Kokainë, dashuri e krim, ja dëshmitë kontradiktore të Marsidës për vrasjen në shtëpinë e saj

Oct 12, 2019 | 12:15
SHPËRNDAJE

marsida1

ETLEVA DELIA/ Hetimet për krimin e rëndë që ndodhi në Kavajë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 41-vjeçari në banesën e ish-së dashurës, duket se do të zgjerohen edhe në fushën e narkotikëve.

Mësohet se Prokuroria i ka kërkuar veprime shtesë Policisë së Kavajës, pasi nuk kanë mbledhur prova të nevojshme për mbetjet e lëndës narkotike, të llojit kokainë, që u gjet në kuzhinën e apartamentit të Marsida Qatjas, ku u vra Dritan Haxholli.

Nga ana tjetër, vetë 30-vjeçarja, ka deklaruar para oficerit të Policisë Gjyqësore se është përdoruese e drogës dhe me raste të rralla përdor kokainë. Madje, ka deklaruar se edhe natën kur ndodhi ngjarja, ka përdorur kokainë, duke theksuar se nuk e kishte blerë ajo, por e ka gjetur në pjatë, ku e kishte vendosur miku i saj, Xhuljo.

Në dëshminë e saj pas krimit, Qatja ka pranuar në Polici se me viktimën ka pasur një lidhje, së cilës i kishte dhënë fund, por ai kërkonte sërish të kryente marrëdhënie me të. Por në prononcime që ka dhënë përgjatë dy ditëve në media të ndryshme, ajo thotë të kundërtën. Për këtë arsye, Prokuroria e Kavajës e ka rimarrë në pyetje Marsida Qatjan, por edhe të gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e ndodhur pas mesnate në apartamentin e 30-vjeçares.

marsida2

DESHMIA E MARSIDES NE POLICI 

“Pavarësisht insistimit të Dritanit, unë e kam refuzuar atë. Kohët e fundit, prej rreth një muaji, Dritani është bërë më shumë i bezdisur ndaj meje, duke më ngacmuar gjithmonë. Dritani, pothuajse përditë, rreth orës 23:00, ka ardhur pranë banesës sime, duke këmbëngulur që të më takonte dhe që unë ta pranoja atë. Duke qenë e shqetësuar dhe e pasigurt nga veprimet e Dritanit ndaj meje, unë për këtë problem, më datë 9 tetor paradite, jam takuar me Bledar Toçin dhe i kam treguar atij për shqetësimet që kisha nga Dritani. Pasi e mësoi këtë fakt, Bledari më tha: Pse nuk më ke thënë më parë, se këtë punë e rregulloj unë dhe u shpreh se sonte do të rrinte vërdallë shtëpisë sime. Rreth orës 22:30, Bledari ka ardhur te shtëpia ime, u fut brenda në shtëpi, qëndroi aty së bashku me mua për rreth 15 minuta dhe doli e më tha:

Viktima
Viktima

‘Mos u mërzit se do të kthehem përsëri’. Desha të theksoj se në momentet që te shtëpia ime ka ardhur Bledari, së bashku me mua, aty ka qenë edhe Xhuljo Biturku, të cilin e kam fqinj dhe rri thuajse çdo ditë me mua. Pas pak çastesh që unë isha duke ndenjur në shtëpi së bashku me Bledarin dhe me Xhuljon, te dritarja ka ardhur Dritani, i cili ka goditur dritaren e kuzhinës me tytën e një automatiku që kishte me vete. Në këto momente, unë kam ndërhyrë duke folur nga brenda shtëpisë sime dhe i kam thënë Tanit: ‘Mos bërtit, por hajde brenda’. Në këtë moment, Dritani është përgjigjur duke thënë: ‘Ok, hape derën se po vij’. Unë e kam hapur derën dhe Dritani me automatikun në dorë është futur brenda në shtëpinë time.

Sapo ka parë Bledarin, Dritani është shprehur duke thënë: ‘O Bledar Toçi, edhe ti qenke këtu?’, dhe menjëherë ka qëlluar me automatikun që kishte me vete Bledarin, duke e plagosur atë në pjesën e sipërme të trupit, i cili ka qenë i ulur në karrige. Pasi e qëlloi për së dyti Bledarin, Dritani u drejtua te djali im i vogël, të cilin unë isha duke e vënë në gjumë në divan dhe u shpreh duke m’u drejtuar mua e duke thënë: ‘Do të vras edhe djalin tënd’. Dritani e kishte drejtuar automatikun nga djali im dhe në këto momente Bledari ka qëlluar në drejtim të Dritanit me pistoletë. Menjëherë, nga këto të shtëna, Dritani ka rënë në tokë, ku edhe gjeti vdekjen. Pas këtij momenti, Bledari ka dalë jashtë dhe më tha: ‘Po iki për në spital’. Ndërsa unë qëndrova në shtëpi së bashku me Xhuljon, ndërkohë që Dritani kishte vdekur brenda shtëpisë sime. Pasi është larguar Bledari, edhe unë me Xhuljon kemi dalë nga shtëpia në rrugë dhe unë me telefonin tim kam njoftuar Policinë. Jam përdoruese e lëndëve narkotike dhe përdor me raste të rralla kokainën. Po, kam përdorur kokainë në shtëpinë time, së bashkë me Xhuljon, veprim që e kemi bërë bashkë rreth mesditës. Të tjerët nuk kanë përdorur kokainë gjatë kohës që kanë qëndruar aty. Lëndën narkotike që kam përdorur unë sot, nuk e kam blerë unë, por e kam përdorur atë kur pashë që Xhuljo e kishte vendosur në pjatë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura