Kolaboracionizmi, si u arrestua Lef Nosi, tradhtia nga miku i tij

Dec 10, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

Tashmë që Panairi i Librit u mbyll dhe nuk ka më debate që shërbejnë për promovime librash, mendova të sillja një dëshmi dokumentare të gjendur në Arkivin e Sigurimit të Shtetit mbi figurën e Lef Nosit. Një dëshmi, e cila është në njëfarë mënyre një epilog i jetës së Nosit.

Lef Nosi, një shqiptar eksentrik, i cili njihet përveç të tjerave edhe për kontributin e tij në ruajtjen e vlerave dokumentare, përbën një rast tejet interesant në debatin e përvitshëm (çdo fund nëntori) midis atyre që mbrojnë tezën e revizionizmit të figurave, kolaboracionizmit dhe atyre që janë kundër. Përmendja e figurës së tij si një personazh libri, risolli me vrull debate të nxehta, duke mjegulluar qartësisht faktin se Lef Nosi apo figura të shquara të politikës dhe historisë shqiptare kanë qenë bashkëpunëtorë të Gjermanisë hitleriane. Si të tillë, të dënuar qartë- sisht nga Europa fituese me damkën e kolaboracionistëve. Që Lef Nosi apo shokët e tij nacionalistë e donin Shqipërinë ndryshe nga pala fituese, kjo nuk ka asnjë diskutim. Që Nosi ishte një kontribuues i njohur i çështjes shqiptare, përsëri kjo nuk ka diskutim.

lef-gjyq

Që Nosi ishte një patriot shqiptar, edhe kjo nuk ka diskutim. Fati i tij dhe i miqve të tij, fatkeqësisht u vulos në momentin kur ai vendosi të ishte një bashkëpunëtor i vullnetshëm i Gjermanisë hitleriane. Arsyet pse mori këtë vendim mund të kenë qenë mjaft fisnike dhe nacionaliste, por aleati që ai zgjodhi, Gjermania, humbi luftën dhe për këtë si Nosi, si figura të tjera europiane pro gjermane, u cilësuan si kolaboracionistë. Nosi ishte pjesëtar i rëndësishëm i Regjencës, një Qeveri e ngritur me miratimin gjerman. Regjenca, ashtu si Qeveri të tjera në Europën e pushtuar, që u ngritën me miratimin gjerman, ishte pjesë e bashkëpunimit. Historiani amerikan Stanley Hoffmann (i cili sapo u nda nga jeta në Harvard, Massachusetts) që në vitin 1974, e ka përdorur termin kolaboracionist për të gjithë ata simpatizantë të nazizmit, të cilët për arsye ideologjike kërkonin një bashkëpunim me Gjermaninë hitleriane.

“Kolaboracioni (bashkëpunimi) është një bashkëpunim ndërmjet elementeve të popullsisë së pushtuar dhe përfaqë- suesve të fuqisë fituese (pushtuese)”, përkufizon Stanley Hoffmann. Profesori i famshëm shkruan se kolaboracionizmi mund të kategorizohet në dy nëngrupe, Servile dhe Ideologjike. E para, “si një shërbim i qëllimshëm” dhe, e dyta, “si një mbështetje e qëllimshme e bashkëpunimit me një forcë të huaj, e cila shikohet si mbështetëse e një objektivi, që sjell një transformim të brendshëm”.

Sipas mbështetësve të tezës së revizionimit të kolaboracionistëve shqiptarë, shumë bashkëpunëtorë të Gjermanisë hitleriane kanë sjellë si argument bashkimin me Kosovën dhe Çamërinë nën ombrellën gjermane. Nën këtë vështrim, është një fakt historik krijimi i Divizionit Malor SS Skënderbeg, në prill të vitit 1943, me miratimin e Himlerit. Megjithëse ky Divizion Malor nuk pati një jetë të gjatë dhe nuk pati aksion në beteja, në mbrojtje të kauzës hitleriane, nuk mund të mos merret në konsideratë fakti se krijuesit e tij ishin mbështetës ideologjikë të Gjermanisë. Po kështu, roli i forcave ushtarake qeveritare kundër partizanëve, të cilët tashmë ishin një forcë luftuese e njohur nga aleatët antihitlerianë, nuk mund të injorohet.

Të gjitha këto veprime kishin mbështetjen politike të figurave që u rreshtuan në krahun gjerman, pjesë e Regjencës. Si nga dokumentacioni i Misioneve Angleze, si dhe dokumentacioni i forcave gjermane, del qartë tablloja e situatës në Shqipërinë e asaj kohe. Forcat pro aleate kishin si objektiv luftën kundër gjermanëve, ndërsa gjermanët në terren mbështeteshin nga forca shqiptare, të cilat ishin pjesë e qeverisë kolaboracioniste apo forca politike pro gjermane. Mbështetësit e tezës se Shqipëria u përfshi në Luftë Civile, injorojnë faktin se gjatë Luftës së Dytë Botërore palët ndërluftuese ishin qartësisht të ndara: pro Aleatëve dhe pro Gjermanisë naziste.

Trajtimi i figurave politike me kontribut në historinë e Shqipërisë, por që u rreshtuan në krahun gjerman, nuk mund të diskutohet jashtë kontekstit europian. Si shembull mund të marrim Francën, një prej vendeve që tradicionalisht ka ndriçuar Europën dhe më gjerë me shembullin e saj. Pas çlirimit, Franca u përfshi nga një valë e ekzekutimit të personave që cilësoheshin si kolaboracionistë.

Janë të famshme fotot apo filmimet, ku në bulevardet e Parisit grave që kishin pasur marrëdhënie me oficerë gjermanë, iu qethej koka si shenjë e turpit për qëndrimin e tyre gjatë okupacionit. Të gjithë ata tregtarë që kishin përfituar nga tregu i zi gjatë luftës, u cilësuan si “profiteurs de guerre” dhe njiheshin me emrin “BOF” (Gjalpë, Vezë dhe Djathë), pasi kishin shitur këto prodhime me çmime katastrofike për popullsinë e gjerë. Megjithatë, vala e zemërimit popullor u kontrollua nga Qeveria Provizore e Republikës Franceze, e cila stabilizoi rregullin dhe solli kolaboracionistët përpara gjyqit.

Megjithatë, duhet përmendur fakti se një numër zyrtarësh të ulët të Qeverisë pro gjermane të Vichis përfituan amnisti nga Qeveria Franceze. Historianët e fushës kanë përcaktuar tri faza të marrëdhënieve me kolaboracionistët post okupacionit: Faza e parë: zemërimi popullor (épuration sauvage): ekzekutimi pa gjyq, si dhe qethja e flokëve në mënyrë publike e grave franceze. Sipas përllogaritjes zyrtare të prefektëve të Policisë, depozituar në vitin 1948, 6000 persona janë ekzekutuar gjatë çlirimit dhe 4000 direkt pas çlirimit. Faza e dytë: (épuration légale), fillon me Urdhrin e Parë të De Golit, në 26 qershor 1944, që krijonte Komisionin Legal të Gjykimit të Kolaboratorëve, i cili dënoi rreth 120.000, duke përfshirë 1500 emra të njohur që u dënuan me vdekje. Periudha e tretë, një periudhë më tolerante ndaj kolaboracionistëve, ku përfshihet gjyqi ndaj mareshalit Peten, i cili u dënua me vdekje, por ekzekutimi u transferua në dënim të përjetshëm me urdhër të De Golit.

Apo dënimi i shkrimtarit Louis-Ferdinand Céline. Ende sot, në Francën Republikane dhe liberale, ka debate mbi rolin e kolaboracionistëve në shërbim të gjermanëve. Por duhet theksuar se zyrtarisht, Franca e konsideron Qeverinë e Vichi-së një qeveri ilegale, e themeluar nga tradhtarë nën influencën e huaj. Ky përshkrim i shpejtë i marrëdhënies së Francës me kolaboracionistët e saj, tregon qartë se Europa fituese nuk është treguar dashamirëse me ta. Sigurisht që historia nuk është bardh e zi dhe nuk mund të trajtohet si e tillë. Por me gjithë ngjyrimet e saj, ka një vijë të qartë midis palëve që dolën fituese dhe atyre që humbën luftën.

Askush nuk mund të revizionojë rolin e kolaboracionistëve në shërbimin e një ideologjie, e cila humbi luftën. Prandaj, në mendimin tim, debate mbi Lef Nosin dhe figura të tjera si ai duhen bërë në kontekstin shqiptar mbi kontributin në çështje të caktuara të historisë shqiptare, por qartësisht, duke lënë mënjanë përfshirjen e tyre në një kauzë humbëse, e cila, përveç të tjerash, mund të kishte sjellë shpërbërjen e Shqipërisë në favor të fqinjëve tanë.

DOKUMENTI

Dokumenti i botuar sot vjen nga Arkivi i Sigurimit të Shtetit dhe bën fjalë për zbulimin dhe arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të Regjencës, Lef Nosi. Kapja e Nosit nga Sigurimi ka qenë gjithmonë e rrethuar nga mjegulla, duke mos dhënë asnjë detaj mbi dinamikën e ngjarjes dhe personazhet e përfshirë në to. Nga botimi i këtij dokumenti mund të kuptohet edhe arsyeja e kësaj mjegullnaje, e cila është ngritur për të ruajtur bashkëpunëtorët dhe figurat që morën pjesë në kapjen e Regjentit Lef Nosi. Dokumenti autentik ndodhet në Arkivin e AMPB, fondi i SEMP-it. “Vëzhgimi bëhej pa ndërprerje gjatë 24 orëve. Ai bëhej jo vetëm për të fiksuar lidhjet e elementëve të dyshimtë, por edhe banesat, dyqane, kafene dhe hotele që dyshoheshin se frekuentoheshin nga të huaj dhe të prekur. Verifikimi i lidhjeve të dyshimta maskohej bukur.

Vëzhguesit tanë paraqiten si nëpunës të triskëtimit, të cilët bëjnë “regjistrimin” e banorëve apo si elektricistë që “rregullonin” dritat, si grup “hidraulikësh”, përkthyes, shoqërues apo shërbyes. Kështu u zbulua agjenti i vjetër i zbulimit amerikan, profesori Lodz, i cili frekuentonte misionin amerikan dhe nuk ishte identifikuar. Agjentja e vjetër, Sara Blloshmi, që mbante lidhje me misionarin amerikan Hogdson, nën maskën e lidhjeve intime.

Në këtë mënyrë u kap edhe agjenti i vjetër i Inteligjencë Servisit, Lef Nosi, për të cilin armiqtë e partisë u munduan shumë ta arratisin jashtë shtetit me anë të misionit anglez. E dhëna e agjentit tonë, DRINI, theksonte se Lef Nosi gjendej në Elbasan. SEMP-i i Elbasanit (SEMP pararendësi i Sigurimit të Shtetit) gjatë kërkimit kishte krijuar dyshime se Nosi mund të fshihej te një plak, bazë e tij e vjetër (AMPB, fondi i SEMP-it të Tiranës. Raportet e DRINIT). Te kjo bazë u drejtua informatori XH.N., i cili nga biseda që bëri me plakun mësoi se Lefi gjendej diku i fshehur dhe se plaku i premtoi XH.N. 40 napolona flori nëse do ta përcillte Lefin jashtë shtetit.

Lef-Nosi-Kryetar-i-Kuvendit1-300x248

Më pas, megjithëse ia kishte dhënë paret, plaku nuk i tregoi se ku ndodhej Lefi, duke u justifikuar se e kishte përcjellë me një tjetër. Në këtë situatë, plaku u arrestua ku dhe tregoi se Lefi ishte nisur për t’u dorëzuar në Tiranë tek anglezët. Ndërkohë, një informacion i ardhur theksonte se “Lefi Nosin mos e kërkoni, se ruhet dhe fshihet nga Esat Ndreu” (fondi i SEMP, raporti i Bako Dervishit). Siç doli nga verifikimi i kësaj informate, Esat Ndreu paskish shkuar në Elbasan si i dërguar i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit pa pasur asnjë dijeni SEMP-i i Elbasanit dhe ai i krahinës së parë, të cilët ishin urdhëruar nga Drejtoria për kapjen e Lef Nosit”.

Çështja iu referua Koci Xoxes: “Në formë indirekte thuhet se keni dërguar për kapjen e Lef Nosit në Elbasan Esat Ndreun. Këtu del se Esati dhe Dali Ndreu kanë gisht. Si të veprojmë?” Por Koci Xoxe në vend që të merrte masa për verifikim dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme, thirri në drejtori shefin e SEMP-it të krahinës së parë, Bako Dervishin, dhe i heq vëmendjen pse kishte raportuar në mënyrë të padrejtë për Dali Ndreun dhe e urdhëroi që të likuidonte të dhënën nga kartoteka si shpifje dhe të vazhdonte kërkimin në rregull.

Në vazhdim të kërkimit u bënë disa veprime nëpërmjet informatorëve dhe miqve të SEMP-it. Nga këto rezultonte se Lefi gjendej në Elbasan dhe se dijeni të saktë kishte një nga bijtë e Cen Elezit, Xhelali. Deri në këtë kohë Cen Elezi hiqej si patriot, biri i tij, Xhelali, megjithëse kishte qenë major i Ballit Kombëtar, ishte hedhur në prag të çlirimit në rreshtat partizane dhe tani ishte oficer me gradën toger në një repart të Elbasanit. Për ta shlyer të kaluarën e tij jo të mirë, përpiqej të dukej se punonte me vendosmëri për pushtetin popullor, por në bisedat me të afërmit e tij dukej se anohej nga anglezet.

Pavarësisht nga kjo, SEMP-i e tërhoqi në shërbim Xhelalin, duke bërë një punë të madhe edukative për ta bindur se e ardhmja i takonte komunizmit. Në vazhdim të punës me Xhelalin u arrit që ai të hapej para SEMP-it. Xhelali tregoi se Lefi i kishte thënë se ai do të ikte jashtë shtetit me anë të misionit anglez në Tiranë. Anglezët do ta shpinin të maskuar me makinë në Greqi. Ai raportonte se Lefi ishte në Elbasan, por se ku, nuk e cilësonte, me pretendimin se nuk e dinte, por më në fund premtoi se do ta sillte në Tiranë, në bazën Z.M., një bazë që ai e njihte mjaft mirë dhe ku do ta priste një misionar anglez për ta nxjerrë pa bujë jashtë vendit.

SEMP-i e kishte të qartë se Xhelali po ndihmonte, jo se u bind, por për të shlyer të kaluarën e tij. Kjo u qartësua kur SEMP-i i kërkoi që ta binte atë në shtëpinë e tij, pasi Lefi i besonte si mik të vjetër që e kishte. Por Xhelali, për sy e faqe, kërkoi që ai të mos kapej në shtëpinë e tij. Në këtë rast, pa dashje, ai nxori se Lefin do ta sillte në bazën Z.M. nipi i tij, Vasil Nosi, i cili i kishte dhënë edhe makinën e tij. Ky ishte një variant jo i keq. Në momentin që makina do të ndalonte dhe Lefi do zbriste, oficerët e SEMPit do ta kapnin.

Në këtë mënyrë nuk digjej as baza dhe as Xhelali, pasi do të dilte fjala se ai u kap nga pakujdesia e shoferit. Por pas kësaj, Xhelali raportoi se Lefi mund të vinte në bazën Z.M. o me makinë, o me pajton dhe nuk do të futej nga rruga kryesore, por nga rrugica e errët. Ai tha se Lefi mund të kishte edhe armë. Dhënia e një raporti të tillë, një ditë para se Lefi të vinte në Tiranë, nuk u studiua dhe nuk u konkludua, por u morën këto masa: u bë rrethimi i bazës, u vunë prita përqark ku nuk dukeshin nga të tjerët. Në rrugicën e errët qëndroi shoku Siri Carcani me një shok tjetër, përpara Edip Çuçi dhe Z.M., si dhe disa shokë të tjerë.

Sapo u duk makina, Z.M. dha sinjalin dhe shokët u turrën për ta kapur, por makina nuk ndaloi, por iku dhe u zhduk. Ky ishte një gabim i rëndë që vinte nga padurimi. Shokët nuk pritën që makina të ndalej dhe të fikte dritat, por u turrën kuturu. Gabimi më i rëndë ishte se nuk u identifikua targa dhe drejtimi se nga shkoi kjo makinë. Kjo i linte shteg informatorit që të justifikohej për kontributin dhe informatën që dha. Me këtë kamuflonte misterin e raportit që dha në prag të kapjes, si dhe lojën e dyfishtë që po bënte.

Pavarësisht nga disfata, SEMP-i mori të gjitha masat, ngriti postblloqe duke mos lejuar të dilnin makinat pa bërë kontroll të imët. Edhe Xhelali, pavarësisht se qëndronte në bazë, informoi se makina nuk qëndroi, por ajo iku në drejtim të pacaktuar. Operacioni dështoi. Për këtë gjendje shkoi vetë shoku Enver Hoxha në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit ku, pasi dëgjoi raportin për ngjarjen, tha: “Ky është një minus i punës. Mospasja e durimit ju kushtoi rëndë. Kjo, shokë, duhet riparuar sa më parë. Lefi dhe kriminelët e tjerë duhen kapur të gjallë”. U thanë udhëzime se si duhej punuar më mirë. Pas analizës, oficeri i SEMP-it, Siri Carcani, duke dyshuar në të dyja të dhënat e Xhelalit, i shkoi në shtëpi gjoja për t’i kërkuar mendim, në fakt të bënte verifikime dhe të shikonte sjelljen e tij. Me këtë ai deshi t’i jepte të kuptonte Xhelalit se SEMP-i dinte gjithçka të sigurt për Lef Nosin, por donin që ai vetë të tregonte. Xhelali, duke parë se oficeri i SEMP-it i qëndronte serioz e që dinte në fakt ku fshihej Lefi, u përgjigj i shqetësuar me gjysmë zëri. Lefin e kam këtu. Si e latë dhe u turrët të gjithë pas makinës? Mos kini merak se është brenda dhe do ta kapim të gjallë. Siri Carcani nuk bëri zë, pasi gjoja këtë e dinte, veçse i tha i qetë: “Gjithçka është e qartë dhe masat janë marrë me kohë.

Vepro me kujdes se ky është fundi i lojës”. Xhelali mezi foli – mos kini merak, po do ishte më mirë ta kapnin në bazën ku u pata thënë. Edhe këtu nuk është keq – e ndërpreu Siri Carcani, asnjëri nuk do ta marrë vesh se ku u kap Lefi. Siri Carcani lajmëroi shokët që morën masa të menjëhershme, sepse mendohej se Xhelali si dhelpër që ishte, mund të bënte gjithçka. Ajo që e përforconte dyshimin ishte veprimi i deritanishëm me dy faqe i Xhelalit. Kishte rrezik që Xhelali ta dorëzonte Lefin në misionin anglez, pavarësisht se misioni qe vënë nën vëzhgim të rreptë. Rreth 20 shokë të SEMP-it të Tiranës bënë rrethimin e bazës. Siriu trokiti në derë.

E si thua, ne kemi ardhur të gjithë për të kapur Lefin, – ia preu ai prerë Xhelalit, sapo hapi portën. Më mirë më vrisni, sesa ta kapni këtu, – u gjegj Xhelali me zë të dridhur. Përsëri iu theksua se askush nuk e dinte se ai do të kapej në shtëpinë e tij. Pa humbur kohë e urdhërojnë Xhelalin të shkojë përpara dhe Siri Carcanin me Manolin pas u futën në dhomën ku flinte Lefi. Lef o Lef, – i thiri lehtas Xhelali – ngrehu se ka ardhur (emri i fshirë) të të marrë pse kanë e marrë vesh ata të Sigurimit. Duhet të ndërrosh bazë. Lefi ngrihet i tronditur. Siri Carcani dhe Manol Milo e kapin nga krahu. Ti Vasil je? – pyeti ai pasi qe errësirë. Po mos ki frikë, se je në duar të sigurta, – ishte përgjigjja. Sapo doli në korridor, Lefi u përpoq të shpëtonte, por ishte vonë. Kështu u kap krimineli i luftës Lef Nosi, agjent i vjetër i zbulimit anglez, rekrutuar që në vitin 1920 nga kuadri i Inteligjencës Servisit, Margaret Hasllek, e cila pati ardhur në Shqipëri në vitin 1919 nën maskën e studiueses së folklorit shqiptar”.

(AMPB, fondi i SEMP-it)

NGA AURON TARE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura