Kokaina rekord/ Iku 4 ditë para kapjes së drogës, merret vendimi për pronarin Çekaj

Mar 11, 2018 | 12:34
SHPËRNDAJE

Arbër Çekaj, pronari i “Arbri Garden”, që kishte porositur kontenierin me banane në Kolumbi, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e “arrestit me burg” në mungesë për Arbër Çekajn, si personi i dyshuar që ka porositur ngarkesën e 613 kg kokainë të kapur më 28 shkurt në Maminas.

CekajPor “Panorama” mëson se Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar ditën e djeshme kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Çekajn.

Pronari i “Arbri Garden” mësohet se ndodhet në Gjermani dhe nuk ka ardhur ende të përgjigjet për dyshimet e Prokurorisë.

Çekaj është i dyshuari kryesor për 613 kg kokainë të gjetur në kontenierin e ardhur në fund të shkurtit në portin e Durrësit. Për këtë u arrestuan menaxheri i firmës, Donaldo Lushaj, dhe shoferi që tërhoqi kontenierin, Armando Pezaku. Deri më tani, këta të dy kanë mohuar të kenë pasur dijeni për drogën, ashtu sikurse edhe Çekaj, që ka folur nga Gjermania duke thënë se nuk ka lidhje me drogën.

Përveç dy të arrestuarve dhe Çekajt, për ngarkesën rekord të kokainës nga Kolumbia, Policia dhe Prokuroria kanë në hetim edhe dhjetëra persona të tjerë si të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës. Në fundin e dyfishtë të kontenierit me banane, të mbërritur për llogari të kompanisë “Arbri Garden”, u zbuluan 528 pako kokainë, të cilat ishin të shënuara nga sipër me kode të ndryshme.

“777”, “KE”, “020”, “CA 17”, janë disa nga kodet e shënuara sipër mbështjellëses së pakove me lëndë narkotike. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka dyshime se droga që mbërriti më 19 shkurt në portin e Durrësit, ishte porositur nga të paktën 20 persona, që momentalisht po hetohen me metodat speciale nga ana e Antidrogës.

“Unë porosis në Kolumbi dhe kam një kontratë për 4 kontenierë në javë me një prej firmave më serioze në Kolumbi dhe unë porosis 1080 arka me banane që janë në kontenierë, ose 20 paleta me peshë neto 19.5 kg. Kontenierët nuk kanë lidhje fare me kompaninë “Arbri Garden”, sepse janë të kompanive të tjera, që në këtë rast janë të një kompanie franceze, ose në raste të tjera që kanë qenë të Kopenhagenit, ose të kompanive të tjera”, ka thënë Çekaj në një intervistë për “News 24” disa ditë më parë.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura