Kokainë dhe prostitucion me klientë VIP, ‘princesha Eva’ rikthehet nga Italia me pranga në Rinas

Mar 16, 2016 | 7:00
SHPËRNDAJE

Një grua e akuzuar për ushtrim prostitucioni dhe trafik droge iu dorëzua dje Drejtësisë shqiptare nga autoritetet italiane.

90275_141115_83528_20141115_evapreka1

Mediat e vendit fqinj kanë njoftuar dje se Policia italiane ka shoqëruar deri në Aeroportin e Rinasit shtetasen Eva Preka, 34 vjeçe, të njohur nga punonjëset e seksit si “Princesha Eva”.

Edhe në trafikun e kokainës ajo ka nofkën e saj, e cila sipas mediave italiane është “Zonja e Bardhë”. Shtetasja shqiptare është dënuar me tri vite e katër muaj burg për akuzat e ngritura ndaj saj në Itali.

“Princesha Eva” u arrestua nga Policia e Sanremos në flagrancë me afro 1 kg kokainë të pastër. Arrestimi ishte pjesë e një operacioni ndërkombëtar të trafikut të drogës që drejtohej nga partneri i saj.

Siç bënin me dije dje mediat italiane, ndaj shtetases shqiptare u vendos masa arrest shtëpie, por e dyshuara humbi gjurmët në qershor 2013. Më pas shtetasja shqiptare ra në pranga në nëntor të vitit 2014, në Milano, ku kishte nisur biznesin e shoqërimit me eskortë luksoze të personave që ishin të interesuar dhe që paguanin për shërbime seksuale.

Duke përdorur emër të rremë, “Princesha Eva” kishte zgjeruar aktivitetin e saj në Milano dhe Romë, duke shoqëruar klientë të pasur në restorantet dhe hotelet më të mira. E gjitha kjo ishte një industri kriminale fitimprurëse për 34-vjeçaren shqiptare, e cila kishte organizuar dhe një spektakël mode në Milano, duke bërë dhe selfie me njerëz të njohur si Lele Mora dhe i postonte ato në rrjetet sociale. Ishin pikërisht këto foto, që i çuan hetuesit në gjurmët e aktivitetit të saj dhe që sollën më pas arrestimin e shqiptares.

PERSONAZHI

Për herë të parë, Eva Preka u arrestua në Itali nga policia me akuzën e trafikut të kokainës në vitin 2010, kur ishte vetëm 28 vjeçe. Bashkë me “Princeshën e kokainës”, në pranga ranë edhe pesë shtetas të tjerë shqiptarë.

Pjesë e grupit që shiste drogë në Sanremo ishte edhe shqiptari Gëzim Kola, i dënuar për vrasje. Ky shtetas, i akuzuar nga policia për bashkëpunim me grupin ku bënte pjesë Eva Preka, kishte jetuar në Holandë për disa vite dhe mendohet se kishte qenë një pikë kyçe në lëvizjen e drogës, kryesisht kokainë, mes dy vendeve.

Lënda narkotike kokainë shpërndahej në lokale, restorante dhe hotele luksoze. Fillimisht klientëve u ofrohej lëndë narkotike dhe më pas, për ata që ishin të interesuar, ofroheshin edhe shërbime seksuale. Klientët më të shumtë në numër që frekuentoheshin nga “Princesha Eva” ishin në Romë dhe në Milano.

Eva Preka, pas ndjekjes së vazhdueshme nga ana e policisë, ishte përpjekur të ndryshonte identitetin e saj duke përdorur një pasaportë të rreme dhe po kështu kishte tentuar të ndryshonte edhe pamjen e saj fizike. Pasi është mbajtur në burg në Itali, asaj i ka mbetur periudha e fundit e dënimit, dhe për këtë arsye është dëbuar nga Italia si masë alternative ndëshkuese.

Duke përdorur emër të rremë, Preka kishte shtrirë aktivitetin e saj në Milano dhe Romë duke shoqëruar klientë të pasur në restorantet dhe hotelet më të mira.

Madje ajo kishte organizuar dhe një spektakël mode në Milano, duke bërë dhe selfie me njerëz të njohur si Lele Mora dhe i postonte ato në rrjetet sociale.

Nisur nga këto foto, hetuesit zbuluan aktivitetin e saj dhe e arrestuan. Tashmë që i ka mbetur periudha e fundit e dënimit, ajo është dëbuar nga Italia si masë alternativë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura