Kokaina rekord/ Kërkohet arrest me burg për Arbër Çekajn: Të shpallet…

Mar 8, 2018 | 10:49
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e arrestit me burg në mungesë për Arbër Çekajn, si personi i dyshuar që ka porositur ngarkesën e 613 kg kokainë, e kapur në 28 shkurt në Maminas.

arber kokain

Për Çekajn ka një urdhërndalimi, por meqë ai ndodhet në Gjermani dhe nuk ka ardhur ende të përgjigjet për dyshimet e Prokurorisë, kjo e fundit ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Çekajn.

Nëse pranohet nga Gjykata, atëherë Çekaj do të shpallet në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet gjermane do të nisin punën për arrestimin e tij. Çekaj rezulton pronari i firmës “Arbri Garden”, që importon banane nga disa vende të Amerikës Latine.

Në kontenierin e ardhur në fund të shkurtit, në të cilin gjendeshin banane, u zbulua nga Policia shqiptare edhe ngarkesa e drogës. Për këtë u arrestuan menaxheri i firmës, Donaldo Lushaj dhe shoferi që tërhoqi kontenierin, Armando Pezaku. Deri më tani, këta të dy kanë mohuar të kenë pasur dijeni për drogën, ashtu sikurse edhe Çekaj që ka folur nga Gjermania, duke thënë se nuk ka lidhje me drogën.

“Jam në një situatë të pafavorshme në fakt, që nuk ka asnjë lidhje me kompaninë time, as me personalitetin tim, as me familjen time. Jam një biznesmen modest në Shqipëri dhe ka shumë spekulime nga politika, pasi çdo gjë politizohet. Do vij në Shqipëri shumë shpejt. Jam nisur për të ardhur. Do shkoj tek organet përkatëse në Prokurori për të dhënë versionin tim. Që të hedh poshtë të gjitha hipotezat që janë dhënë deri tani, qoftë nga media, qoftë nga Policia apo Prokuroria. Unë porosis në Kolumbi dhe kam një kontratë për 4 kontenierë në javë me një prej firmave më serioze në Kolumbi, dhe unë porosis 1080 arka me banane që janë në kontenierë, ose 20 paleta, me peshë neto 19.5 kg. Kontenierët nuk kanë lidhje fare me kompaninë ‘Arbri Garden’ sepse janë të kompanive të tjera, dhe në këtë rast janë të një kompanie franceze, ose në raste të tjera që kanë qenë të Kopenhagenit, ose të kompanive të tjera”, ka thënë Çekaj në një intervistë për “News 24” disa ditë më parë.

DROGA

Kontenieri me drogë mbërriti në Portin e Durrësit më 19 shkurt, pasi kishte kaluar në Portin e Livornos më parë, ku ishte vonuar disa ditë. Autoritetet atje kishin pasur dyshime për të dhe kanë sinjalizuar Doganën shqiptare se diçka nuk shkonte me kontenierin. Edhe skaneri në Portin e Durrësit tregoi se në pjesën fundore të kontenierit ishte ndërhyrë dhe kishte prani silikoni.

Doganat, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e hapën kontenierin fshehurazi dhe zbuluan drogën. Më pas, ata vendosën të bënin dorëzim të kontrolluar për të mësuar për destinacionin dhe porositësit. Kontenieri iu nënshtrua procedurave doganore dhe u la të shkonte në destinacion.

Aty, më pas, Policia ndë- rhyri duke arrestuar në magazinën e Maminasit shoferin dhe menaxherin e firmës, Armando Pezaku dhe Donaldo Lushajn. Operacioni është bërë më 28 shkurt, gjatë natës, ku kamioni është ndjekur nga oficerët e Policisë deri te magazina ku mblidheshin bananet në Maminas. Më pas është lëshuar edhe urdhërndalimi ndaj pronarit të firmës, që gjendet në Gjermani.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura