“Kokëderrat” e kënaqun dhe “Sokrati” i vuejtun

Feb 11, 2016 | 11:50
SHPËRNDAJE

Frano KulliFRANO KULLI

Që prijësat e Shqipërisë së çerekshekullit të fundit  kanë qenë e janë kokëderra, këtë e kumtoi me buzëqeshje, pak ditë më parë, më i buzëqeshuri… i kryeministrave që kemi pasur, zoti Pandeli Majko. Ndërsa përtej buzëqeshjes, përmes rreshtave të frazës së kumtuar, gëlon bindja e tij e fortë se kështu është dashur të jenë ata, kështu duhet të jenë prijësat shqiptarë-kokëderra.

Kështu ka qenë dhe kështu është dashur të jetë edhe vetë ai, thotë Zoti Majko, e për këtë nuk e fsheh se ndihet krenar… për vehten e për ata që janë e ata që do të vijnë. Sigurisht metafora e pohuar është lehtësisht e kapshme prej kujtdo, qoftë edhe fare pak i vëmendshëm në këtë tallaz-politikën tonë; sepse kjo ka qenë e është sot e mot bindja siprore e shumicës së shqiptarëve. Sipas kësaj bindjeje e mendësie, prijësat duhet të jenë të fortë, më të fortit e njerëzve që ata prijnë.

Ata duhet t’u shkojnë deri në fund gjërave që ata mendojnë, gjërave që ata i gjykojnë si të arsyeshme. Arsyen e tyre ata e çmojnë të gjithëfuqishme, ata vetë ndihen dërgata e vullnetlartit në tokën e shqipeve dhe ne të tjerët, grigja e tyre e bindur. Kjo është e vërteta, ky është realiteti ynë i përditshëm e i përorshëm. “Kokëderrat” tanë vrâjnë e kthjellin, ftohin e nxehin, të japin punë e të japin bukë, të bëjnë me para e të fusin në burg…

E ne “kokëderrin” e thërrasim dajë… “Qe besa, or burra/Nuk di kah t’çajë/Mbasi do t’thirret/Sod derri dajë… Kam dâ, ta dini/Me vjetë t’sivjetit/Me u shporrë Shqypnijet/me kenë i vetit”. (Gjergj Fishta-Anzat e Parnasit, 1907).

E “Sokrati i vuejtun”, (ai që nuk është në rrethin e parisë së “kokëderrave”) merr arratinë. Ikë, ikë prej këtu në kërkim të jetës më të drejtë e më të mirë. Ka shumë, shumë si vejta, që e ndjekin pas. Mbasi e kanë dikuar e shprazë (zbrazur) gjithë neverinë e pezmin për padrejtësinë e korrupsionin, për premtimet e mosmbajtjen e tyre, për mashtrimin e rrenat, për reformat që vetëm përmenden e s’bëhen, për… duke marrë me vehte pezmin fatal se ky vend nuk bëhet, ikin.

Tani më tepër se asnjëherë të dëshpëruar. Shifrat janë të trishta. Thuhet se rreth njëqind mijë kanë ikur në Europë, rreth dyqind mijë kanë aplikuar ikjen në Amerikë. Në vendin ku akoma nuk ka një numër të publikuar të popullsisë së vendit, (Europë, fillimshekulli i 21-të), në vendin anëtar të NATO-s dhe aspirant për në Europën e bashkuar, kompania e prijsave, megjithatë nuk mënon të publikojë si një informacion “të rrjedhur” shifrat e të ikurve.

Duket si në një moment ngazëllimi për ta ikja nga ky vend e kaq shumë vetave e aspak si përgjegjësi e bash vetë atyre… Ngjan se prijësat e dëshirojnë ikjen e “sokratëve të vuejtun” dhe kjo është akoma edhe më e trishtë. Dhe ndërkohë këtu vijojnë paradat vezulluese të shakasë së arritjeve… Në fatin tonë të shtetformimit dhe në rrekjen tonë për të ndërtuar sistemin politik të demokracisë, akoma ndihemi të vonuar. Në kryeherë për shkak të “kokëderrave”…

Ndërmjet atributit të qeverisjes me sundimin, prijësat te ne kanë zgjedhur gjithmonë sundimin. Edhe sot e gjithë ditën Zoti Edi Rama, kryeministri i radhës, që betohet se do të bëjë shtetin, këtë shtet po bën, shtetin e tij dhe të të tijve. E gjithë trajektorja rreth tri vite e gjatë e qeverimit të tij, ligjin dhe rregullin bazuar në barazinë e zbatimin e njëllojtë për të gjithë të qeverisurit vetëm si propagandë po e përdor…

E ndërkaq dyzinat e “sokratëve të vuejtun” ikin. Sikur të ikshin prej një ishulli të largët të sapozbuluar e jo prej një vendi, sidokudo në Europë, me një qytetërim të lashtë, sidokudo si të Europës, me një trashëgimi kulturore, sidokudo si të Europës, që jo vetëm nuk po çmohet e vitalizohet (jetësohet), por vetëm përbuzet e rrënohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura