Kohë e të “fortëve” apo e “shtetit të së drejtës”?

Feb 17, 2015 | 12:18
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI

   Shumëkush mund të kujtojë se te ne, qysh në fillimet e tranzicionit tonë kaotik, të cilit ende nuk i dihet fundi, sipërmarrës të ndryshëm shqiptarë të pajisur me shuma të mëdha parash u zhdukën pa nam e nishan në Bullgari, në Ukrainë etj., por edhe u morën peng, u zhvatën e një numër syresh, duke filluar me kreun e një shoqate biznesi – i ndjeri Koço Dado, u vranë mizorisht për të mos u gjetur më kurrë (1994). Po kështu, gjatë kësaj kohe deri në ditët e sotme një numër kambistësh u grabitën me dhunë, disa edhe u vranë pa mëshirë nga elementë të veçuar, në mjaft raste edhe të organizuar në “sipërmarrje” të tilla kriminale e të dënueshme në të gjithë botën demokratike që na rrethon.
Gjatë dy dekadave të fundit, objekt i sulmeve kriminale kanë qenë edhe një numër zyrash të këmbimit valutor, disa degë bankash në Tiranë dhe në rrethe, banesa private apo apartamente të sipërmarrësve të ndryshëm etj. Nuk ka diskutim se vjedhja e kartëmonedhave në Bankën e Shqipërisë gati një vit më parë dhe grabitja e një sasie të konsiderueshme të parave nga një bankë tregtare javën që shkoi, mbetën zhvillimet negative kulmore në këtë lloj të veprave penale. Për një numër arsyesh që lidhen sa me informalitetin apo evazionin fiskal të vetë sipërmarrjeve, aq edhe me përpjekjet për të ruajtur “emrin e mirë” në treg, apo për të parandaluar reagimet emocionale dhe panikun e kuptueshëm në radhët e depozituesve që ngjallin ngjarje të tilla ,siç është vjedhja e thesarit të një banke tregtare, vihen re të paktën dy tipare që nuk duhen injoruar nga këndvështrimi i interesave publike.
Së pari, është shkalla e ulët e bashkëpunimit të palëve të dëmtuara (individë apo sipërmarrje) me agjencitë ligjzbatuese, mbrojtëse të ligjshmërisë apo të interesave publike. Ndër argumentet e kësaj situate përmenden p.sh. për individët: mosrespektimi i rregullave të vendosura për kryerjen e transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar, origjina herë-herë e dyshimtë e parave etj., por edhe përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve “alla shqiptarçe” të problemeve të kësaj natyre, gjë që nënkupton angazhimin e personave privatë deri edhe të grupeve kriminale që ofrojnë “shërbime” të tilla. Në rastin e sipërmarrjeve më të organizuara vihet re një mungesë e theksuar transparence dhe vullneti për të kapërcyer hermetizmin e pakuptimtë në institucione të tilla, siç ishte p.sh. moslejimi i inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për ushtrimin e detyrës së tyre në historinë ende të pambyllur të vjedhjes së Thesarit të Shtetit në Bankën e Shqipërisë. Vlen të theksohet se janë të gjitha gjasat që edhe vjedhja e bankës tregtare javën që shkoi të ketë një ngjashmëri të madhe me vjedhjen e Thesarit të Shtetit – të paktën në elementin bazë të kësaj ngjarjeje kriminale – bashkëpunimin e punonjësve të brendshëm me grabitësit. Këtu vijmë te problemet e mëdha që lidhen me politikën shtetërore të licencimit të kompanive që ofrojnë shërbime të tilla apo edhe shërbime të ngjashme, siç janë zyrat e përmbarimit privat. Më konkretisht, mjafton një vëzhgim i thjeshtë për të kuptuar se shërbime të tilla të rëndësishme shtetërore, siç është ruajtja fizike apo shoqërimi i transportimit të parave dhe sendeve të çmueshme janë përdorur si plaçkë tregu, përfaqësojnë njëlloj “privatizimi të shërbimeve të shtetit”, jo për të ulur koston, por për të mbështetur pasurimin e “të fortëve” kontribuues në fushatat zgjedhore për të trullosur, mashtruar dhe blerë votuesit fukarenj, që duke u pasuruar në këtë mënyrë, “përgatitën” për t’iu imponuar si “përfaqësues” qytetarëve votues nga sistemi politik bipartizan në fuqi në zgjedhjet e radhës. Është e kuptueshme se licencimi si kompensim për “shërbimet” dhe mbështetjen financiare ndaj lidershipit apo pushtetit të radhës nuk mund të mos çojë në punësimin jashtë çdo standardi të njerëzve nga rrethi familjar apo krahinor – të gjithë të patrajnuar mjaftueshëm e të keqpaguar e në mjaft raste edhe të pasiguruar në nivelin e zakonshëm të të punësuarve – nuk po flasim për sigurinë e jetës, kushtet specifike të punës e të tjera si këto.
Së dyti, duke qenë se shteti ynë gjatë çerekshekullit të fundit është transformuar duke ardhur nga “shteti ligjor” i së shkuarës komuniste me synimin për t’u bërë “shtet i së drejtës” kuptohet se jo gjithçka e asaj kohe duhej e duhet hedhur poshtë. Kështu, në atë periudhë, por dhe deri përpara pak vitesh, një numër objektesh apo shërbimesh shtetërore emërtoheshin të një “rëndësie të veçantë”. Pa kurrfarë nostalgjie për të shkuarën rreth kësaj teme, por edhe me përgjegjësinë që duhet t’i karakterizojë institucionet shtetërore në kushtet e situatave komplekse që po kalon vendi dhe rajoni, e kam të vështirë të gjej argumente përse sistemi bankar nuk është ndërmjet objekteve të tilla, që presupozohet se duhet të ruhet nga njësi të specializuara të Policisë së Shtetit. Se nga një llogari e thjeshtë, mund të rezultojë se shumat e parave të vjedhura vetëm gjatë tri viteve të fundit mund të justifikojnë një masë të tillë, pa folur për faktin që sofistikimi i krimit, sidomos atij të organizuar në fushën e ekonomisë, financave, bankave etj. nuk u jep asnjë mundësi operatorëve privatë të jenë në gjendje të përballen realisht me këtë lloj të krimit.
Së fundi, për maxhorancën e sotme qeverisëse, më shumë se për pjesën tjetër të politikës, duhet bërë e qartë se taktika e përballjes së “të fortëve të djeshëm” më “të fortët e sotëm”, apo “të fortëve të djathtë” me “të fortët e majtë”, në çfarëdo fushe të jetës apo të shërbimeve publike, sidomos në ato “klasike” (siç janë shërbimet policore) nuk ndihmon ushtrimin me legjitimitet të pushtetit dhe vetëm sa çon në përsëritjen ciklike të problematikës së shfaqur në funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të paktën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. E duke u kthyer te problemi i këtij shënimi – vjedhja e parave në banka – mendoj se qeveria në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese duhet të analizojë këto ngjarje dhe pse jo, edhe të rikthejë angazhimin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e bankave tregtare dhe të Bankës së Shqipërisë. Kështu, jo vetëm do të mund të rritet aftësia ruajtëse dhe profesionalizimi që u pret rrugën ngjarjeve të tilla në të ardhmen, por edhe do të largohemi gradualisht nga përdorimi vend e pavend i Policisë së Shtetit, gjë që duket se ka krijuar një terren disi të favorshëm për gjallërimin e formave të ndryshme të kriminalitetit spontan dhe të organizuar në fushën e ekonomisë dhe financave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura