Kokaina rekord/ Shoferi e menaxheri nuk ‘shpëtojnë’ dot, edhe Apeli i lë në burg

Mar 20, 2018 | 12:50
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj, dy të arrestuarit e vetëm për ngarkesën prej 613 kg kokainë të kapur në Maminas të Durrësit më 28 shkurt, janë lënë në burg edhe nga Gjykata e Apelit, të cilës i ishin drejtuar për të kërkuar lirinë.

Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj në Gjykatë
Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj në Gjykatë

Ata kishin ankimuar përmes avokatëve të tyre masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që i ka lënë në arrest me burg.

Lushaj dhe Pezaku kanë mohuar të kenë pasur dijeni për ngarkesën e drogës, të gjetur në kontenierin me banane, që ishte porositur nga pronari i firmës “Arbri Garden”, Arbër Çekaj. Edhe avokatët e tyre pretendojnë se klientët nuk kanë lidhje me drogën. Ata janë me paga minimale dhe në vështirësi ekonomike. Ndërkohë, pronari i “Arbri Garden”, Arbër Çekaj, vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar.

Policia gjermane nuk ka mundur dot ta gjejë gjatë kontrolleve të ditëve të fundit. Ka dyshime se ai mund të jetë arratisur. Policia dhe Prokuroria kanë në hetim edhe dhjetëra persona të tjerë si të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës.

Në fundin e dyfishtë të kontenierit me banane, të mbërritur për llogari të kompanisë, “Arbri Garden”, u zbuluan 528 pako kokainë, të cilat ishin të shënuara nga sipër me kode të ndryshme. “777”, “KE”, “020”, “CA 17”, janë disa nga kodet e shënjuara sipër mbështjellëses së pakove me lëndë narkotike.

Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka dyshime se droga që mbërriti më 19 shkurt në Portin e Durrësit, ishte porositur nga të paktën 20 persona, që momentalisht po hetohen me metodat speciale nga ana e Antidrogës.

“Unë porosis në Kolumbi dhe kam një kontratë për 4 kontenierë në javë me një prej firmave më serioze në Kolumbi, dhe unë porosis 1080 arka me banane që janë në kontejnerë, ose 20 paleta, me peshë neto 19.5 kg.

Kontejnerët nuk kanë lidhje fare me kompaninë “Arbri Garden”, sepse janë të kompanive të tjera, që në këtë rast janë të një kompanie franceze, ose në raste të tjera që kanë qenë të Kopenhagenit, ose të kompanive të tjera”, ka thënë Çekaj në një intervistë për “News 24” disa ditë më parë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura