Biznesmeni Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi, ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”.
Dizdari, emri i të cilit u përfol në nëntor të vitit 2018, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, u arrestua në Dubai. Policia e Dubait ka dhënë detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Mediat vendëse citojnë Policinë e Dubait, sipas së cilës, shqiptari Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane, u arrestua në kudër të operacionit të koduar “Los Blancos”.
Ai akuzohet për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës të trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar, e përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës me një vlerë prej 350 milionë eurosh. Duke zbuluar detajet e arrestimit, koloneli Saeed Al Qamzi, drejtori i Departamentit të Personave të Kërkuar në Policinë e Dubait, tha se ata e vendosën shqiptarin nën një vëzhgim të ngushtë për disa ditë, para se të merrnin “njoftimin e kuq” kundër tij. “Së bashku me drejtuesit e tjerë të bandave, i dyshuari arriti të kontrabandonte dhe transportonte qindra tonë drogë në Europë përmes porteve detare dhe t’i shiste ato te përdoruesit e drogës”, shpjegoi koloneli i Policisë së Dubait, Al Qamzi.
VRASJA NE ISH-BLLOK
Afro dy muaj pas masakrës në ish-Bllok, që ndodhi 4 tetorin e vitit 2018, hetimet nisën të përqendrohen te prishja e pazareve të drogës. Grupi hetimor duket se u fokusua aty, pasi arriti të mbledhë të dhëna të dobishme që konfirmonin një konflikt për çështje kokaine mes Ervin Matës, të fejuarit të Elvana Gjatës, dhe një biznesmeni që u shpall në kërkim nëntorin e atij viti. Bëhej fjalë për Eldi Dizdarin, i cili është bashkëshorti i ishmiss-it Suada Sherifi.
Ai ishte identifikuar nga grupi hetimor prej disa javësh, por vetëm më 27 nëntor të vitit 2019, Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e shpalli në kërkim, ndonëse nuk arriti ta ndalonte asnjëherë për atë çështje.
Burimet thanë në atë kohë se Dizdari ka lidhje farefisnore edhe me Arbër Çekajn, pronarin e kontenierit me banane ku u zbulua sasia prej 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, i cili u dënua vetëm pak ditë më parë. Nga ana tjetër, oficerët që në atë kohë kryen verifikimet në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor tek ishBlloku, kishin siguruar të dhëna që flisnin për një krisje marrëdhënieje mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit. Dikur miq të ngushtë, ata ishin përfshirë në një konflikt për çështje kokaine. Të paktën në këtë përfundim patën arritur oficerët e Policisë së Tiranës.
IDENTIFIKIMI
Në dosjen e Prokurorisë, të publikuar dy vite më parë nga gazeta “Panorama”, shpjegoheshin veprimet hetimore dhe e gjithë dinamika e ngjarjes. Aty theksohej se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut kishte pasur një konflikt, në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, Ervin Mata. Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti që kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e së cilës Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij.
Ndonëse nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar të ketë pasur sjellje miqësore mes këtyre dy personave. Më vonë burimet thanë se është identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe është pikërisht biznesmeni Eldi Dizdari, i cili ishte shpallur në kërkim.
Dritan Rexhepi, negociator mes karteleve. Kreu i organizatës drejtonte trafikun nga Ekuadori
Kreu i organizatës që u godit dje nga Europol dyshohet se është shtetasi Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në Ekuador. Burimet thanë dje se për vite me radhë importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin të ndarë, nga shitësit me shumicë, te bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Ato kontrollonin të gjithë zinxhirin e punës së kartelit, duke filluar që nga koordinimi i nisjes së dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut, deri te shpërndarja në të gjithë Europën.
Mësohet se duke përdorur mjete të sofistikuara dhe kode gjatë komunikimeve me pjesën tjetër, kreu i organizatës, 40-vjeçari Dritan Rexhepi, kishte edhe rolin e negociatorit mes karteleve të drogës në Amerikën e Jugut. Ai dyshohet se ka organizuar dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Europës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, që më pas kanë bërë shpërndarjen në Europë. Dritan Rexhepi, deri në vitin 2010 rezultonte i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Krujë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Por në vitin 2010, çështja gjyqësore u veçua.
Rexhepi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Sokol Halilaj e Shefqet Seferi, me nga 20 vite burg. Dosja e Dritan Rexhepit, i njohur edhe me emrin Gramoz, u veçua pasi ky shtetas ndodhej në burg në Itali dhe u dërgua një letërporosi atje. Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Gjykata ka shpallur fajtor për vrasjen e trefishtë të ndodhur në vitin 1999 Sokol Halilajn dhe Shefqet Seferin, bashkëpunëtorë të Dritan Rexhepit në këtë krim.
Seferi ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi, të cilësuar edhe vrasës me pagesë. Të tre këta persona akuzohen për vrasje për shkak të detyrës të dy efektivëve të Policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje, rastësisht u vra edhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.
Në gusht të vitit 2014, i shumëkërkuari u arrestua në Katalunja të Ekuadorit tre vjet pas arratisjes spektakolare nga një burg i Belgjikës. Shqiptari ishte ndaluar që në fund të muajit qershor të atij viti nga Policia e Ekuadorit, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. Megjithatë, askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij, pasi i kërkuari kishte ndryshuar pamjen dhe identitetin duke mbajtur një pasaportë greke me identitet të rremë. Ishin gjurmët e gishtave që e zbuluan vlonjatin, në atë kohë 34 vjeç. Por emri i tij doli në skenë edhe së fundmi, pas rrëmbimit e më pas zhdukjes së Jani Prengës në Tiranë.
Emrat e organizatorëve të pengmarrjes së Jani Prengës janë zbardhur nga deklarimet që ka dhënë vëllai i tij, Anton Prenga, i cili jeton në Angli, por sapo ka mësuar ngjarjen ka ardhur në Shqipëri për të negociuar.
Gazeta “Panorama” ka zbardhur dosjen e plotë të Prokurorisë, ku ndër të tjera është edhe deklarimi i Anton Prengës, i cili tregon me detaje bisedat me organizatorët dhe takimet që ka pasur. Në dëshminë e tij, vëllai i Jan Prengës shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas grabitjes së një sasie kokainë në Angli nga vëllai tjetër i tij, shtetasi Astrit Prenga, bashkë me mikun e tyre të familjes, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian.
Ndërsa tregon edhe telefonatat që një person, i quajtur Gramoz, nga Vlora, (Dritan Rexhepi) ka komunikuar me vëllanë tjetër të tij, Ndrekë Prenga, që ndodhet në burg, të cilit i ka thënë që të mos bënin gabim të luanin gjërat e tyre, duke nënkuptuar kokainën. Të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga shtetasi i quajtur Gentjan Doçi. Më poshtë, dëshmia e plotë e vëllait të Jani Prengës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al