të pranishmit të skandalizoheshin me guximin e tij të pacipë për të vu në pikëpyetje drejtësinë e Partisë, ndaj qenë lëshue mbi të fort të egërsuem! Ridvani kishte qëndrue në vend i ngrimë, po i ndiqte gjestet e tyne me flegmë të papritun edhe për faktin se ata ishin bijë të krahinës së cilësueme zyrtarisht si “krahina ma reaksionare” e vendit, ndaj po i vinin të vjellta kah po shihte zellin e tyne të rremë të asaj dite. Edhe nga vëzhgimi që po i bante fjalës së prokurorit, po dilte se materialeve të hetuesisë popullore i kishte mungue serioziteti: qe herr pjesa alogjike e komike e saj dhe tekstet e vegjel qenë redaktue me kujdes e shpërnda nëpër detaje të tjera, pa ndonji identitet a lidhje të mbrendshme.

Mbas të gjithë kësaj, u tha si përfundim se Ridvani ishte njeri i brumit të huej dhe si i tillë i damshëm për edukimin e fëmijëve dhe për jetesën e lirë midis njerëzve të rregulltë e të ndërgjegjshëm. Por edhe ndër këta ndigjues, ashtu si në hetuesinë popullore, pati nji zhgënjim të madh, sepse kishin ardhë me sy të madh: ata kishin ardhë me u njohë me fakte të jashtzakonshme, që kufizonin me spiunazh, meqë fushata kundër tij gjatë hetuesisë kishte qenë shum sulmuese dhe fakti që ai kishte kërkue riatdhesim e kishte ndez fantazinë e nji pjese të mirë. Ndërsa argumentët që po përmendeshin aty ishin gjuha e fshehtë dhe e përditshme e çdo qytetari me dy fije mend e dinjitet, gjuhë që flitej nëpër shtëpija prej vetë atyne, por pa mysafirë e camarrokë nëpër kambë.

Kolegu që mohoi deklaratën kundër Ridvanit të lëshuar në hetuesi!

Mbas kësaj, ftuesi gjyqësor, nji mesoburrë thatim, filloi të fuste në sallë nji nga nji dëshmitarët që prisnin në mizanskenë.

Por ai që shkaktoi bujën ishte arsimtar Pjetër Luli. Ky i ra mohit deklaratës së lëshueme në hetuesi dhe filloi të kundërshtone me zemrim stilizimet e hetuesit.

– Aha – tha Pjetri – tash e kuptoj pse ai kallximet e mija i shënonte në rreshta fort të rrallë, sigurisht për të futë midis tyne fjalët e tija shtesë mbas marrjes së firmës sime!

Në sallë u nde zhurma e të pranishëmve. Ridvani e ktheu kryet kah hetuesi, i cili, strukë në qoshën e sallës për të ra në sy sa ma pak, qe zanë ngusht e s’kishte si të ndërhynte. Por kryetarja nxitoi ta mbyllte skandalin e dha urdhën ta nxirrnin jashtë dëshmitarin shpifës e të paedukatë. Mbas këtij rasti të pandigjuem në atë gjykatë të re, dëshmitarët e tjerë erdhën të urtë e recitues, të pandërpremë prej askujt.

Kur i dhanë fjalën Ridvanit, ai e ndjeu vetën të fuqizuem, sepse kishte dallue shum pika të dobta të akuzës. Dhe nisi pikërisht nga rasti i Pjetrit për të “dekonstruktue” moralin e hetuesisë. Por jo, s’e lanë. Nga fundi i sallës, ku ishte ulë kryehetues Gjoleka, erdh nji zarf i bardhë që i’u dorëzue në katedër kryetarës Flutura Tirana. Ajo e hapi me ngut dhe si e lexoi, ia ndërpreu fjalën të pandehunit dhe urdhnoi me za të rreptë:

– S’kemi ardhur këtu për kundër-propagandë. Trupi gjykues tërhiqet për vendim.

Ndërsa trupi gjykues u tërheq në dhomën e vet, Ridvanin e nxorën në korridor duerlidhë dhe e urdhnuen të ulej në karrike. Polici qëndroi në kambë krah tij pa atë nurin e policit, sidomos mbas asaj seance që doli krejt e shfytyrueme e jashtë rregullave. Në shesh-pushimin e shkallëve qenë grumbullue disa fëmijë 12-13 vjeç dhe nuk po ia ndanin sytë. Ridvanit thjesht nuk po i besohej se si qe thërmue në këtë farë feje grima e fundit e solemnitetit gjyqsor.

Ai po i shikonte këta fëmije kureshtarë po edhe sapak të trullosun – pa dyshim pjesa ma e ndieshme e gjithë atyne që kishin qenë në sallë – të cilët shum pak po kuptonin nga kjo bujë e lojë. Këta fëmijë kishin para syve nji burrë të lodhun, të cilit s’ishin në gjendje t’i përcaktonin as moshën, por që dukej se ishte nji plak pa kund njeri e i braktisun vetëm në forcën e fjalës së vet që ia prenë përgjysë. Dhe po çuditeshin se si kur ishin poshtë te shkallët e në rrugë e altoparlanti shpërndante fjalën e tij, ata kishin pasë përftyrimin se po fliste nji burrë shum ma i ri, ma i fuqishëm e luftarak, ndonëse, shumicën e fjalëve të tija as që e kishin kuptue.

Ndër to vërtetë qe ndigjue disa herë fjala Kosovë, por për ta ajo ishte nji emën i huej, i ftohtë, pa pikë interesi, madje me nji urrejtje të kultivueme holl e me zell për të. Pjesa tjetër e auditorit ose kishte mbetë në sallë – e tregoi zarfi se vendimi ishte i paracaktuem e nuk do të vonohej – ose doli nga ana tjetër e sallës, që të mos syzohej me të.

Procesin e Kafkës Ridvani e kishte lexue qysh kur ishte student. I kishte shfletue edhe shënimet kritike të Brodskit, por gjithmonë kishte pasë nji farë rezerve e mendonte që, në thelb, libri ishte nji hiperbolë, shum e dobishme për kuptime figurative, por jo copë e jetës së gjallë. Ajo thikë që i ngulej Josef K. te guri pranë guvës dhe që ia përdrodhën dy herë në zemër, të linte mbresën ma shumë të nji teatri se sa jete. Vetëm tash po e kuptonte se krimet që zhvillohen nëpër këto mjedise, në kohën e tyne reale, ndoshta do të kenë qenë të këtilla në të gjitha kohët. I dolën para syve të mendjes edhe shokët e grupit që kishin kalue nëpër procese të këtilla në Pejë dhe iu kujtue thanja e gjykatësit të njohun boshnjak, Omeragiq, i cili, tue iu drejtue rinisë së pranishme në njenin prej proceseve të atjeshme, u pati deklarue hapun e me bindje të plotë: “Po të pyetesha unë, rrugën deri në kufi do ta bajsha bulevard të asfaltuem, por me kushtin që të mos u lejohej ma kthimi i tyne në Kosovë. Se dora jonë prej kohësh asht atje!” Kush e di, gjykoi Ridvani më vete, ndërsa po priste në korridor e po sillte nëpër kujtesë disa përkime të frikshme, do të vijë dita kur do të ulet me shokët e vetë për me këmbye disa detaje të hetuesive të tyne. Vetëm atëherë ndoshta do të mund të ndërtohej me saktësi e pa të meta të mëdha rebusi i dështimit të tyne rinor me të cilin patën synue ta shtrinin për tokë bishën serbe.

Vendimi i trupit gjykues për Ridvanin: dhjetë vjet burg

Mbasi u kthye në sallë, trupi gjykues dhe të pranishmit qenë ngritë në kambë, kryetarja e seancës gjyqësore, Flutura Tirana, lexoi vendimin me të cilin Ridvan Myftari dënohej me 10 vjet privim lirije dhe konfiskim. Vendimin e lexoi me shpejtësi, sikur po e ndiqte kush, dhe fill u largue pa shikue anas.

Ridvani qeshi e tha: dhetë vite që do t’i shkelë si dhetë miza!

Publiku e nderoi me qëndrim në kambë për nji copë herë e në heshtje të plotë dhe ky ishte shpërblimi ma i madh që mori atë ditë prej atij mjedisi.

Poshtë po e priste makina me spond të hapun, po ajo me të cilën e kishin pru në gjykatë. E lyme me bojë jeshile të mbyllun e goma të stërpikuna me baltë. Dy policë të fuqishëm e kapën krahësh si nji dordolec kashte dhe e ngjitën në stolin mbrapa kabinës së shoferit. Nji pjesë e mirë e auditorit kishin vendue të mos largohej pa u nisë makina. Dhe në nji moment, kur vemendja i qe përhumb diku larg, prej turmës çau shtegun e vet ajo – Rozi, hapi çantën e dorës dhe prej andej nxori katër paketa cigare dhe ia hodhi te kambët e i qendroi përballë në nji qendrim trupdrejtë, me gjoks të nxjerrun përpara e sfiduese. Por askush nuk ndërhyni, as e qortoi. I qeshën njeni-tjetrit e ajo sikur deshi me thanë diçka, por sakaq mbi ta u nde uturima e motorit dhe tymi i skapamentos. Njerëzit u skajuen. Makina mori rrugën e burgut.

E përplasën në kaush, ku gjeti tre të dënuem të tjerë ordinerë. Secili me historitë e tyne banale, por tashma të mbylluna, ashtu si edhe ajo e tija.

Mbas nja nji ore, u hap dera dhe u dha kryehetues Gjoleka me ironinë e tij të lindun, por kësaj radhe i zhveshun nga brerorja e kërcënuesit dhe i zhvleftësuem me atë ndërhymjen e paprecedent në sallën e gjykimit.

– Kundër vendimit mund të bësh ankim në Gjykatën e Lartë mbrenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit – i tha me nji shikim që ia shëmtonte edhe ma ftyrën e buhavitun.

Ridvani qeshi.

– Nuk do të ankohem.

– Atëherë firmos se refuzon të ankohesh.

Ridvani e vu firmën dhe u gëzue që s’iu dridhë dora, ndonëse përmbrenda po i çoheshin dallgët e neverisë.

– E dija – tha kryehetuesi dhe, tue u largue, shtoi me nepsin e kopukut – sepse je i ndërgjegjshëm për fajësinë tënde!

Mbasi mbetën të lirë, Ridvani mori dhe hapi njenën paqetë të cigareve – dhuratën ma të shtrenjtë në jetën e tij. Kur e hapi, pa se mbi vernikun e cigarevee qenë incizue emni i tij dhe i Rozinës! Nji lamsh i’u lidh në grykë dhe i lëshoi të dy durtë e këputun mbi gjuj. Jo, Shqipnia s’ka dekë! – thirri me mendje deri në kupë të qiellit. Ndoshta as ajo vetë nuk do ta ketë kuptue kurr se ç’domethanje kishte pasë ai gjest i saj për simbolikën e edukatës së tij në atë çast zemërleshimi!

Në kaush në pritje të autoburgut?

Ridvanit i takoi me ndejë në kaush edhe nji javë të plotë, në pritje të autoburgut. Gjatë atyne ditëve të gjata ndigjoi nji vister ndodhish nga jeta e nëntokës shqiptare: mënyra veprimi bracësh, bashkëpunime të holla hajdutësh me policë, ndamjen e Shqipnisë në zona operative simbas psikologjisë e mentalitetit të banorëve vendas dhe, në raste të rralla, edhe histori ndërmjetësini e intrigimi për botën femnore. E gjatë tanë kësaj kohe, askush prej tyne nuk tregoi as kureshtjen ma të vogël për me dijtë se ç’e kishte shtye Ridvanin të merrej me punë aq qesharake si ajo e nji farë krahine shqiptare të mbetun nën pushtimin serb, apo të nji fare lirije abstrakte që po iu dashka mendjes e shpirtit shqiptar.

Ma në fund erdhë edhe makina bojë jeshile, ajo e ditës së gjykimit dhe e mori për ta çue në destinacion. Kur po kalonte Luginës së Mirditës, me male shkamborë anash, ai po ndjente nji dhimbje të fortë e sikur po i likundeshin themelet e përkapjeve të veta: kto ftyra të thame si kronde, kjo natyrë e zhveshun e kto linja dogmash të ngurtësueme, dukej sikur diktonin gjithçka. Ndoshta edhe të Keqen politike. E vetja po i dukej si nji fantazmë, pa flamur e muskuj.

Dhe, mbasi bani kushedi për të satën herë skanimin jetës së vet, Ridvani doli me përfundimin se arrestimi dhe dënimi i tij nuk ishte aq absurd sa të shenjohej me shprehjen popullore “ra mbrenda, për nji fjalë goje!”. Në kushtet e diktaturës u pa se ai kishte qenë vërtetë mish i huej ndaj, si i tillë, duhej ngujue. E, nëse do të shuhej atje, në kamp, fajin do ta kishin edhe indet e tija me të cilat ishte ndërtue në Kosovën e tij reaksionare, sepse Shqipëria progresiste duhej të mbetej doemos e lame, e qashtër – llagar Vjose! Prandaj nuk i takonte me u habitë fort pse Kosova shihej here si viktimë fisi, herë si Kalë Troje që duhej goditë pa mëshirë; pse refugjati politik kosovar herë reklamohej si hero, herë si tradhtar.

Ishte nji matematikë fantastike, me të cilën mahnitej shumkush.

Drejt kampit të Spaçit për të vuajtur dënimin?

Ridvanin po e çonin drejt kampit të Spaçit, dhe ai po ushqente shpresën e ndrojtun se atje do të gjente atdheun e librave të ndaluem, të andrrave të tradhtueme, të shpresave vezulluese e të vegimit intelektual, që duhej të rrinin sipri n’ajrí të papërlyem e si premtime hyjnore.

Apo edhe ajo hapësinë do të kthehej në nji zhgënjim të ri?! E po të ndodhte kjo, a do të kishte ma stinë për ta vazhdue shtegtimin e vet iluzion mbas iluzioni? Iu kujtue aventura që i pati ndodh Kërlezhës në rini: i frymëzuem prej Shtrosmajerit me shokë mbi unitetin e sllavëve të Jugut, ai qe nisë me guxim drejt Piemontit të tij – Serbisë, por me të dalë prej ujnave të Danubit qe kapë prej rojeve bregdetare serbe, të cilët, për të shlye ndonji njollë të shpirtit të tyne të prishun, e paten mbyllë në birucë me akuzën si spiun i Austrisë.

Se atëherë Ridvanit nuk do t’i mbetej tjetër veçse me kërkue shpërngulje përfundimtare në gjithësi e të përjetësohej si nji grimcë që do t’i bashkohej me dëshirë çfarëdo planeti qoftë. /Memorie.al

© Panorama.al

Te lidhura