‘Kokë e mafies, dru i shtrembër…’, shpërthen Tahiri: Kam heshtur 6 muaj, por tani…

May 3, 2018 | 10:20
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në konferencën e njoftuar per media, ku beri me dije se dorezon mandatin e deputetit, ka treguar arsyen se pse ka heshtur per 6 muaj, duke leshuar akuza te forta ndaj politikes, rreshtuar ne sulmin ndaj tij. tahiri-live

Kjo deklaratë për mediat e Tahirit vjen pas nisjes së punës intensive nga Komisioni Parlamentar që është ngritur për të hetuar aktivitetin e tij kur ka qenë Ministër i Brendshëm.

Pjesë nga fjala e Tahirit 

Prita 2 jave të flisja në parlament, por mes mjellit e cizmeve e sherrit aty vetëm parlament nuk është bërë, nuk kisha rrugë tjetër veç kësaj që zgjodha sot për të ndarë me ju një qëndrim timin.

Përpara më shumë se 6 muajsh, për mua filloi një histori tjetër me të cilën po përballem ende sot.

Dhe kam 6 muaj që hesht e dëgjoj.

Dëgjoj lloj lloj rrace që nuk më ka lënë gjë pa thënë, sa të kisha qeverisur 30 vjet, dhe në vënd të të gjithëve para meje, nuk do kisha imagjinuar dot kurrë kaq shumë akuza për veten time.

Njëri kriminel, tjetri trafikant. Diku kokë e mafias, diku ushtar i mafies.

Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër i stivës.

Këtë e kam quajtur “kur gjyqin ta bën djalli”….për gjyqin moral që më bëjnë rraca që ka qeverisur e shkatërruar për 25 vjet këtë vend e kam fjalën, se atë tjetrin e kam me drejtësinë.

Kur gjyqin ta bën djalli, jo se jam unë ëngjëll sigurisht, kam punuar e kam gabuar si çdo njeri i kësaj bote.

Por të dëgjoj që ma bëjnë gjyqin kjo rracë që me politikë ka vjedhur e prej politikës nuk është ndëshkuar….Nuk e pranoj për askënd e asgjë, kurrë.

Më kanë thënë se më ka mbrojtur imuniteti, mandati parlamentit, se më ka mbrojtur maxhoranca dhe Edi Rama.

Sado kam thënë që as dua e as më duhet të me mbrojë askush e asgjë, më kanë thënë se të gjitha këto bashkë më paskan shpëtuar nga arrestimi e burgu.

Tani dëgjoj që unë jam edhe pengesë për integrimin.

Se 25 vjet mbushur me hajdutë në politikë, që veç lekëve, këtij populli i kanë vjedhur edhe të ardhmen e fëmijëve, integrimin po ua pengokam unë.

Nqs ka një gjë që e di si drita e diellit, është se që nga dita e parë e angazhimit tim e deri sot jam përpjekur e ia kam dalë me të paktën një gje: une nuk kam qënë e nuk jam kurrë si këta.

As fshihem pas parlamentit, as rri në parlament për të marrë rrogën kot, as për ti bërë hije ndokujt, as për të kapur ndonjë tender a ca lekë, dhe aq më pak për të pasur paprekshmëri.

Jo më të ketë ndonjë shans të vërtetë qe rrugën për në evropë ta pengoj unë.

Kam 6 muaj që dëgjoj e hesht. Akuza e gënjeshtra përtej çdo imagjinate.

Mjerë njerëzit e shkretë që këta palacot në politikë i dëgjojnë prej 1990 e këtej.

E nuk kanë faj që nuk lënë ekran pa pështyrë sa herë vjen e enjtja e parlamentit.

Unë kam 8 vjet në parlament e më duket sikur kam 80.

4 vjet isha Ministri i Brendshëm e me sa akuza e shpifje kam dëgjuar, më duket sikur në këtë vend nuk ka patur tjetër Ministër të Brendshëm veç meje.

Por e vërteta ka çmim, dhe unë këtë e dija.

Gënjeshtra ka çmim më të lirë, edhe këtë e dija.

Për mua ama, çmimi i lirisë dhe i së vërtetës, është më i shtrenjtë e më i vlefshëm se çmimi i karrierës.

Kam parë e dëgjuar më shumë se ç’kam pasur kohë për të menduar. Dhe i kam quajtur të gjitha kosto normale të rrugës që zgjodha.

Po kur dëgjoj këta të parlamentit si vajtojnë në emër të popullit, luten në emër të popullit, urimet i bëjnë në emër të popullit, kërcënojnë në emër të popullit, shajnë dhe vrasin në emër të popullit, kërkojnë dhe falje në emër të popullit….se kurrizi i popullit nuk mbaron, i mban të gjitha.

Ndërsa këta luajnë teatrin e zakonshëm, fryhen e qeshin. E populli i shkretë mban, dëgjon e duron.

E kur i shoh të gjitha, ngushëllohem disi.

Sa kanë folur e shpifur për mua, është shumë pak në krahasim me ç’i kanë bërë njerëzve të shkretë në kaq vite.

Suksesi më i madh i djallit, ishte të bindte të gjithë se nuk egzistonte. Fiks kështu edhe këta që prej 25 vitesh të vrasin natën e të qajnë ditën.

Hajduti flet për ndershmëri. Maskarai flet për moral. Injoranti flet për shkollat. Tenderaxhiu për të varfrit. Të gjithë bashkë për drejtësinë…do thotë ndonjëri edhe mua për trafikant më akuzojnë…nuk ka faj edhe ca kohë.

Kam duruar 6 muaj, kështu duke dëgjuar e nuk kam folur, për të respektuar të vërtetën time dhe drejtësinë.

Ndaj kam heshtur.

Që heshtja ime del nga manuali i punës për shumicën e politikës sot, këtë e di po aq sa di ç’do bënte kushdo tjetër po të ishte në vendin tim.

Do shanin prokurorinë, gjykatën, do shtonin dozën e blerjes së medive, etj si këto.

Unë akuzohem për trafik droge… kjo është akuza.

Drejtësinë do e kërkoj në gjykatë e mezi po pres. Po këtë gjyqin publik me akuzat e shpifjet e gjithë karagjozave të politikës ku ta bëj?

tahirii

Saimir Tahiri

Kujtojme se ish ministri ka qenë në dy seancat e fundit në Kuvend, ndërsa prania e tij ka shkaktuar polemika të forta nga opozita, teksa u akuzua dhe filmua edhe nga ish-kryeministri Berisha.

Nderkohe qe nje dite me pare pati zhvillime ne Komisionin Hetimor per Tahirin, ku shumica duket se ka gjetur mënyrën që ky hetim të mbyllet pa nisur ende, duke e “varrosur” me një tufë me shkresa, që kërkohen të merren nga institucionet e vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura