“KoKo Fest” mbush 5 vjet, festivali që i bën të gjithë të qeshin

Aug 27, 2018 | 10:41
SHPËRNDAJE

Ashtu si pa kuptuar, tashmë është bërë 5 vjeç. Qëndron fort mbi këmbët e veta dhe ngjall besim. “KoKo Fest”, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë, këtë vit feston 5- vjetorin e krijimit. Nga data 1 deri në 8 shtator, trupa nga e gjithë Shqipëria, por edhe Kosova, do të mblidhen në Korçë në një garë miqësore sepse Korça nuk mund të jetë veçse e tillë. Trupa nga Tirana, Vlora, Durrësi, Fieri, Korça, Prizreni e Prishtina, do të ngjiten në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” me veprat më të mira të vitit të fundit në zhanrin e komedisë.

40122667_880384819016070_8932215306210770944_n

Janë vepra që janë pritur mjaft mirë nga publiku në skenat e qyteteve të tyre, e tashmë pretendojnë edhe një trofe. “Vetëvrasësi” dhe “Darka e Lamtumirës” vijnë nga Tirana. E para si një bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar dhe “A.Z. Çajupi” dhe e dyta një prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Dy dyzina me trëndafila” vijnë nga Fieri, ndërsa nga Durrësi “Komedia që shkon për dreq”, një vepër që u prit me shumë sukses edhe në Tiranë. Nga Vlora vjen “Në dorë të fatit”, ndërsa nga Kosova vjen “Roberto Zucco” nga Prizreni dhe “Hollyshit” nga Prishtina. Vetë Korça ka përzgjedhur veprën “Lajzëlota”. Zgjedhje nga më të larmishmet, që nga komeditë e zeza dhe me mesazhe të forta, tek ato më argëtueset, që të bëjnë të qeshësh me lot, jo më shumë për batutën, sesa për humorin e krijuar prej situatave. Krahas veprave të mira, organizatorët e festivalit premtojnë “surpriza dhe momente të paharrueshme”.

40045874_879863949068157_2356654035693469696_n

BESNIKËT E FESTIVALIT

Përgjatë këtyre 5 viteve, aktorë nga të gjitha trevat shqipfolëse kanë pasur mundësinë të ngjiten në këtë skenë, të interpretojnë, të jenë pjesë e jurisë së saj apo spektatorë. Pavarësisht pozicionit, pavarësisht nëse kanë fituar apo jo, të gjithë janë larguar me përshtypjet më të mira dhe me dëshirën për të qenë pjesë e këtij festivali, edhe në edicionet e ardhshme. Përveçse një garë, në të cilën ia vlen të hysh, kanë gjetur mirëpritjen nga ana e organizatorëve, me në krye drejtoreshën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Zamira Kita, por edhe të gjithë Korçës e korçarëve, të cilët e presin këtë aktivitet si një festë. Nuk i kanë munguar asnjë edicioni aktoret Tinka Kurti e Margarita Xhepa, që kthehen në Korçë me mallin e së shkuarës, por edhe me kënaqësinë e së resë. “Me kënaqësi pres çdo vit ftesën për në ‘KoKo FEST’.

Kam çfarë te gjej në këtë qytet. Entuziazmohem me interpretimet e shume trupave që vijnë në këtë festival, me miqtë e dashur dhe kolegët e shumtë që takoj aty. Shëtis në rrugët e bukura të këtij qyteti unik e endem mes kujtimeve, bukurive, artistëve që gjej aty. I uroj jetë të gjatë festivalit”, shprehet aktorja Margarita Xhepa. “Ky festival më sjell në Korçë e art me një dashuri të madhe. Më sjell kujtime, kolegë, e shfaqje të mrekullueshme. Korça më do dhe e dua, me mallin e viteve dhe me të tashmen e mrekullueshme”, thotë Tinka Kurti, duke i uruar jetë të gjatë dhe suksese festivalit. “Ndjej një përjetim dhe kënaqësi të veçantë kur marr pjesë në ‘KoKo FEST-in’, që organizohet aq bukur në qytetin e mrekullueshëm te Korçës. Këtu më jepet rasti të takohem me miq, shokë, kolegë e dashamirës të shumtë të këtij qyteti të bukur dhe shumë artistik”, shton aktori Reshat Arbana. E zërave të tyre u bashkëngjiten shumë e shumë aktorë të tjerë, që do të linin gjithçka për të qenë pjesë e këtij aktiviteti. Rrallë dëgjon kaq shumë fjalë të mira, të gjitha bashkë…

Pse aktorët e duan “KoKo Fest”

Ndriçim Xhepa: Vlerësim maksimal, pjesë e çdo edicioni

“Si një pjesëmarrës në të gjitha edicionet e ‘KoKo Fest’, i cili zhvillohet në një qytet, që e do teatrin dhe artistët do ta vlerësoja maksimalisht këtë festival. Në këtë edicion të pestë do t’u uroja sukses të gjithë interpretuesve që do të luajnë tashmë në një skenë të re, ku do të ndjejnë një kënaqësi akoma dhe më të madhe”.

Yllka Mujo: Mbledh ëndrrat tona dhe i kthen në shfaqje

“Një festë që të ngazëllen. Është festival, ku artistët ushqehen me art dhe dashuri. Ky festival i komedisë mbledh ëndrrat tona dhe i kthen në buqetë shfaqjesh. Të gjithë duhemi më shumë!”

Viktor Zhusti: I ëmbël si “Koko-t” e gjysheve

Fjalën “KOKO” e dëgjoja shpesh nga e mira gjyshe, sa herë më kish ruajtur ndonjë copë ëmbëlsirë. Kështu që, kur dëgjova se më ftonin në “KOKO FEST” (!!!) ndjeva të buzëqesh gjithë ngrohtësi e nostalgji. Mes shumë traditave, arti, teatri më saktë, i solli një tjetër traditë të re qytetit të lashtë. Çdo fillim vjeshte, Korça bujare pret krahë e zemër hapur: artistë, miq e të ftuar, nga të dy anët e kufirit, e shpesh edhe më përtej. Shpërndan “KOKO” për vetëm një javë, por shija, përshtypjet dhe emocionet që përfton, s’të ndahen deri në vjeshtën e ardhshme, kur mezi pret për t’i shijuar përsëri! Falënderoj teatrin “A.Z.Çajupi”, veçanërisht “korçarkën” e palodhur Zamirën, që më bëri pjesë të atij festivali! Falënderoj gjithë përzemërsi publikun korçar për qytetarinë, kulturën dhe entuziazmin, me të cilat rrethon miqtë e saj! Sukses e jetëgjatësi “KOKO FEST-it”!

Eva Alikaj: E befasuar nga organizimi dhe mikpritja

“KoKo ishte për mua një festival shumë i veçantë, jo vetëm për faktin që ishte festivali i parë, ku unë ulesha në karrigen e jurisë, por njëkohësisht u befasova nga mikpritja e korçarëve dhe kujdesi i veçantë i drejtores së këtij festivali, Zamira Kita. Arrita të njoh dhe të kënaqem me shumë artistë të trevave shqiptare, shumë të talentuar, të cilët s’i kisha njohur më parë. Ndihem shumë e nderuar!”

Rajmonda Bulku: Nivel i lartë artistik

“’KoKo FEST’ është një event artistik i menaxhuar shumë mirë dhe me nivel të lartë artistik, si në zgjedhjen e jurisë tepër profesionale, ashtu dhe në zgjedhjen e shfaqjeve konkurrente në festival. Do lija edhe pushimet për të shkuar në ‘KoKo FEST’. Suksese Teatrit të Korçës! Suksese Zamira Kita!”

Dhimitër Orgocka: Festival që u flet të gjithëve

“Me mendimin që e sotmja po paraqitet si një kohë që po ndryshon. Me mendimin se arti u flet të gjithëve, madje edhe ‘të veçantëve’ u drejtohet me melodinë komike dhe ndodh që edhe ‘ata’ ia marrin me iso nga pas. Me mendimin se Korça dhe teatri ju mirëpret me dashuri e mirënjohje, edhe unë mirëpres kolegët me gjithë zemër në suksesin e përbashkët ‘KoKo FEST’!”

Olta Daku: Do lë gjithçka, të shkoj në

“KoKo Fest” “Do të lë çdo gjë dhe do të shkoj në ‘KoKo FEST’! Nuk duhet humbur asnjë shfaqje, asnjë takim me miq, nuk duhet humbur publiku i mrekullueshëm korçar, nuk duhet humbur atmosfera festive në Korçë. ‘KoKo FEST’ bën sivjet 5 vjet. I uroj edhe shumë vite të tjera!”

Qëndrim Rijani: Motiv për të krijuar

“’Koko FEST’ tashmë është bërë eventi kryesor për motivimin e produkteve të para skenike, në rikthimin e sezonit artistik vjeshtor në teatrot tona mbarëshqiptare. Punojmë projektet tona të para të sezonit me mendjen në Korçë, rikthehemi nga ‘Koko FEST’ dhe mbetemi me mendjen dhe zemrën po në Korçë”.

Adem Karaga: Te teatri marrim jetë dhe dashuri

“Korçë, moj zonjë e madhe e shqiptarisë! Ta ndienim zërin e serenatës dhe na mbaje shpirtin gjallë, shpirti i artistëve që ndjehet në çdo rrugicë. Aty te teatri, te zemra e Korçës, aty ku bashkohemi ne të gjithë, marrim dhe japim jetë dhe dashuri nga të gjithë ata që frymuan e frymojnë sa të jetë jeta! Faleminderit ‘KoKo FEST’, që na bën të ndihemi pjesë e Korçës!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura