“Kokëfortësia” e obezitetit dhe “kokëfortësia” e mjekëve

Jun 3, 2018 | 12:25
SHPËRNDAJE

shefqet deliallisiSHEFQET DELIALLISI

Bëhet fjalë për dështimin e madh të shkencës  mjekësore dhe shkencës së ushqyerjes. Rënien në peshë dhe ruajtjen e peshës së humbur te njerëz mbipeshë dhe obezë. Bëhet fjalë për “kokëfortësinë” e obezitetit për ta ruajtur peshën. Por dhe “kokë- fortësinë” e mjekëve për të vazhduar me këshilla që s’funksionojnë. Sipas një analize të vitit 2007 të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxheles, prej njerëzve që mbajnë dietë dhe bien në peshë, ata që e ruajnë peshën e humbur janë: “më shumë një përjashtim i rrallë, se një rregull”.

Është e vërtetë se kufizimi i ngrënies siguron një humbje afatshkurtër në peshë, krijon iluzionin se ne kemi kontroll të vetëdijshëm mbi peshën tonë, por, afatgjatë, organizmi nëpërmjet një përgjigje të fuqishme biologjike, punon fort për kthimin e peshës aty ku ajo ishte. Dhe biologjia e humbjes së peshës së tepërt, është shumë më e komplikuar se këshilla “hani më pak dhe lëvizni më shumë”. Por le t’i kthehemi një historie të mbi 100 viteve me parë…

PRESIDENTI OBEZ

Obeziteti, që konsiderohet si produkt i stilit të jetesës moderne sedentare dhe fast food-et, të paktën në disa raste, është trajtuar si një problem mjekësor që në fillim të shekullit 20. William Howard Taft, presidentit i 27-të i SHBA-ve, në vitet 1909-1913 ka qenë i vetmi president, masivisht obez. I shqetë- suar për shëndetin dhe pamjen e tij të jashtme, objekt i karikaturave me trupin e tij të majmur, ai luftoi fort për kontrollin e peshës. Betejën e tij me obezitetin e përshkruan një historiane e mjekësisë, Deborah Levine, në revistën “Annals of Internal Medicine”, pas një analize të letërkëmbimit mes Presidentit dhe mjekut të tij të dietës, të zbuluar në bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Ashtu si shumë aplikues të dietës sot, edhe Taft (187cm i gjatë) e humbi dhe e rifitoi peshën, duke u luhatur nga mbi 158 kg në 115 kg. Nëpërmjet një diete me pak yndyrë, pak kalori, pa vakte të ndërmjetme. Duke mbajtur një ditar të përditshëm për ç’hante dhe duke ndjekur një program aktiviteti fizik të posaçëm, pas gjashtë muajsh kishte humbur 60 kg. Pamja e jashtme i kishte ndryshuar, por vazhdimisht ai ishte i uritur. Dhe dalëngadalë uria e mposhti. Në vitin 1909, rifitoi gjithçka kishte humbur, madje më tepër. Ndonëse s’hoqi dorë nga përpjekjet për të rënë në peshë dhe 25 vitet e mbetura i kaloi duke u konsultuar me mjekët, në fund të jetës në vitin 1930, Taft peshonte plot 280 kg ! Historia e presidentit obez hedh dritë mbi çfarë po ndodh sot me obezitetin.

“Nëse Taft do jetonte sot – sipas ekspertëve – mjekët do t’i ofronin atij një ndërhyrje kirurgjikale, që ka efekt të madh për të rënë në peshë. Apo ilaçe të cilat në rastin më të mirë kanë një efekt të vogël. Por, nëse do t’i rekomandonin trajtim me dietë, do të ishte ajo e përdorur prej tij 100 vite më parë”.

Në këtë histori tërheq vëmendjen vështirësia për ta humbur si dhe për ta ruajtur peshën e humbur, s’ka ndryshuar edhe sot. Tërheq vëmendjen gjithashtu, se mjekët për mbi një shekull vazhdojnë me të njëjtat këshilla që s’funksionojnë. Dhe së fundi, asnjë hap me rëndësi për gjetjen e një kombinimi ushqimor që të sigurojë një humbje të përhershme në peshë! “Ndoshta po kërkojmë diçka që s’ekziston”, thotë David B. Allison, drejtor i Qendrës Kërkimore për Obezitetin dhe Ushqimin në Universitetin e Alabamës.

Sigurisht, dijet kanë evoluar në vite. Në mesin e shekullit 20, qelizat yndyrore (indi dhjamor) konsiderohej një magazinë e thjeshtë për yndyrën që organizmi përdor për energji. Më pas, u evidentua se qelizat dhjamore, veç depo, ishin të afta të komunikonin me trurin për sasinë e yndyrës që ndodhej në organizëm, madje, në një farë mase ta rregullonin atë. Në vitin 1994, u izolua hormoni leptin, sekretuar nga qelizat yndyrore, që informon trurin për madhësinë e qelizave dhjamore.

TRE EKSPERIMENTE

1. Disa dekada më parë, dr. Jules Hirsch, pionier në studimet e obezitetit në Universitetin Rockefeller, bëri një studim me obezë që ranë dakord të jetonin në një repart spitali dhe të përdornin një dietë për të siguruar një peshë normale. Përpjekja dështoi. Gjithë kohës ata ishin të pangopur. Uria i gjunjëzoi dhe ata rimorën peshën e humbur me shumë vuajtje.

2. Nga mesi i viteve ’80, për 10 vjet, dr. Leibel i Univeristetit Columbia dhe bashkëzbulues i hormonit leptin dhe dr. Hirsch studiuan 41 vullnetarë. Një pjesë obezë, një pjesë nën peshë. U përpoqën t’i rregullonin peshën nëpërmjet ushqyerjes me disa formula ushqimore. Gjetjet e publikuara në vitin 1995 treguan se organizmi i kundërvihej përpjekjeve për të humbur peshë dhe bënte të gjitha përpjekjet për të rifituar peshën origjinale. Kur trupi dobësohej, metabolizmi ngadalësohej, muskujt digjnin më pak kalori për të njëjtin sforcim; kur trupi shëndoshej, muskujt digjnin më shumë.

3. U pa se kur kafshëve, nëpërmjet kirurgjisë, u hiqej ind dhjamor, më pas vetë organizmi e kompensonte, duke depozituar më shumë dhjamë derisa gjendja të kthehej në pikën e para eksperimentit dhe ndalej. E kundërta kur kafshët vendoseshin në mbingrënie, shtonin në peshë dhe e humbin atë që shtuan spontanisht, kur ndërpritej mbiushqyerja.

ÇFARË TREGUAN EKSPERIMENTET?

Treguan se organizmi ka zgjedhur një peshë “normale” për veten e tij, që është e ndryshme për njerëz të ndryshëm, të cilën e mbron nëpërmjet rregullimit të shprehive të ngrënies dhe veprimit të hormoneve. Organizmi i çdonjërit ka të fiksuar në genet e tij një set-point (pikë të caktuar) të peshës, brenda së cilës organizmi është i programuar biologjikisht të qëndrojë. Rol luan dhe ambienti. Genet ndizen dhe shuhen në ndikimin e tij. Gjithashtu, këto studime i lehtësuan njerëzit nga vetakuzimi si të paaftë për të kontrolluar peshën e tyre. Si vetëfajtorë për obezitetin e tyre.

NJË TEORI BEFASUESE

Teoria korrente metabolike është e ashtuquajtura teoria “set-point”. E ngritur nga David Ludwig, endokrinolog i njohur, profesor i Shkollës Mjekësore të Harvardit, në librin e tij bestseller 2016 “Gjithmonë i uritur?”. Në këtë libër, ai përmbys këshillat tradicionale për rënien në peshë: “Nuk është mbingrënia që i bën njerëzit të dhjamosur. Është procesi i dhjamosjes ai që bën ata të hanë tepër; obeziteti nuk është një gjendje “shtesë”, por një çështje urie për organizmin; dietat me kufizim të kalorive vetëm e përkeqësojnë këtë gjendje, duke krijuar një luftë midis trurit dhe metabolizmit, luftë që jemi të destinuar ta humbim”.

Pranimi prej 40 vitesh i modelit të kontrollit të peshës me ligjin e parë të termodinamikës: “Sasia e energjisë së depozituar, është e barabartë me diferencën ndërmjet energjisë së marrë, me atë të shpenzuar” s’funksionon në sistemet biologjike. Ajo injoron predispozicionin gjenetik për obezitet. Faktin se disa njerëz sedentarë, ndonëse hanë çfarë t’i pëlqejë, në çfarëdo sasie, nuk shtojnë në peshë, ndërsa të tjerë ndonëse hanë sasi modeste, janë aktivë fizikisht e kalojnë jetën duke luftuar peshën, përsëri mbeten obezë… Dieta me pak yndyrë dhe shumë karbohidrate, që këshillohet prej shumë vitesh, e rrit nivelin e insulinës.

Nxit grumbullimin në qelizat dhjamore të më shumë dhjami (kalori), duke lënë fare pak kalori për pjesën tjetër të organizmit. Truri e identifikon mungesën, reagon me shfaqjen e urisë (për më shumë kalori) dhe ngadalëson metabolizmin (për të ruajtur kaloritë ). Për sa kohë kaloritë mbeten të magazinuara në qelizat dhjamore, kaloritë që ne marrim me ushqime nuk qëndrojnë gjatë në gjak. Në vend që të shtohet “karburanti” (kaloritë), shtohet dhjami (obeziteti) në organizëm.

Prandaj, një dietë e pasur me karbohidrate, nga njëra anë shkakton zmadhimin e qelizave dhjamore (obezitet), nga ana tjetër do shkaktojë uri të vazhdueshme nga mungesa e energjisë në gjak. “Do ndodhte diçka e krahasueshme me edemat- thotë dr. Ludwig,- pavarësisht që ka shumë ujë në organizëm, njerëzit me edema kanë etje të pashuar, sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm atje ku është e nevojshme, në gjak, por në hapë- sira të tjera të organizmit”.

ZGJIDHJA…

Shkenca mjekësore dhe shkenca e ushqyerjes kërkojnë një shkundje të fortë. Objektivi: rivendosja e set-point “pikës së caktuar” të peshës së trupit dhe kontrolli mbi gjendjen e urisë. Shumë gjëra duhen riparë. Shpjegimi i gabuar i obezitetit. Fokusimi i gabuar te simptomat: pesha dhe kontrolli i saj, jo te shkaku: shtimi i insulinës. Duhet një tjetër dietë që ul nivelin e insulinës. Qelizat dhjamore duhet të çlirojnë kaloritë e tepërta në organizëm. Truri të sigurojë furnizim më të bollshëm me “karburant”. Duhet të bjerë uria. Metabolizmi të përshpejtohet.

Pesha të bjerë pa “luftë”. Kjo kërkon një dietë të pasur me yndyrë, si mënyra më e shpejtë për uljen e nivelit të insulinës dhe fillimin e humbjes së peshës. Studimet e fundit konfirmojnë se, në kundërshtim me çfarë është thënë, dieta me shumë yndyrë është më efektive se dietat me pak yndyrë, për humbjen e peshës. Sigurisht preferohen yndyra që janë veçanërisht të mira për zemrën. Kjo s’do të thotë që për këto përfitime, të eliminohen të gjitha karbohidratet…

NE VEND TE MBYLLJES

Si do hidhen poshtë gjithë çfarë është thënë, për gjithë këto vite për rënien në peshë? Mjafton, gabuam, u mbështetëm në mite, jo në evidencë? Duhet t’i dekurajojë njerëzit mbipeshë dhe obezë në përpjekje për të humbur peshë? Sipas dr. Hirsh: “ Mjekët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të sinqertë. Duhet të theksojnë që nuk ekziston asnjë dietë që mund të bëjë mrekulli.

Duhet të theksojnë se humbja e peshës dhe ruajtja e peshës së humbur është një ndërmarrje e vështirë, që zgjat gjithë jetën. Duhet të theksojnë se shtimi në peshë nuk duhet parë si çështje vullneti, por si çështje biologjie”. Dhe më në fund, në ndihmë do na vijë thënia e mjekut të madh William Osler (1849-1919): “ Mjekësia është një shkencë e pasigurisë dhe një art i probabilitetit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura